...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kontributi i papërfillshëm i turizmit në ekonomi dhe (breg)deti si burim infeksionesh

Në vijim do të shqyrtoj dy çështje për të cilat nuk flet as qeveria “Rama” as të ashtuquajturit “analistë” të establishmentit oligarkik dhe as dhe populli: njëra që lidhet me të rritjen ekonomike që propagandon qeveria “Rama”...

Ylli Përmeti

30/05/2020 - 17:15

Në vijim do të shqyrtoj dy çështje për të cilat nuk flet as qeveria “Rama” as të ashtuquajturit “analistë” të establishmentit oligarkik dhe as dhe populli: njëra që lidhet me rritjen ekonomike që propagandon qeveria “Rama”, për të cilën e paralajmërova tre vjet më parë, se turizmi...“elitar”, i cili do të përbënte shtyllën kryesore ekonomike për zhvillimin e vendit pas të cilit rendën plotë dritëshkurtër, ishte i pambrojtur ndaj dinamikave me karakter botëror (gjeopolitikave dhe pandemive), dhe tjetra lidhet me gjendjen e deteve tanë.

Kryefiaskua e qeverisë “Rama” me “turizmin elitar” dhe si mund të krijojmë turizëm të qendrueshëm

Gjatë vitit 2018 turizmi kontriboi me rreth 2.8 % të PPB-së (Prodhimi i Përgjithshëm Bruto) ose rreth 45 miliardë lekë (Instat). Në vitin 2014 turizmi kontribuonte rreth 5.9 për qind të PPB-së­—fakt që tregon se vërtet është dyfishuar numri i turistëve, siç argumenton qeveria “Rama”, por ata shpenzojnë më pak. Qeveria “Rama” këto shifra i dyfishon dhe trefishon në parashikimet e veta: se ai kontribuon 8.4% apo dhe 9%![1]Në fakt, turizmi...ndërkombëtar, siç e quante qeveria kur mori pushtetin, kontribuonte 16.1 për qind të PPB-së në vitin 2011 dhe qendronte pas tregëtisë. Për pasojë, qeveria “Rama” e kishte në shtyllat kryesore të ekonomisë në strategjinë se saj 2013-2020.[2]Qartësisht, turizmi “elitar” i Ramës në terma ekonomikë ka dështuar, jo sepse solli më pak turistë por sepse turistët u varfëruan dhe filluan të shpenzonin më pak­­—që është një ndër shkaqet kryesore se pse turizmi është në krizë.

Gjendja e bregdetit ndërkohë nuk është përmirësuar. Përkundrazi, është përkeqësuar. Dihet se ne trashëguam një bregdet të pastër nga socializmi marksist të cilin e mallkojnë demagogët e establishmentit pas të cilëve shkojnë plotë idiotë, për shkak se bregdeti ynë dhe hiret e tjera të hapësirës sonë gjeografike, nuk u panë si burim ekonomik. Mirëpo, me ndryshimin e sistemit, ndryshoi dhe administrimi i burimeve ekonomike dhe shoqërisë. Turizmi filloi të konsiderohësh si burim ekonomik i rëndësishëm dhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore e të tjerë, prej të cilëve qeveritë tona mësojnë, por dhe marrin borxhe për të zhvilluar ekonominë, e këshillonin dhe vazhdojnë ta këshillojnë si bazë ekonomike. Por në këtë proces, luajti rol dhe mendësia e krijuar mes shqiptarësh: se mjaftonte të ngrinin hotele dhe shërbime të tjera të lidhura me turizmin dhe të punësonin disa qindra punëtorë dhe ata do të bëheshin pronarë dhe të pasur ndërsa të huajt do të kënaqeshin duke shpenzuar kursimet e tyre të bollshme. Por në kushte të reja ekologjike: të zhytur në ndotje dhe shkatërrime.

