...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Kulaçi” i helmatisur grek dhe fati i detit Jon

Pala greke përdori “kulaçin” e integrimit të vendit tonë si presion ndaj palës sonë

Ylli Përmeti

22/10/2020 - 09:31

Ditën kur erdhi ministri i jashtëm grek Dendias në Tiranë për përparimin e çështjes së detit Jon ku palët deklaruan se çështja do të shkonte në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, gazeta “Kathimerini” zbuloi se ishte qeveria greke që e dëshironte këtë lloj zgjidhje me qëllim që të anashkalohësh pengesa e mungesës së gjykatës kushtetuese në vendin tonë - mungesën e të cilës pala jonë e përdorte si justifikim për mospërparimin e çështjes. Nuk është e rastit që e njëjta gazetë kishte rezerva se mos pala jonë nuk do të pajtohësh me dëshirën greke. Kështuqë nuk është dëshirë e Ramës siç ai ka deklaruar por dëshirë e pales greke. 

Gazeta “Protothema” zbuloi një ditë më pas se pala greke përdori “kulaçin” e integrimit të vendit tonë si presion ndaj palës sonë: “me presionin e “kulaçit” të rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE, ku në Tiranë e presin si të “mirë nga zoti” për t`u hapur “qesja” e fondeve evropiane dhe për arsye të gjendjes politike në vendin fqinj e cila shkon në zgjedhje në 25 prill 2021, diplomacia greke arriti të realizojë marrëveshje me qeverinë e Edi Ramës për hartimin e marrëveshjes me qëllim që ta çojnë çështjen e zonave detare në Hagë”.

Fakti që dëshira për të shkuar në Hagë është e palës greke dhe fakti që pala greke përdori presionin e integrimit në BE tregon se ajo beson se do të marrë zonën që dëshiron në Jon përmes Hagës. Nëse ajo e realizon qëllimin e saj, ne humbasim hapësirë detare për t`u integruar në BE! Në këtë kontekst mund të ngrihet pyetja se sa do të jenë fitimet nga BE-ja dhe sa humbjet nga deti Jon kur dihet se Greqia do të bllokojë bregdetin nga Saranda deri në Dhërmi jo për një ditë apo për një vit por për gjithnjë! Dhe nëse i shtojmë efektet e tjerë që pëson vendi ynë si pasojë e integrimit në fjalë—zgjerim i mëtjeshëm i kapitalit grek në Shqipëri dhe jo vetëm i atij dhe tkurrje e kapitalit shqiptar— është e qartë se shqiptarët nuk i kanë bërë mirë llogaritë kur kërkojnë të integrohen duke shkëmbyer territore dhe sovranitetin e vendit.

Kujtoj se përpara se të shkohet në Hagë palët do të hartojnë marrëveshjen. Gjatë kësaj faze pala greke do të përpiqet —dhe me siguri do ta realizojë— të zbusë mosmarrëveshjet. Dhe fakti që marrëveshja nuk do të publikohet përpara se të shkojë në Hagë, për arsye —siç thotë Rama “konfidencialiteti”— hollësitë do të fshihen nga syri i popullit. Kujtoj, gjithashtu, se pala jonë mund ta shfrytëzojë në dobi të vendit tonë gjykatën përkatëse vetëm nëse përdor precedentët e Gjykatës përkatëse. Deri tani nuk kam dëgjuar nga Rama dhe “ekspertët” e tij apo “eskpertët” e opozitës që mbushin televizionet, të tregojnë precedentët përkatës me qëllim që t`ia imponojnë qeverisë për t`i përdorur në hartimin e marrëveshjes. Dhe kujtoj, në fund, se gjykata përkatëse është korruptuar në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë

Në këto kushte, le të shpresojmë se qeveria “Rama” humbet zgjedhjet dhe vendi qeveriset nga njerëz me dije juridike, politike dhe gjeopolitike.     

Lexo, për më shumë, këtu:

Papërgjegjshmëria kriminale e klasës politike, akademike dhe gazetareske lidhur me detin Jon         

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA