...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kandidimi i minatorit shërben si shkëndijë për gjithë punëtorët dhe meriton mbështetje

Përpjekja në fjalë mund të shërbejë si një shkëndijë për punëtorët e tjerë që të fitojnë besim, të vetë-organizohen dhe të kërkojnë më shumë të drejta

Ylli Përmeti

26/03/2021 - 10:41

Kandimi për deputet i Elton Debreshit, në qarkun e Dibrës, minatorit që është pushuar nga puna sepse guxoi dhe krijoi një sindikatë për të drejtat e punëtorëve, meqë sindikatat e tjera janë korruptuar prej vitesh nga klasa politike, duke filluar me Berishën dhe duke vazhduar me Ramën, dhe mbështetja e tij nga OP-ja dhe mijëra njerëz të tjerë, mund të çojë në zgjim të punëtorëve dhe të shtrojë rrugën për sfida të tjera. Duhet thënë se sindikata përkatëse synon shumë pak—një të drejtë që duhet ta mbulonte shteti jo vetëm për minatorët dhe punëtorët e tjerë në sektorë të tjerë të ekonomisë me kushte të ngjashme apo thuajse të ngjashme por për të gjithë punëtorët përmes shëndetësisë falas.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, janë afro 14, 600 persona që trajtohen me pension të nëntokës dhe afro 12, 200 punonjës, kontribues në skemën e pensioneve nga nëntoka. Por shumica e tyre nuk marrin ndihmën jetike dhe një pjesë, edhe pse kanë sakrifikuar dhe kanë dalë prej nëntokës me sëmundje kronike, u duhet të paguajnë nga xhepi për mjekimet. Kësaj përpjekje i parapriu një përpjekje tjetër për mbledhjen e firmave dhe përgatitjen e një peticioni për ta çuar në parlament dhe ky me radhë, ta miratojë.

Më konkretisht, “peticioni kërkon miratimin e statusit për të garantuar sigurimin e jetës për minatorët dhe garantimin e dëmshpërblimit të familjarëve me 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendim e punës. Sipas draftit, familjarët e viktimave duhet të marrin një pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi universitare për fëmijët. Në draft-propozimin e sindikatës, dëmshpërblim kërkohet edhe në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë apo aksidente më të lehta.

Çështja e dytë lidhet me pagën e një minatori, që sipas propozimit nuk duhet të jetë më e ulët se 235% e pagës minimale zyrtare. Me pagën aktuale minimale, minatorët kërkojnë rreth 61 mijë lekë pagesë bazë, ndërsa kërkohet edhe pagesë për vështirësi në punë si dhe përfitimi i pagës së 13-të. Kërkohet rritja e pensioneve për punonjësit e nëntokës në 35 mijë lekë.  Kërkohet, gjithashtu, ndryshimi i moshës së daljes në pension, duke e shkurtuar në 53 vjeç për ata që punojnë 11 vite apo më shumë nën tokë dhe për ata që kanë 10 vite punë, në 55 vjeç. Po ashtu, peticioni trajton garantimin e kujdesit shëndetësor të veçantë, duke përfshirë barna 100% të rimbursueshme”.

Këto të drejta janë shumë pak: sepse punëtorët duhet të synojnë vetadministrimin e sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë me qëllim që të sigurojnë të drejtat e tyre. Këtë objektiv e realizuan pjesërisht punëtorët në socializëm. ‘Pjesërisht’ sepse sektorët përkatës kanë nevojë për njerëz të kualifikuar nga shteti të cilin e qeveriste partia komuniste me planifikimin e njerëzve për nevojat e sektorëve të ekonomisë. Përmes këtij procesi sektorët përkatës diktoheshin nga qendra por paralelisht kishin themeluar një koncept vetadministrimi kur në sektor organizoheshin mbledhjet e punëtorëve ku shqyrtoheshin problemet e sektorit.

Aktualisht vetëm në Kubë punëtorët vetadministrojnë sektorët e rëndësishëm të ekonomisë. Por duhet thënë se koncepti i vetadministrimit ishte i vagët në socializmin marksist: sepse Marksi nuk e qartëson shumë këtë koncept dhe praktikë (Shih, Marxism and self-managment, Radoslav Selucky, Journal of Socialist Theory, 2007) . Kështuqë punëtorët nuk mund të gjejnë zgjidhje tek Marksi dhe “marksitët” e kohëve tona se si vetadministrohet një sektor i ekonomisë nga vetë punëtorët; as do ta gjejnë atë tek punëtorët e Kubës, sepse edhe qeveria kubaneze ‘marksiste’ është.

Ndërsa konceptin dhe praktikën e vetadministrimit e kam qartësuar në librin tim të parë, për të cilin nuk është interesuar asnjë punëtor dhe organizatë politike për ta shqyrtuar, kuptuar dhe synuar, duhet thënë se përpjekja e minatorëve është e dëshirueshme por nuk mund të zgjidhë problemet e tyre: sepse që të miratohen kërkesat e tyre —duke hamendësuar se votëbesohet minatori në fjalë dhe është pjesë e parlamentit të ardhshëm— nevojiten vota në kuvend kur dihet si PS-ja dhe si PD-ja dhe LSI-ja janë parti neoliberale që nuk luftojnë për të drejtat e punëtorëve por për të drejtat e klasës së mesme dhe të lartë prej të cilave votëbesohen. Nuk është e rastit që asnjë nga këto parti —dhe sidomos PS-ja dhe LSI-ja, të cilat vetëquhen të “majta” — nuk e përmendin klasën punëtore.

Përpjekja në fjalë, rrjedhimisht, mund të shërbejë si një shkëndijë për punëtorët e tjerë që të fitojnë besim, të vetë-organizohen dhe të kërkojnë më shumë të drejta. Për këtë arsye, përpjekja meriton të mbeshtetet pavarësisht se dihet paraprakisht se me partitë aktuale në pushtet nuk ka asnjë mundësi për t`u realizuar. Përjashto mundësinë e ‘përmallimit’ të shumicës parlamentare me punëtorët. Por edhe nëse ekziston ndonjë grimcë “përmallimi” me punëtorët, pasanikët tanë dhe të huaj, do ta shtypin me paratë e tyre: sepse vendi ynë konkurron me koston e ulët të punës —ose shfrytëzimin e punëtorëve— dhe për pasojë do të largonin “investitorët”, tanët dhe të huajt.

Nuk është, në fjalë të tjera, një e drejtë që fitohet lehtë: sepse përballet me politikat neoliberale dhe mbështetësit e saj, ku bënë pjesë klasa e mesme e lartë dhe të huajt, të cilët fitojnë nga krahu i lirë i punëtorëve tanë bashkë me “partnerët” e tyre në qeveri dhe sektorët e ekonomisë.                  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA