“Lëvizja Bashkë” dhe disa vërejtje
Sfida e parë e saj është të hartojë një plan-projekt të përputhshëm me realitetin në të cilin jetojmë ndërsa sfida e dytë është të fitojë besimin e popullit
Ylli Përmeti
21/12/2022 - 12:47
Me siguri krijimi i “Lëvizjes Bashkë” nga Organizata Politike (OP) gëzoi shumë njerëz. Por ajo ka hidhëruar, gjithashtu, sidomos ata që gjenden në pushtet dhe përgjithësisht klasën politike. Unë përfshihem në kategorinë e parë, sepse jam bashkëthemelues i OP-së, kam kontribuar në të dhe prisja që ajo të kalonte në fazën aktuale: në një lëvizje politike ose qytetare e cila të pretendojë qeverisjen e vendit.
Ndërsa hopi i saj në fazën e përmendur është cilësor dhe shpresëkrijues unë kam qenë kritik sa i përket disa qendrimeve dhe veprimeve të saj në të kaluarën: së pari, sepse nuk ka balancuar studimet me veprimet. Ajo është përqendruar kryesisht në veprime dhe për pasojë qendrimet e saj kanë qenë shpesh të papërputhshme me realitetin. Në të kaluarën ajo mund të shfrytëzonte studimet që ka realizuar www.shqipërajonë.org.
Por ajo ka zgjedhur të shfrytëzojë “mendimtarë” si Zizeku e të tjerë të ngjashëm me të pavarësisht se ne si qendër studimore dhe unë presonalisht tregoj se “mendimtarët” në fjalë shtrembërojnë realitetin ose nuk tregojnë realitetin e plotë të shoqërive. Ne si qendër studimore dhe mediatike jemi përqendruar në tre fusha kryesore: në gjeopolitikë ose marrëdhënie ndërkombëtare; në çështje kombëtare; dhe çështje shoqërore, me vëmendje të veçantë te punëtorët.
Nuk ka qendër të ngjashme në Shqipëri që të tregojë realitetin e plotë të vendit tonë por më kryesorja, të tregojë shkaqet e tij. Këtë kontribut të vyer OP-ja nuk e ka shfrytëzuar, sepse ka zgjedhur të shfrytëzojë “mendimtarët” e tipit Zizek. Tani ajo është në një fazë “kritike”: të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme kur përballë ka një klasë politike jo vetëm të korruptuar fund e krye por dhe shumë të pasur.
Sfida e parë e saj, rrjedhimisht, është të hartojë një plan-projekt të përputhshëm me realitetin në të cilin jetojmë ndërsa sfida e dytë është të fitojë besimin e popullit, së pari të popullit që qendron në hije ose nuk merr pjesë në jetën politike të vendit tonë dhe së dyti të atij që rend pas partive kryesore: sepse është një përqindje e madhe në “gjirin” e partive në fjalë që është e zhgënjyer.
Por pa plan-projekt të përputhshëm me realitetin dhe me parimet shkencore të lëvizjes (me të cilët kuptoj domosdoshmërinë e prodhimit të studimeve dhe shqyrtimin dhe kundrimin e tyre nga anëtarët dhe më pas mbajtjen e qendrime politike) ajo do të dështojë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 114 reads