...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Marrëveshjet “2013” dhe “2023” mes Kosovës dhe Serbisë: pa vlerë juridike

Aktet juridike ndërkombëtare, qofshin ato dypalshe apo shumëpalshe (me çfarëdo emri që u vihet: kontratë, marrëveshje, traktat, konventë, a tjetër), bëhen të plotëfuqishme dhe të zbatueshme vetëm pasi të ratifikohen nga organet kompetente të palëve nënshkruese

Adil Fetahu

14/03/2023 - 12:12

Raundi vijues i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, në nivelin më të lartë, në të cilin takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së, Lajçak, do të mbahet në Ohër, më 18 mars. Nuk është njoftuar rendi i bisedimeve por është e sigurtë se do të bisedohet për zbatimin e Planit (franko-gjarman) të BE-së për normalizimin e marëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Është gati e sigurtë se kryetari i Serbisë në këto bisedime do ta kushtëzojë nënshkrimin e tij të çfarëdo marrëveshje, me themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, që është paraparë me “Marrëveshjen” prej 15 pikësh Kosovë-Serbi, në Bruksel, më 19 prill 2013: sepse këtë kërkesë e përsërit si papagall Vuçiçi edhe kur është në gjumë (në ëndërr), dhe të gjithë “vuçiçët” e tjerë të Serbisë.

Por e ashtuquajtura “Marrëveshje”, juridikisht nuk ekziston, pra nuk është e plotëfuqishme, as e detyrueshme, as e zbatueshme dhe nuk prodhon detyrim juridik ndaj palëve, pra as ndaj Kosovës: sepse nuk është ratifikuar nga të dyja palët.

Aktet juridike ndërkombëtare, qofshin ato dypalëshe apo shumëpalëshe (me çfarëdo emri që u vihet: kontratë, marrëveshje, traktat, konventë, a tjetër), bëhen të plotëfuqishme dhe të zbatueshme vetëm pasi të ratifikohen nga organet kompetente të palëve nënshkruese dhe kanë përfshirë detyrimet, afatet kohore, hyrjen në fuqi dhe masat ligjore nëse ato shkelen. 

Zakonisht ratifikimin e bëjnë parlamentet e shteteve, por këtë mund ta bëjnë edhe shefat e shteteve, varësisht si parashihet me kushtetutat e tyre. Shtetet nënshkruese të marrëveshjes i shkëmbejnë dokumentat e ratifikimit, me të cilat e njoftojnë palën tjetër se organi kompetent i shtetit palë e ka vërtetuar, miratuar dhe pranuar marrëveshjen në tekstin nënshkruar. Marrëveshja hyn në fuqi dhe bëhet e zbatueshme vetëm pas ratifikimit, apo në afatin të caktuar pas ratifikimit.

Kur marrëveshja ndërkombëtare është shumëpalëshe, ajo hyn në fuqi pas ratifikimit të fundit nga ndonjë palë e marrëveshjes. Nënshkrimi i marrëveshjes ndërkombëtare nga përfaqësuesit e autorizuar të shteteve, nuk i jep fuqi zbatimi marrëveshjes, por vetëm siguron që teksti i marrëveshjes së arritur të mos ndryshohet.

Kjo do të thotë se me aktin e ratifikimit, marrëveshja ose miratohet (vërtetohet se pranohet) në tekstin e nënshkruar, ose nuk miratohet, por teksti i nënshkruar nga përfaqësuesit e palëve nënshkruese – nuk mund të ndryshohet në procesin dhe fazën e ratifikimit. Në disa marrëveshje ndërkombëtare, me dispozita të fundit parashohin afatin e ratifikimit dhe afati i hyrjes në fuqi (siç parashihet për ligjet, “vacatio legis”) pas ratifikimit.

Për shembull, kështu është vepruar në Marrëveshjen për njohjen e letërnjoftimeve, diplomave universitare e kualifikimeve profesionale, e nënshrkuar më 3 nëntor 2022, midis përfaqësuesve të gjashtë shteteve të EJL, në Samitin e Berlinit (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mali Zi, Bosnje-Hercegovinë), në të cilën është përcaktuar afati prej 18 muajve, për ratifikimin e asaj Marrëveshje.

Ndërkaq, Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në fletë të veçanta nga ish-kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti dhe nga kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiç, nën drejtimin e ish-presidentit të SHBA-ve Donald Tramp, si "Marrëveshja" e Brukselit, as nuk përmban detyrim as afate ratifikimi, as afate të hyrjes në fuqi. Prandaj as detyron askënd për ta zbatuar, e Serbia as nuk ka zbatuar asnjë “detyrim” që ka marrë në shkëmbim (psh. zhvendosjen e Ambasadës së vet nga Telavivi në Jerusalem).

Zbatimi i marrëveshjes, si edhe i asaj të Brukselit, mbetet në botën politike dhe morale të palëve, e jo si detyrim juridik. Fundja, në to nuk parashihet kurrëfarë sanksioni juridik, as që kanë mundësi palët nënshkruese ta padisin njëra-tjetrën për moszbatim. Në “Marrëveshjen” e Brukselit (pika 14) thuhet: “Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos bllokojnë ose ikurajojnë të tjerët që ta bllokojnë progresin e palës tjetër në rrugët respektive drejt BE=së”.

Po sa e ka zbatuar Serbia këtë pikë të “Marrëveshjes“, kur me tërë fuqinë diplomatike ka lobuar për shnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pengimin e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

Kushtetuta e Kosovës në neni 18 parashikon ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me shumicë të kualifikuar (2/3) e votave (nënkuptohet se këtë e bënë Kuvendi), për disa marrëveshje, ndërsa për të tjerat parashihet se ratifikimin e bënë Presidenti i Kosovës (nënkuptohet se këtë e bënë me dekret).

“Marrëveshja” e Brukselit, për të cilën e kemi fjalën, bie në kategorinë e marrëveshjeve të cilat i ratifikon Kuvendi me 2/3 e votave, sepse ai rregullon çështje të karakterit politik (neni 18.par.1.pika 1).

Edhe Kushtetuta e Serbisë (30.09.2006) parasheh se kontratat (marrëveshjet) ndërkombëtare i vërteton (ata ne vend te termit rafitikon, perdorin termin - verteton) parlamenti (neni 99 par.1. pika 1), kur kjo është e paraparë me ligj. Ndërsa në nenin 16.par.1, është përcaktuar se “…akti ndërkombëtar i vërtetuar (ratifikuar) bëhet pjesë përbërëse e rendit juridik të Republikës së Serbisë dhe zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë”. Në paragrafin 2, përcaktohet se kontratat ndërkombëtare të vërtetuara (ratifikuara) duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën.

Serbia nuk e ka ratifikuar “Marrëveshjen” e Brukselit, sepse ajo nuk e njeh Kosovën si shtet. Dhe nëse nuk e ka ratifikuar, do të thotë se “Marrëveshja” nuk është bërë e plotëfuqishme dhe e zbatueshme, respektivisht nuk ekziston, ose “është në havan” dhe pret rafitikimin. Prandaj, “vuçiçët” nuk kanë bazë të vlefshme juridike për të kërkuar formimin e bashkësisë së komunave serbe një-etnike në Kosovë.

“Marrëveshja” tjetër, e nënshkruar poashtu në Bruksel më 25 gusht 2015, është derivat e “Marrëveshjes” themelore të 19 prillit 2013, që siç tregova më herët, nuk është e plotëfuqishme as e detyrueshme, edhe kjo e dyta e ka të njëjtin “fat” juridik të moszbatimit.

Është çështje tjetër, jashtë botës juridike presioni ndërkombëtar, që i bëhet Kosovës për zbatimin e një marrëveshje ndërkombëtare juridikisht joekzistuese.

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA