...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kuptimi i (vend)emrit “Përmet” (dhe Butrint), arsyet pse ndryshova mbiemrin dhe kriza jonë identitare

Populli ynë gjendet në një krizë njëjtësuese (ose lat. “identitare”), e cila mund të zgjidhet ose me ligj ose me edukim ose me të dyja por vetëm nga një qeveri atdhetare

Ylli Përmeti

12/11/2024 - 07:39

Historiani përmetar Stilian Adhami nuk na sjell ndonjë kuptim lidhur me emrin “Përmet”, përveç hamendësimit se ndoshta në lashtësi ose në kohën e Piros ai mund të quhej Parauena, Parorea, Perevia etj. Por qarkullon një qasje tjetër se treva njihej me emrin Trifilia dhe se qarkullon një legjendë, sipas së cilës, qyteti e ka marrë emrin nga heroi i kohëve të lashta i quajtur “Premt” i cili për të mos rënë në duart e armiqve u hodh nga Guri Qytetit.

Kjo “legjenda” ka grimca të vërtetash, sepse grekët e quajnë “Πρεμετή”―Përmetin! Domethënë, me parafjalën “pre” dhe jo me “për”. Me parafjalën “pre” shqipja ka plotë fjalë me më kryesoren ditën e pestë të javës: “e premte”. Për këtë të fundit thuhet se vjen nga fjalët “e prende” ose “e prente” dhe nga emri “Prenda”, një perëndeshë pagane mbrojtëse e grave, nga gjuhët proto-indo-evropiane “pray” ose “prey”, “të pëlqesh” ose “dashurosh” ndërsa në trevat veriore të Shqipërisë përdoret varianti “prenaj”.

Fjala “e premte” me siguri duhet të jetë krijuar në kohën kur u krijuan shtatë ditët e javës. Këto të fundit janë krijuar si fillim nga sumerët, sipas kalendarit të tyre, që daton në shekullin 21 para erës sonë ose 2 mijë e njëqind vite p.e.s. ose gati 4 mijë e 124 vite më parë, dhe më pas nga babilonët (në Irakun e sotëm) dhe në fund hebraikët ndoqën ndarjet e tyre, duke kulmuar me shpalljen e perandorit Konstadin, në vitin 321 të erës sonë, sipas kalendarit romak.

Njësoj si në rastin e vendemrit Butrint, për të cilin grekët përdorin fjalën “Vuthrotos”, ashtu dhe në rastin e vendemrit Përmet, na ndihmon greqishtja të kuptojmë kuptimin e këtyre vendemrave dhe jo latinishtja. Butrinti, na thonë disa historianë, shqiptarë dhe grekë, është qytet grek! Por kur e lidhin me gjetjet e vjetra të Butrintit thonë se i ka fillesat që në shekullin 12 p.e.s! Thonë, gjithashtu, se kishte lidhje të ngushta me Korintin që në shekullin 7 p.e.s.

Por dimë se gjatë këtyre shekujve grekët ose jonianët e Atikës (dhe Athina) nuk kishin lulëzuar. Dimë, gjithashtu, se fjala “Βούθρωτος” në greqisht s`ka asnjë kuptim. Madje greqishtja e sotme nuk ka asnjë fjalë me parashtesën “vuth”. Dimë, në fund, se fjala latine “Buthrotum” s`ka asnjë kuptim. Më e dhimbshmja është se kuptim s`i japin as historianët tanë! Ceka, për shembull, i cili përdor herë fjalën latine Buthrotum dhe herë variantin e shqipëruar nga latinishtja, Butrint.

Por fjala “Butrint”, parashtesën e të cilës e ka ruajtur fjala e greqishtes, vjen nga fjala ilire “Βούθ”, të cilën fjalori ynë e sqaron si vijon: “vuth,-i emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -e(t) fushë e vogël, shesh, fushore”. Nëse gjykojmë nga karakteri i tokës ku është ngritur qyteti i Butrintit ―fushë e vogël ose në vuth― kuptojmë se pse quhet ashtu. Gjykuar nga kuptimi i fjalës sonë, karakteri i tokës së Butrintit, dhe shkëlqimi i tij, ai duhet të quhet “Vuthdrita”. Kemi dhe plotë fjalë të tjera që ngjajnë me të; p.sh., “vathë”.