Kështu, për shembull, një studim i realizuar nga një ekip mjekësh në Durrës, gjatë periudhës 2006-2010, dhe nga të vetmit meqë mjekët tanë vetëm studime nuk realizojnë, zbuluan se infeksionet dhe epidemitë (si erisipela, e cila shkaktohet nga streptokoku dhe ndonjë herë dhe nga stafilokoku) në Durrës lulëzojnë.[3]Bakteret, në fjalë të tjera, lulëzojnë në det ku njerëzit notojnë dhe freskohen gjatë verës! Mirëpo, nuk mjaftoi ky studim për të organizuar ujërat e zeza. Përkundrazi, ai është “heshtur” nga autoritetet dhe nuk përmendet asgjëkundi. Pse? Sepse dëmtohet industria e turizmit! Kjo e fundit nuk ngurroi të kërkonte dhe lejimin e turizmit pas epidemisë së Koronës-19 duke aktivizuar mjekët e establishmentit për të na bindur se virusi i ri nuk transmetohet përmes ujit të detit: Pipero, për shembull, një ndër infeksionistët protagonistë përgjatë pandemisë, kështu argumentoi në “Open”—një ndër programet e çensurës vendore! Të njëjtin qendrim kanë patur dhe infeksionistë të tjerë përveç—në dijeninë time— Kalos.

Kështu, ndërsa bakteret e sapo përmendur infektojnë njerëzit, virusi i ri (viruset nga bakteret ndryshojnë në virulencë: viruset janë më të fuqishëm dhe më infektues) —që karakterizohet me virulencë të lartë për mos të thënë nga më të lartat— nuk të infekton, sipas mjekëve! Këta nuk mundohen as të na bindin me ndonjë provë përpara se të thonë se “s`ka asnjë studim që të tregojë se virusi i ri transmetohet përmes ujit të detit”. Për shembull, të mbushin një vaskë me ujë deti, ta infektojnë, të zhyten vetë në të dhe të na thonë rezultatet. Por është e qartë se nxitohen ca si pasojë e padijes dhe ca si pasojë e trysnisë që ushtron qeveria...për të “hapur” turizmin.

Një çështjet tjetër që lidhet me turizmin dhe shëndetin e popullit, është gjendja e ranishteve tona: ato bombardohen përditë dhe përnatë me infeksione ose me baktere dhe viruse që shkaktojnë infeksione dhe thuajse asnjëri nuk flet! Domethënë, rëra ku shtrihet populli, ku supozohet se do të fitojë shëndet, infektohet si nga njerëzit kur hedhin mbejte dhe sekrecione (pështyjnë dhe urinojnë mbi të) ashtu dhe nga kafshët kur jashtëqisin, urinojnë dhe flenë mbi të. Një arsye se pse disa hotele e përmbysin rërën në prag të verës, është pikërisht zhytja e baktereve dhe viruseve thellë në tokë. Por është e qartë se kjo praktikë nuk e ndalon marshin e baktereve dhe viruseve sidomos kur dihet se njërëzit dhe veçanërisht fëmijët e trazojnë rërën ca për lojë e ca për t`u “pjekur” në të. Se çfarë i eliminon bakteret dhe viruset nga rëra, është uji i detit. Kjo është arsyeja pse themi se rëra që laget nga uji i detit është më e pastër (por jo detyrimisht e pastër përsa kohë që edhe uji është i ndotur) dhe për të njëjtën arsye këshillohet të shtrihen mbi rërën e lagur dhe jo mbi rërën që as laget dhe as përpunohet për t`u dezinfektuar.   



[1]Strategjia kombëtare për zhvillimin e qendrueshëm të turizmit 2018-2020 (Draft), Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Janar 2018.

[2]Strategjia e zhvillimit të biznesit dhe investimeve, f, 11, Prill 2013.

[3]Durrës. Erisipela, zbardhen të dhënat e epidemisë në vitet 2006-2010, DurrësLajm, 21/09/2015.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA