...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lajthitja e Ramës dhe e ministrisë së jashtme ruse

Ne jemi mësuar me lajthitjet e qeverisë sonë por nuk jemi mësuar me lajthitjet e qeverisë “Putin”: sepse ministria e jashtme ruse reagoi pas dy ditësh dhe pas kërkesës (jo të re) të Haradinajt për mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Ylli Përmeti

25/01/2021 - 18:17

Dëbimi i diplomatit rus nga qeveria “Rama” ishte pa dyshim lajthitje nëse gjykojmë nga arsyetimi që përdori ministria jonë: se ai shkeli masat anti-kovid pavarësisht se ministria jonë e mbrojti vendimin e saj duke thënë se e kishte paralajmëruar disa herë. Ne jemi mësuar me lajthitjet e qeverisë sonë por nuk jemi mësuar me lajthitjet e qeverisë “Putin”: sepse ministria e jashtme ruse reagoi pas dy ditësh dhe pas kërkesës (jo të re) të Haradinajt për mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kërkesa e Haradinajt vjen në kohën kur si Skocia ashtu dhe Irlanda kërkojnë referendume për pavarësi nga Britania.

Problemi, rrjedhimisht, nuk është lajthitja e qeverisë sonë por lajthitja e qeverisë ruse. Ajo e quajti Kosovën “pseudo-shtet të vetëshpallur” dhe kërkesën e Haradinajt “provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit”!

Me një fjali të vetme, ministria ruse shtrembëroi realitetin dhe quajti “provokim” dëshirën dhe të drejtën e një shqiptari për të jetuar —sipas të drejtës ndërkombëtare— me cilin dëshiron ai duke ftuar bashkombasit e tij dhe duke përdorur një veprim demokratik: referendumin.

Shtrembëroi, gjithashtu, natyrën e “shtetit” të Kosovës: e quajti “pseudo-shtet” pa na treguar se cili është shtet i vërtetë! Ndoshta nënkuptonte “shtetin” e Serbisë apo të Rusisë. Por sërish, duhet të na tregonte se pse ata janë vërtet “shtete” dhe Kosova nuk është “shtet”. Por edhe sikur të na e tregonte se Kosova nuk është “shtet”, duke e krahasuar, për shembull, me veten, nuk është në detyrën e një shteti tjetër —dhe veçanërisht të një shteti që pretendon se mbron të drejtë ndërkombëtare ose drejtësinë e popujve më shumë se “rivalët” e tij— të mbrojë drejtësinë e popullit shqiptar të Kosovës dhe pse jo ta ndihmojë që të mëkëmbet dhe të bëhet shtet? Sigurisht që është detyra e tij qoftë edhe nëse e shikojmë nga një qasje pedagogjike: sepse çdo mësues synon të mësojë nxënësit e tij të arsyetojnë drejtë dhe të luftojnë për të vërtetat e tyre në jetë. 

Qendrimi i ministrisë përkatëse —të cilin shpresoj ta ketë gjykuar Lavrovi, ministri i jashtëm rus, por dhe Putini, e quan shtetin e Kosovës dhe të “vetëshpallur” duke nënkuptuar se atë duhet ta shpallnin të tjerët “shtet” dhe jo vetja! Kjo është, gjithashtu, një qasje sa e padrejtë po aq dhe jopedagogjike: sepse është më e dëshirueshme që popujt të luftojnë vetë për shtetin e tyre dhe jo t`i diktojnë të tjerët. Në rastin e shqiptarëve të Kosovës, ata luftuan vetë, me ndihmën e shqiptarëve të Shqipërisë (pasi e shkatërroi Berisha arsenalin ushtarak në `97 dhe trimëroi Milosheviçin që të sulmonte!) dhe të NATO-s. Por ishte lufta guerrile dhe sakrifica e popullit shqiptar që vendosi fatin e Kosovës dhe jo NATO-ja. Kjo e fundit thjesht shkurtoi kohën dhe dëmet e luftës: sepse edhe sikur ajo të mos ndihmonte, shqiptarët luftën do ta vazhdonin dhe me siguri do ta fitonin: sepse luftonin për lirinë e tyre.

Qendrimi i ministrisë ruse shtrembëron, gjithashtu, faktin se është e drejtë e çdo populli të vetvendosë. Kjo e drejtë është themeluar në të drejtën ndërkombëtare dhe është përdorur —me të drejtë— nga vetë Rusia për Krimenë. Kështuqë nuk është çështje “ideologjike”, kërkesa e Haradinajt apo e çdo shqiptari tjetër, siç e paraqet Rusia. Por është çështje drejtësie të cilën vetë Rusia e përdor —me të drejtë— për të drejtat e saj. Duke e përdor për vete por duke mos e përdorur për popullin shqiptar apo çdo popull tjetër, çfarë tregon Rusia? Hipokrizi! Drejtësia nuk është çështje mllefi apo “kundërsulmi” meqë lajthiti Rama, por çështje drejtësie të cilës ose i përmbahesh ose nuk e përmbahesh. Ata që nuk i përmbahen drejtësisë dihet se si quhen: të padrejtë dhe rrjedhimisht janë të padëshirueshëm.

Por njeriu (apo shteti) i drejtë, duhet të tolerojë edhe këto lajthitje meqënse dihet se ministritë e shteteve drejtohen nga individë që vetëm të drejtë nuk janë.

Dhe në fund, qendrimi i ministrisë ruse thotë se bashkimi i shqiptarëve kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit duke nënkuptuar Serbinë dhe ndoshta ndonjë shtet tjetër. Edhe në këtë rast ajo shtrembëron jo vetëm realitetin (...) por “harron” se njësoj mund të thuhet për referendumin e Krimesë: se ai kërcënonte —siç argumentuan shumë në atë kohë— integritetin e Ukrainës! Por ja që nuk kërcënoi dhe Krimeja zhvilloi referendum në kohë tensioni por dhe në një lloj “diktati” nga Moska meqë ushtria ruse (dhe jo vetëm) ishte e pranishme në të, dhe gjendja atje u “paqëtua”.

Ndryshe nga koha dhe tensioni që ekzistonte në referendumin e Krimesë, Kosova dhe Shqipëria nuk është në tension me asnjë fqinj. Në fakt, tensionin e krijon vetë Serbia, për arsyet që dihen. Kështuqë edhe nëse zhvillohet referendum —të cilin e mbështes— ai zhvillohet në kohë me “tensione artificiale” dhe në përputhje me praktikat demokratike dhe me të drejtën ndërkombëtare.

Qendrimi rus, shkurt, është zhvendosur nga përmendja e Rezolutës për Kosovën, “1244: 1999”, dhe përmbajtjes së saj, në qendrime reaksionare që vetëm Rusisë “revolucionare” nuk i shkojnë për shtat.

Reagimi i disa qindra shqiptarëve në faqen e ambasadës ruse në Tiranë ndërkohë ishte kryesisht emocional dhe shpesh fyes! Por le shpresojmë se do të mësojnë të përdorin argumentin dhe arsyetimin e drejtë dhe jo emocionet, sepse njerëzit e ‘rritur’ vetëm emotivë nuk mund të jenë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA