...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Investimet amerikane (hidrocentrali & gazi) në Shqipëri - pa perspektivë: si për amerikanët ashtu dhe për shqiptarët

Dy investimet amerikane, si për gazin dhe për ndërtimin e një hidrocentrali tjetër, që po bisedon qeveria, janë pa perspektivë, si për vetë amerikanët ashtu dhe për shqiptarët

SHJ

20/03/2021 - 14:01

Po e risjellim pjesën vijuese nga analiza e Ylli Përmetit në vëmendjen e popullit lidhur me dy investimet kryesore amerikane në Shqipëri meqë shumë idiotë të shtypit të përditshëm (lexo këtu, Dita) nuk e kanë idenë nga investimet dhe e ardhmja e tyre. Dy investimet amerikane, si për gazin dhe për ndërtimin e një hidrocentrali tjetër, që po bisedon qeveria, janë pa perspektivë, si për vetë amerikanët ashtu dhe për shqiptarët, argumenton autori, në 

Lufta politike e Metës me Ramën dhe amerikanët dhe e ardhmja e tij

Për më shumë:  

Duhet thënë se “Dhoma Amerikane”, anëtarët e së cilës përfaqësojnë një bashkim kompanish me 38 mijë punonjës dhe me xhiro të përbashkët sa 21 për qind ose sa rreth ¼ e PPB-së sonë, kërkon ulje taksash dhe ka përgatitur 40 rekomandime për qeverinë për të zgjeruar veprimtarinë e kapitalit të huaj, për transparencë të lartë [...] në prokurime dhe kufizime për zyrtarët e përfshirë në korrupsion. Dy ndërmarrjet kryesore amerikane, “Exxon Mobil” dhe “Bechtel”, kanë nënshkruar dy marrëveshje me qeverinë “Rama”: njëra, sipas qeverisë, “për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri” duke përfshirë konvertimin e lëndës djegëse të TEC-it të Vlorës nga naftë në gaz dhe ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e tij...duke synuar shndërrimin e “Vlorës në një HUB rajonal për gazin e lëngshëm”.

Në fakt, qeveria ose s`është në dijeni ose bën propagandë mashtruese lidhur me argumentin se Vlora do të kthehet në një “hub” ose qendër rajonale për gazin e lëngshëm amerikan: sepse qeveria greke ka krijuar të njëjtën qendër në Selanik në përpjekjen e saj për të përfshirë sa më shumë interesat amerikane në rajon dhe për të mbajtur larg kërcënimet turke. “Bechtel” ndërkohë ka marrë përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin, të cilin e kishte në shënjestër dhe BE-ja por hoqi dorë kur pa se u përfshin amerikanët në të. Siç citon një raport:

“Problemet dhe vonesat u shkaktuan nga ndërhyrja komerciale e një kompanie konstruksioni amerikane. Drejtoria e zgjerimit në BB lëshoi në datë 12.01.2021 duke kontaktuar Bankën e Investimeve Europiane për të ndërprerë menjëherë çdo ndihmë në këtë projekt. Drejtoria e Zgjerimit, fuqimisht këshillon që në të ardhmen asnjë lloj bisedimi të mos zhvillohet me autoritetet shqiptare”.

Për hidrocentralin në fjalë janë zhvilluar shumë protesta nga banorët dhe nga ekologjistët, për mos ndërtimin e tij. Por qeveria “Rama” i shpërfilli ato siç ka shpërfilluar qindra protestat e tjera për hec-et e tjerë që po shkatërrojnë ekosistemin...në kohën kur ka plotë rrugë të tjera —tërësisht ekologjike— për shfrytëzimin e energjisë hidrike dhe kur, dhe më e rëndësishmja, në SHBA digat e hidrocentraleve kanë shkatërruar biodiveristetin e lumenjëve dhe tani mijëra diga (mbi lumin Klamath etj.) përballen me prishjen e kontrolluar për të njëjtën arsye pas shumë përpjekjeve dhe bisedimeve nga organizatat mjedisore! Në SHBA janë hequr mbi 1700 diga duke përfshirë 90 gjatë vitit 2019 (The largest dam-removal in US history, BBC, 10th November 2020).

Një arsye tjetër është e ardhmja e klimës: ajo parashikohet të jetë plotë thatësira dhe lumenjtë në thatësira nuk kanë ujë për kafshët e jo më për digat dhe prodhim energjie. Kujtoj thatësirën e vitit 2017 kur thuajse të gjitha digat u fikën dhe ne importuam energji nga vendet e tjerë. Thatësira si ajo do të jenë më të shpeshta në të ardhmen. Përjashto mundësinë e ndalimit të çlirimeve toksike dhe moti gradualisht balancohet. Por ndërsa përpjekje po bëhen për zvogëlimin e çlirimeve ato janë tejet larg nevojave për të balancuar motin. Duke ditur këtë fakt, por dhe faktin tjetër se investimi në hidrocentral është i madh (rreth 500 milion euro është përfolur) ku e çon “mushka” investitorin amerikan?! Qoftë edhe nëse hamendësojmë se në marrëveshje përfshihet çështja e thatësirave dhe qeveria pranon të kompensojë humbjet gjatë thatësirave, ku do ta gjejë “kompensimin” kur dihet se populli ynë do të varfërohet më shumë në të ardhmen?!    

Lexo, Kanosja katastrofike e planetit: nga përmbytjet biblike dhe thatësirat shkretuese te përfitimet e elitave dhe dalldisja e popujve

Parë nga këndvështrimi i pushtetit ekonomik, nga nevoja e qeverive tona për mbështetje politike amerikane dhe nga varësia e vendit tonë në raport me SHBA-në, në terma politikë dhe gjeopolitikë, Dhoma Amerikane e Tregëtisë bashkë me ambasadën amerikane aktualisht mund të kërkojë dhe të imponojë çdo kërkesë mbi qeverinë shqiptare. Nuk është e rastit që kërkon transparencë të “lartë” në prokurime publike por jo të “plotë”! Vlen të përmendet, gjithashtu, fakti se gazi amerikan është shumë më i shtrenjtë se gazi i linjave të tjera siç është TAP-i që kalon në Shqipëri dhe vështirë se mund të blihet nga populli i zakonshëm. Nga projekti i TAP-it Italia përfiton më shumë se çdo vend tjetër: sepse do të jetë pikë shpërndarëse për gjithë Evropën. Aktualisht ajo furnizohet nga gjashtë burime (Austria, LNG, Zvicra, Algjeria, Libia etj.). Çmimi i gazit të linjës së TAP-it ra shumë gjatë vitit 2020 por çmimi i tij është përgjithësisht konfidencial.

Shqipëria, Kosova dhe Malizi, aktualisht përdorin energji të ripërtëritshme dhe naftë për energji dhe nevoja ngrohëse. Shqipëria, vendi më i madh nga këta të tre, gjatë vitit 2017 përdori një përzierje mes naftës (63%) dhe hidrocentraleve (rreth 20%). Rreth 12% u gjenerua nga bioenergjitë, 4% nga qymyri dhe vetëm 1.8% nga gazi. Vendi përshkohet nga një rrjet i vjetër gazi prej 400 km me presion të ulët duke lidhur fusha të vogla gazi dhe një përqindje e këtij rrjeti përdoret për të dërguar prodhimin vendor të gazit në ndërmarrjet naftënxjerrëse për veprimtaritë e tyre përpunuese. Por gjatë viteve të fundit, operatori i sistemit të transportit Albgaz  — i cili u nda nga Albpetroli në janar të vitit 2017 — ka planifikuar një zgjerim me pesë fish të sistemit të gazit. Synimet e Albgazit përbëjnë pjesë të një plani më të gjerë gazi të hartuar nga qeveria “Rama” në vitin 2014-të, i cili përfshin gjithashtu ndërtimin e një impianti të ri (CCGT), një magazinë të nëndheshme për magazinimin e gazit në Dumre dhe një linjë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës (ALKOGAP).

Qeveria shqiptare pret që kërkesa për gaz të rritet me rreth 2 bilion metër kubik çdo vit deri në vitin 2040 ndërsa 770 milion kubik prej tij do të përdoren për prodhimin e energjisë. Faza e parë e TAP-it është hartuar që vetëm të kalojë në Shqipëri ndërsa pritet të fitohet një dalje nga linja përkatëse në Fier gjatë fazës së dytë, aktualisht nën ndërtim. Greqia, Bullgaria dhe Greqia fitojnë gaz nga faza e parë e TAP-it. Kështu ata ulin varësinë e tyre nga gazi rus. (Turning on TAP: a shift in the European gas landscape, “S&P Global Platts”, September 2020). Kështuqë gazi amerikan mbetet të përdoret kryesisht në TEC-in e Vlorës për prodhimin e energjisë elektrike të cilën ose do ta eksportojmë ose do ta përdorin vlonjatët me kosto...të lartë sigurisht. Përjashto mundësinë e subvencionimit të gazit amerikan nga kursimet e popullit shqiptar.

Sidoqoftë, është e qartë se gazi amerikan mund të shitet në sasi të mëdha brenda vendit (në SHBA) ku fuqia blerëse dhe përdorimi i tij është më i madh se sa në vende si Shqipëria dhe Ballkani në përgjithësi. Veçanërisht kështu kur ai konkurrohet nga një sërë linjash në rajon: TAP-i dhe linja të tjera nga Mesdheu dhe Lindja e Mesme pritet të shfaqen. Në rajonin tonë mund të përdoret si energji “luksi” meqë ka cilësi të lartë. Mund të përdoret dhe si “armë” diplomatike: të paktën kështu po e përdor Gjermania aktualisht e cila po përparon linjën e veriut të gazit rus. Për çmimin e tij, ministri rus i energjitikës, ka thënë se është të paktën 30-40 për qind më i lirë se gazi amerikan.

Sidoqoftë, herët a vonë amerikanët do ta kuptojnë se gazi i tyre nuk ka të ardhme në rajonin tonë kryesisht për shkak të mungesës së fuqisë blerëse dhe konkurrencës së lartë. Kujtoj se Serbia furnizohet me gaz rus dhe për të njëjtën arsye dhe ka krijuar një avantazh shumë të rëndësishëm tregtar me Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo është një arsye se pse Serbia është protegoniste në krijimin e “federatës ballkanike” të nxituar nga BE-ja: sepse e di se me avantazhet e saj (këtu përmenda vetëm njërin ndërsa të tjerët mund të lexohen në analizën përkatëse) mund t`i pushtojë ekonomikisht sërish fqinjët e saj dhe veçanërisht Kosovën dhe për pasojë të diktojë politikat dhe të kthejë rrotën e historisë —edhe një herë— në dobi të saj. Për avantazhet përkatës klasa jonë politike e Prishtinës nuk është plotësisht në dijeni ndërsa e Tiranës ka vite që fle gjumë bashkë me të ashtuquajturit “akademikë”!         

Kështu, ndërsa kapitali amerikan konkurron me kapitalin e BE-së për vepra të mëdha infrastrukturore dhe ku fitimet janë të mëdha, qoftë edhe duke diktuar “ofertuesin”, qeveritë tona kanë lejuar veprimtarinë ekonomike amerikane për një arsye të thjeshtë: për të siguruar mbështetje politike afatgjatë nga qeveria amerikane. Domethënë, për arsye ‘pragmatiste’. Qeveria “Rama” e ka nxitur më shumë veprimtarinë ekonomike amerikane që kur filloi të merrte udhë reforma në drejtësi. Për të njëjtën arsye Dhoma Amerikane e Tregëtisë pret zgjerimin e veprimtarisë së saj. Thënë ndryshe, reforma në drejtësi dhe zgjerimi ekonomik amerikan shoqërojnë njëra-tjerën.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA