Kurti vuan nga dogmatizmi dhe mungesa e virtytit të ndershmërisë
Duke ditur prirjet serbe por dhe efektin që do të kishte vendimi` tij lidhur me dinarin, një udhëheqës i matur dhe largpamës, që e ka parësore çështjen e edukimit të popullit dhe mosshkaktimin e përplasjeve shoqërore dhe ndërshtetërore, nuk do të vepronte si Kurti me dinarin
Ylli Përmeti
17/02/2024 - 08:43
Nuk pajtohem me “analistët” që citon REL-i lidhur me pretendimin se Kurti është “populist” dhe me vendimet e tij kundër pakicës serbe synon rritjen e mbështetjes brenda vendit pa menduar ndikimin që kanë ato në marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në.
Kurti e ka vërtetuar prej kohësh se është dogmatik. Ky është një koncept filozofik që “analistët” e REL-it vështirë ta kuptojnë. Një njeri dogmatik është ai që u shmanget ose s`i pranon besimet dhe idetë e të tjerëve; ai e ka të vështirë të kuptojë ide të reja dhe nuk mund të pranojë ide të arsyetuara dhe nuk bashkëpunon me të tjerë në ide të tjera.
Fjala “dogmatizëm” vjen nga greqishtja e vjetër, “δογμα”, e cila si kuptim kryesor ka “parimet themelore të një sistemi filozofik” dhe është krijuar nga folja “δοκώ”, e cila besohet se kishte disa kuptime në fillimet e saj, si “pranoj”, “bëj dikë të pranojë, ose mësojë”, por kuptimi` saj kryesor lidhet me foljet “mendoj” dhe “besoj”.
Fjalori ynë e sqaron si vijon fjalën “dogmë”: “tezë themelore e një feje që duhet pranuar e duhet zbatuar pa e gjykuar; pikëpamje, koncept, doktrinë etj., që merret si një e vërtetë e pakundërshtueshme, e pandryshueshme historikisht dhe e shkëputur nga rrethanat konkrete”. Fjalori` Oksfordit e përshkruan si “prirje për të përcaktuar parimet si të vërteta të pamohueshme, pa marrë parasysh provat ose opinionet e të tjerëve”. Aristoteli quan “dogmatik” njerëzit që bazohen në pak vrojtime ndërsa studimet nuk ndryshojnë shumë.
Në rastin e Kurtit, ai ka kuptuar se Kosova është “sovrane” (ose e pavarur) por nuk ka kuptuar se “sovraniteti” i saj është i paplotë dhe do të jetë i tillë përsa kohë që ai, klasa politike në Kosovë dhe populli` Kosovës, nuk synon pavarësinë ekonomike por synon të kundërtën: varësinë ekonomike.
Kjo është arsyeja se pse “sovraniteti” i Kosovës dhe jo vetëm i saj, por i çdo vendi që integrohet në globalizmin neoliberal, i cili tashmë është në grahmat e fundit, ndahet me shtetet e tjerë, kryesisht perëndimorë, meqënse ata e kanë mbështetur “rendin” përkatës dekadat e fundit, me në krye SHBA-në.
Në rastin e Kosovës, ajo nuk e ndan “sovranitetin” e saj vetëm sepse kërkon të integrohet në “rendin” përkatës, ku mbizotëron ndërvarësia, por dhe sepse është shtet i ri dhe kurrësesi i pavarur nga këndvështrimi ekonomik dhe ushtarak. Ky fakt e bën atë “josovrane” dhe të detyruar të bashkëpunojë me ata që ajo ndan “sovranitetin” e saj.
Por me Kurtin në krye të saj ajo kurrë s`ka për të bashkëpunuar, sepse siç thashë, ai vuan nga dogmatizmi; madje dhe nga vesi i mashtrimit. Njerëzit mashtrojnë kryesisht sepse nuk janë virtuozë. Një virtyt që qendron përball “mashtrimit” është “sinqeriteti” ose “ndershmëria”.
Mashtrimet e Kurtit pas marrëveshjes së Ohrit dhe poshtërimi historik i popullit shqiptar
Kur një njeri është dogmatik dhe mashtrues, dhe drejton një popull, ai është tejet i rrezikshëm për të, pikërisht sepse dogmatizmi çon në tensione si në rastin e ndalimit të dinarit, sepse ai s`e ka mësuar, për shembull, qasjen e BE-së, se përpara se të ndalosh një veprimtari ekonomike apo shoqërore, duhet të edukohet popullata, sidomos në kushte kur dihet se serbët hedhin “vickla” për asgjë dhe jo më kur “kërcënohet” mbijetesa e tyre (sepse qytetarët serbë kështu e kanë kuptuar vendimin e tij).
Duke ditur prirjet serbe por dhe efektin që do të kishte vendimi` tij lidhur me dinarin, një udhëheqës i matur dhe largpamës, që e ka parësore çështjen e edukimit të popullit dhe mosshkaktimin e përplasjeve shoqërore dhe ndërshtetërore, nuk do të vepronte si Kurti me dinarin (ndalimin e tij pa e shqyrtuar me pakicat përkatëse) por do të niste një fushatë disa mujore për edukimin e tij (për arsyet se pse nevojitet ndalimi` tij, për pasojat dhe për nevojën e zëvendësimit të tij me euro).
Në këtë mënyrë ai do të krijonte kushtet e pranimit të euros nga serbët e Kosovës pa shkaktuar tensione dhe duke ruajtur atë pak “sovranitet” që ka. Por ai s`e ka “idenë” nga edukimi dhe për pasojë vepron mbrapshtë dhe nuk shkakton vetëm tensione me pakicën serbe por prish dhe marrëdhëniet me “garantorët” e sigurisë së Kosovës dhe kërcënon pikërisht “sovranitetin” (atë pak që ka) për të cilin lufton, me sulm ushtarak nga Serbia, e cila e ka për detyrë (të mbeshtetur nga e drejta ndërkombëtare), siç e ka Shqipëria, të mbrojë pakicat e saj kudo ku janë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 95 reads