Lufta e Ramës me Greqinë dhe gjeostrategjia e Athinës për kontrollin e Egjeut, Jonit dhe Adriatikut
Në rastin e Himarës dhe arrestimit të Belerit, ka tre fajtorë: klasa jonë politike; klasa politike greke dhe sigurisht tipa si Beleri që për të drejtat e tyre kërkojnë mbështetjen e elitave të huaja, në vend të luftojë me bashkëkomunitarët dhe pse jo bashkë me qytetarët e Shqipërisë...
Ylli Përmeti
16/05/2023 - 15:05
Në bazë të kushtetutës sonë (neni 3, 6, 8, 9) veprimtaria politike e Belerit, Dules dhe e koalicionit “Bashkë Humbasim”, duhet të ndalohet sepse ka synime gjeostrategjike, të shprehura publikisht si nga klasa politike greke dhe kasnecja e saj në Shqipëri ashtu dhe nga shtypi grek. Neni 9 pika dy e kushtetutës sonë, për shembull, ndalon veprimtarinë politike me “karakter të fshehtë”. Në rastin e veprimtarisë politike të Belerit dhe partisë që ai përfaqëson, PBDNJ, veprimtaria e tij është e zbuluar dhe e fshehtë: ‘e zbuluar’ kur shfaqet publikisht me flamurin e “vorio-epirit” pas të cilit qendron synimi i shkëputjes së jugut të Shqipërisë dhe bashkimit të tij me Greqinë; ‘e fshehtë’ sepse jo të gjitha tregohen në sytë e popullit. Për shembull, blerja e votave është një veprimtari e fshehtë.
Himara është e një rëndësie të lartë gjeostrategjike për Greqinë – Kathimerini
Por ajo është vetëm një grimcë përpara veprimeve që diskutojnë privatisht për të realizuar planin grek që janë bërë publike por nuk diskutohen në sytë e popullit nga media jonë për arsyet që do të tregoj në vijim.
Qeveria “Rama” nuk e ka përdorur kushtetutën tonë kundër veprimtarisë së Belerit; në vend të saj, ka përdorur ndjekjen penale për përpjekjen e tij për të blerë vota. Arsyet se pse Rama nuk përdor kushtetutën për ndalimin e veprimtarisë së tij antishqiptare lidhen ose me padijen e tij dhe parazitëve të tij në qeveri lidhur me kushtetutën (ai e ka treguar shpesh herë që s`ka dije kushtetuese dhe arsyetim juridik) ose me arsye që lidhen me Athinën―domethënë, me faktin se kjo e fundit përdor një fond sekret për korruptimin e elitave në Tiranë dhe Shkup që ta mbyllin gojën kundrejt gjeopolitikës së saj në rajon (kujtoj se fondin sekret e ka pohuar publikisht Koxhiasi, ish-ministri i jashtëm grek, besoj jo pa qëllim, sepse ai me siguri ka patur si qëllim të dijësojë popullin shqiptar meqënse e di se ai ka zanafillë arvanitase) por dhe me faktin se Athina mund të përdorë pushtetin e saj kundër qëllimit të Ramës dhe shumicës së popullit për ta integruar vendin tonë në BE. Për këtë pushtet besoj se Rama është në dijeni. Por kërcënimi i mundshëm i Athinës nuk e pengoi atë të ndiqte penalisht Belerin.
Gjykuar nga këta fakte, nëse Rama e nxjerr jashtë “loje” Belerin me ndonjë vendim gjykate ose me ndonjë vendim të Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar atë nga detyra e fituar me votë pa pritur vendimin e gjykatës, meqënse kështu ka vepruar me kryetarët e bashkisë së Lushnjës dhe Bulqizës, Athina do ta përdorë pushtetin e saj kundër vendit tonë për t`u integruar në BE dhe për të përfituar fonde qoftë edhe në kushtet aktuale, të integruar pjesërisht. Madje ajo mund të përdorë dhe korruptimin e Ramës me parátë e saj ose me fondin e saj sekret; për shembull, duke rrjedhur ndonjë fakt të kontrolluar (me efekt që nuk dëmton Athinën) në median shqiptare apo greke, dhe duke treguar se ai ka shitur interesat kombëtare, për ta rrëzuar nga pushteti.
Nga kjo luftë unë shoh fitimtare Athinën, përjashto rastin që Rama nuk është korruptuar nga fondi sekret i Athinës dhe lufton me ta duke përdorur drejtësinë. Por ai është “korruptuar” lidhur me pronat e të ashtuquajturve ”minoritarë” në bashkinë e Himarës. Nuk janë të pakta protestat e banorëve në Himarë për pronat. Për to, Rama argumentoi në një tubim se zgjidhjen e pronave nuk e do Beleri, sepse, sipas tij, ai nuk fiton dot zgjedhjet nëse zgjidhet çështja e pronave atje. Por ai pranoi, gjithashtu, se “ka plotë që s`i kanë marrë akoma” ato ndërsa shtoi se “një mbrojtje keni ju, nëqoftëse s`doni që pronat të ikin për lesh: mua, partinë socialiste në Tiranë dhe këtë këtu [Goron]”.
Nga protestat e banorëve dhe qendrimi i tij kutpohet se ai është “korruptuar” ― në kuptimin e moszgjidhjes së çështjes së pronave atje për gjithë banorët, sepse argumenti se zgjidhjen e pronave nuk e do Beleri, bind vetëm naivët dhe jo ata që kuptojnë fuqinë e shtetit në raport me një pretendent për kryebashkiak. Ky korruptim mund të përdoret nga Athina me mbrothësi (ajo do të përdorë BE-në për padrejtësitë lidhur me pronat) dhe do të tërheqë drejt vetes më shumë shqiptarë të helenizuar. Ngado që ta kapë Rama luftën që ka hapur tashmë me Athinën, ai e ka të humbur atë: sepse ka përdorur padrejtësi kundrejt popullit përkatës dhe padrejtësitë shfrytëzohen nga armiqtë tanë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye ―se ai e ka të humbur luftën me Athinën― doli një ditë pas zgjedhjeve dhe tha për median se fitoren e Belerit do ta respektojë, duke shtuar “habinë” e tij lidhur me qendrimin e partive “simotra” në Greqi, Siriza dhe Pasoku, të cilat mbështetën qendrimin e Miçotakit. Madje kryetari i Sirizas, Ciprasi, këshilloi shtimin e dozës së trysnisë ndaj Ramës për ta liruar Belerin nga burgu!
Me “habinë” e tij Rama tregoi se s`ka kuptuar asgjë nga nomenklatura e Athinës: se ajo për çështjet gjeopolitike në rajon është e bashkuar dhe s`pyet shumë për “simotra”. Kështu tregoi se ushqente iluzione ndaj “simotrave” të partisë së tij dhe ndoshta për këtë arsye, toni i zërit të tij ishte i mekur dhe deklaroi se do t`i përgjigjesh Athinës pas zgjedhjeve atje.
Një arsye se pse populli i Himarës kërkon mbështetjen e Athinës dhe rrjedhimisht në proces ai detyrohet të vetë-njëjtësohet si “grek” është pikërisht “gara” që zhvillohet mes dy partive kryesore në pushtet, PD-së dhe PS-së, për të kapur “thelat” më të mira të rivierës bregdetare himariote. Një arsye tjetër lidhet me braktisjen e socializmit marksist në vitin 1991, kur shqiptarët lanë vendlindjen dhe shkuan në Greqi për të punuar. Për shkak të nevojës për t`u integruar shpejt në shoqërinë greke, shumë ndryshuan vetë-njëjtësim: nga shqiptarë ata filluan të deklaronin se ishin të kombësisë greke. Paralelisht, procesin e vetë-asimilimit të popullit shqiptar në Greqi shteti shqiptar nuk e ndaloi me monopolin e tij të shtetësisë: lëshimin e pasaportave.
Kështu mbërritëm në ditët e sotme kur tipa si Beleri deklarojnë se ndihen pjesë e kombësisë greke. Beleri, në fakt, Himarën nuk e quan “minoritet”. Por qytetari të përzier ku ka qytetarë që vetë-njëjtësohen si “grekë” dhe të tjerë si “shqiptarë” (ky ishte qendrimi i tij në një emision përpara zgjedhjeve). Për t`iu shmangur ndonjë keqkuptimi, edhe Berisha deklaroi përpara zgjedhjeve se Himara është shqiptare. Qendrimin e tij e pasoi Rama kur deklaroi nga Klani ―pak orë përpara arrestimit të Belerit― se ajo ishte shqiptare.
Por këto qendrime bashkëjetojnë me dinamikën që përmenda më herët: nevojën për t`u vetë-njëjtësuar si “grek” në shoqërinë greke dhe padrejtësitë e qeverive shqiptare lidhur me pronat dhe për pasojë shtytjen e qytetarëve të Himarës të kërkojnë ndihmë nga Athina dhe partia e Dules. Bashkëjetojnë, gjithashtu, me veprimtarinë anti-shqiptare të Belerit: përdorimi i flamurit të “vorio-epirit”; bashkëpunimi i tij me forcat politike si Agimi i Artë etj. Këta të fundit kanë bërë thirrje nga Athina ―pasi janë dhunuar pronat e disa “grekëve” në Himarë, për dërgimin e ushtrisë greke në Himarë, sepse ajo është, sipas tyre, pjesë e “vorio-epirit” dhe ky i fundit është “grek”! Beleri ka mbajtur një qendrim më të butë lidhur me termin “vorio-epir”: ai thotë se është “term gjeografik” dhe nuk nënkupton tokë greke.
Por këto janë qendrime ‘politike’ që synojnë të mos acarojnë marrëdhëniet tona ndërsa paralelisht punohet me gjeostrategjinë e madhe të Athinës për mbikëqyrjen e Himarës përmes pushtetit të bashkisë dhe përparimin e tezës së kishës greke, e cila reflektohet kryesisht në radhët e Agimit të Artë dhe përgjithësisht në popullin grek, se vorio-epiri është tokë “greke”. Strategjinë në fjalë Athina po e përparon duke përdorur disa fronte njëherësh: si me krijimin e varrezave të ushtarëve grekë në tokë shqiptare ashtu dhe me krijimin e shkollave greke dhe kapjen e drejtimit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me Anastasin, ndryshe ngasa dikton përpjekja e Fan Nolit shekullin e kaluar (se kreu i saj duhet të jetë shqiptar) dhe përparimin e çështjes së detit Jon ku synon zgjerimin e ujërave detare dhe futjen e gjithë krahinës së Himarës në perimetrin e kontrollit të saj.
Krahas këtyre fronteve ajo po përdor dhe pushtetin e butë ose ekonomik―domethënë investimet e saj në Shqipëri me ndërmarrje dhe banka. Në këtë “front” veprimtaria e saj vitet e fundit është tkurrur por ajo mund të zgjerohet meqënse ekonomia e saj po mëkëmbet. Paralelisht gazetarët grekë i quajnë shqiptarët e vetë-njëjtësuar me kombin grek si “bashkëkombas”! Kështu krijohet bindja në shoqërinë greke se Himara ka pakicë greke.
Thuajse të njëjtën strategji po përdor në Egjeun lindor me Turqinë. Por kjo e fundit, ndryshe nga ne, ka deklaruar se çdo zgjerim i ujërave detare nga 6 në 12 milje do të përbënte shkak lufte. Pikërisht për këtë arsye Greqia është përgatitur vitet e fundit për luftë me Turqinë. Përgatitjet e saj për luftë po i ndihmon dhe SHBA-ja ndërsa Turqia po zhvillon autonominë e saj ushtarake dhe bashkëpunon me Rusinë. Qëllimi i Athinës është kontrolli i detit, nga Adriatiku dhe Joni deri në Egje.
Se si mund të ndalojë përparimi i saj është e qartë: nga një qeveri dhe klasë politike që nuk i shtyn shqiptarët të kërkojnë mbrojtje nga elita greke por u krijon atyre kushtet për të jetuar në atdhe.
Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 219 reads