Tani po u kthehem arsyeve se pse unë ndryshova mbiemërin tim; dhe ato janë dy: njëra lidhet me kuptimin tim se s`kam asnjë lidhje me popujt e Arabisë Saudite dhe pjellës së tyre të mëvonshme ―perandorisë otomane ose Turqinë e sotme― dhe tjetri, me qëllimet gjeopolitike të fiqnjëve tanë, në këtë rast të Turqisë dhe Greqisë. Si njëri vend ashtu dhe tjetri përdorin mbiemrat e shqiptarëve për arsye gjeopolitike―domethënë, për të treguar se Shqipëria ka popull “turk” apo “grek”, meqënse ka plotë emra dhe mbiemra që lidhen me gjuhët e tyre.

Në fund, kujtoj, se unë kam lindur në fshatin Katundishtë të Përmetit; fshati përkatës është i vetmi në trevën e Përmetit, bashkë me Malshovën, një fshat tjetër pas malit Dhëmbel, që ka një kala ilire. Si pasojë, lidhja e fshatit tim me vendbanimet ilire është e qartë dhe nuk është e vështirë për të kuptuar se ai fshat s`ka lidhje biologjike apo historike me arabët por ka lidhje me ilirët.

Mbiemri i fisit tim ―Muhaj, që buron nga emri Muhamet por i shqipëruar― është vendosur në fillim të shekullit 20 nga hoxha i fshatit, kur Shqipëria lëngonte nën thundrën e perandorisë otomane dhe kur fisi im kishte fituar famë falë një dervishi që bënte “mrekullira”. Ai kishte jetuar gjatë shekullit të 19 dhe gjyshi im më ka rrëfyer disa “bëma” nga ai. Për shembull, se ai “ndizte zjarrin në majë të gurit”, apo se kishte aftësi të ndiqte ujkun nga kopeja e tij thjesht duke i thënë atij nga larg “jo në kopenë time”. Sipas gjyshit tim, ai jetoi 127 vjeç.

Megjithatë, është e veshtirë t`i verifikoj mëtimet e gjyshit tim. Në varrin e tij sot falen shumë besimatarë dhe luten për shëndet e paqe. Më parë, i njëjti fis përdorte mbiemër tjetër; prapë arab: Hadaj. Fjala ka dy kuptime në arabisht; me njërin kuptohet bima ‘mersine’ ndërsa me tjetrin ‘shpirti fisnik’, i cili buron prapë nga veçoritë e bimës përkatëse.

Unë jam i vetmi në fis që kam ndryshuar mbiemrin; kur e ndryshova asnjëri s`më pyeti se pse e ndryshova por hamendësonin dhe vazhdojnë të hamendësojnë―domethënë, t`ia fusin kot siç ia kanë futur gjithë jetën me zgjedhjet e të tjerëve, pavarësisht faktit se unë në vitin 2004 kam botuar një kritikë të ashpër ndaj prirjeve të shqiptarëve për të vendosur emra të huaj te fëmijët, se për të ndryshuar emrat apo mbiemerat e tyre, të huaj, as që bëhet fjalë! Madje, është bërë e “modës” që të sajojnë dhe emra nga shkronjat e emrave të tyre.

Unë i quaj përçudnime “krijesat” e tyre. Por si rasti kur vendosin emra të huaj ashtu dhe kur vendosin emra përçudnues, burojnë nga keqarsimimi dhe mungesa e dashurisë për gjuhën dhe historinë e tyre. Si pasojë, populli ynë gjendet në një krizë njëjtësuese (ose lat. “identitare”). Ajo mund të zgjidhet ose me ligj ose me edukim ose me të dyja por vetëm nga një qeveri atdhetare. 

Njeriu që s`e sheh veten me sytë e tjerëve dhe që nuk ka dije për të kaluarën e popullit të tij, të cilit i përket, gjithnjë do të jetë torovel dhe do të përdoret nga të tjerët si i tillë…      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA