Nëntë emigrimet e mëdha të shqiptarëve: Berisha, Nanua dhe Rama thyejnë rekord historik
Në regjistrimin e vitit 2023 rezulton më pak se 1.800.000, aq sa kemi qenë në vitin 1905; që do të thotë se në vitet e “demokracisë” ka emigruar gati 50 % e popullsisë që kishte Republika e Shqipërisë në periudhën e “diktaturës komuniste” (sikundër e quajnë “demokratët” “atdhetarë” të këtyre 34 viteve)
Dilaver Goxhaj
28/04/2024 - 19:35
Emigrimi i parë i shqiptarëve rezulton se ka ndodhur në kohën e Alfonsit V i Aragonit (Itali) kur ai rekrutoi ushtarë shqiptarë për të nënshtruar Kalabrinë, dhe që daton në vitin 1450, me emigrimin e shqiptarëve pas rënies së Beratit në duart e turqve dhe pas Rrethimit të Parë të Krujës, me të cilët më pas u formuan kolonitë e para italo-shqiptare në Kalabri dhe Siçili.
Ky emigrim u shtua edhe pas shkuarjes së Skënderbeut në Pulja në ndihmë të Ferdinandit I të Napolit, ku rreth njëmijë ushtarë shqiptarë mbeten në Itali, në feudin e dhuruar nga Ferdinandi, në qytetin Trani (provincën e Barit) dhe në Capitanata (M.Barleti “Histori e Skënderbeut”,Tiranë 1982, f.524 & 557).
Të gjitha këto grupe ilire u nënshtruan dhe u asimilian gradualisht nga ariano-italikët dhe keltët, në varsi të të cilëve ndodhën dhe kryqëzime. Këtë proces asimilimi të ngadalshëm midis siçilianëve dhe shqiptarëve e dëshmojnë me dallimet antropologjike dhe gjuhësore që i mbijetuan atyre luftrave.
Emigrimi i dytë daton në periudhën 10 vjeçare 1480 - 1488 pas dorëzimit të Shkodrës turqve (në 25 janar vitit 1479) kur gradualisht e gjithë Shqipëria ra nën zgjedhën Osmane; si rrjedhojë, shqiptarë të tjerë emigruan në Siçili të cilët gjetën një pritje të përzemërt dhe gëzuan privilegje të veçanta. Me këtë emigracion u ngritë kolonia e Palazzo Adrianos (1481), e Piana dei Greci (1488) dhe e Santa Cristiana-s, të Gela-s. 3.
Emigrimi i tretë ndodhi në vitet 1490-1492 ku shqiptarë të tjerë emrigruan përsëri në Siçili dhe ngritën kolonitë e Mezzojuso-s, të San Angelo di Girgenti në provincën e Katanias, Palermos dhe Gigentit.
Emigrimi i katërt ndodhi në vitet 1536 - 1540 kur sanxhaqet filluan të bëheshin monopol të pashallarëve. Me këtë emigrim u krijuan koloni në Berile-s, në Muçite-s, në San Anxhelo Konstantini Albaneses etj.
Emigrimi i pestë ndodhi pas vitit 1680, kur vazhdoi më me intensitet monopolizimi i territoreve nga besnikët e Sulltanit dhe spahitë. Edhe ky emigracion shqiptar shkoi në Itali me të cilin u themeluan koloni në Ururi-n, në Portokanone, në Kampomarinon dhe Monteçilfone në provincën e Campobasso-s.
Emigraimi i gjashtë është ai pas vitit 1744 kur filloi kalimi i detyrave administrative sipas trashëgimisë familjare, e cila mori karakter të përgjithshëm, në kohën kur Italia ishte nën sundimin e Karlit të III të Burbonit dhe nën sundimin e Ferdinandit të IV, duke u vendosur shqiptarët në Brindizi dhe në Napoli.
Emigrimi i shtatë, i cili ka qenë i ngadalshëm gjatë gjithë periudhës nën sundimin e Perandorisë Osmane, (1479-1905), viti 1905 kur jepen këto statistika prej prof. Baldacci & prof. Glanti, bëri që në vitin 1905 në Shqipëri kishin mbetur 1.285.000 banorë, prandaj dhe A. Z. Çajupi tha: “Shqipërinë e mori Turku i vu zjarrë”.
Si rrjedhojë e këtyre 7 emigrime sot në Turqi ka mbi 5 milionë shqiptarë, ndërsa në Itali ka mbi 70 fshatra me origjinë shqiptare, 27 janë të ritit fetar ortodoks, pjesa tjetër e ritit katolik, me rreth 200.000 banorë, të cilët në masën më të madhe vinin nga Peloponezi (More-ja), e cila ra nën sundimin osman në vitet 1458-1460, ku dihet se në atë periudhë Moreja (Peloponezi) banohej kryesisht nga shqiptarët, fakt që e tregon edhe kënga 600 vjeçare e tyre kombëtare, e cila fillon: “Moj More, o e bukura More” (në vitin 1905), “Dialekti i arbëreshërve mban karakteristikat kryesore të shqipes së jugut, por të një toskërishteje shumë më të lashtë se e toskërishtes moderne; arbëreshët-shqiptarë e sot,”.
Këto të dhëna janë marë nga libri historik “SHQIPËRIA ETNIKE DHE GJEOGRAFIKE”, me autorë prof. Baldacci & prof. Glanti, botuar në Romë në vitin 1905, përkthyer nga Gjoleka Shaqiri, dhe botuar për herë të parë në shqip nga “BOTIMET M&B”, Tiranë, 2024, f.155-177; por duke sjell saktësime të marra nga Historia e Shqipërisë, (1965) dhe ajo e Perandorisë Osmane, (2004.)
Emigrimi i tetë prej Republikës së Shqipërisë, emigrim tepër masiv i shqiptarëve ndodhi në periudhën 1991-2012, pas vendosjes së sistemit të pluralizmit politik, kur u hodh me forcë në media strategjia politiko- ekonomike: “Ta kthejmë gjithçka në zero çfarë është ndërtuar në periudhën moniste 1945-1990 pasi na është dhënë Çeku Bardhë” dhe, për të vënë në jetë këtë strategji u miratua në Kuvendin Popullor Ligji Nr.7501 date 19.7.1991. PER TOKEN, me miratim të të gjitha forcave politike, duke e çuar vendin drejt Luftës Civile Veri-Jug në vitin 1997.
Sipas atij ligji pjesa dërrmuese e popullit ngeli pa punë si dhe pa asnjë lloj prone, si rrjedhojë e eleminua çdo lloj prodhimi shtetëror dhe grupi, përfshi dhe eleminimin e gjithë Forcave të Armatosura. Ky emigracion çoi popullsinë e Republikës së Shqipërisë nga 3.195.000 milionë, në 2.815.749 banorë, (sipas ISTAT- viti 2011).
Emigrimi i nëntë, emigrim përsëri masiv i shqiptarëve prej Republikës së Shqipëqrisë, fillon pas vitit 2013, menjëherë pas miratimit të Ligjit Nr.125 në vitin 2013, sipas të cilit parashikohen veprimet e dhënies së pasurisë kombëtare me koncesion PPP-ve (Partneriteti Publik Privat- kompanive ekonomike të huaja) për të cilin sot, datë 5 prill 2024, kryetari i SPAK ka raportuar se “janë vërejtur metoda të sofistikuara të parave të korrupsionit…ku kompanitë e nënkonktratuara janë pjesë e së njëjtës skemë dhe korruptohen nga të njëjtët individë që e kanë organizuar këtë skemë korruptive”; ndërkohë paralel me këtë strategji ekonomike, filloi kalimi me trashëgimi në mënyrë të përgjithshme i detyrave në aparatin shtetëror, ngjashëm si shkaku i emigrimit të shekullit XVIII (i vitit 1744).
POPULLSIA NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, SIPAS VITVE:
- Në vitin 1938: 1.040.353 banorë;
- Në vitin 1945: 1.122.000 banorë;
- Në vitin 1968: 2.018.800 banorë;
- Në vitin 1987: 3.082.700 banorë;
- Në vitin 2014: 2.815.749 banorë. (sipas Vjetorëve Statistikorë).
Ndërsa në regjistrimin e vitit 2023 rezulton më pak se 1.800.000, aq sa kemi qenë në vitin 1905; që do të thotë se në vitet e “demokracisë” ka emigruar gati 50 % e popullsisë që kishte Republika e Shqipërisë në periudhën e “diktaturës komuniste” (sikundër e quajnë “demokratët” “atdhetarë” të këtyre 34 viteve).
Mbi 40% e popullsisë aktuale në Republikën e Shqipërisë jeton në qytetin e Tiranës.
JASHTË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, (sipas ISTAT-2011):
• 1.9 milionë shqiptarë në Kosovë;
• mbi 800.000 shqiptarë në Maqedoni;
• mbi 100.000 në Kosovën Lindore (lugina e Preshëvës, nën administrimin e Serbisë);
• rreth 100.000 në Mal të Zi;
• mbi 5 milionë shqiptarë në Turqi;
• mbi 600.000 shqiptarë në Greqi, të emigruar nga Republika e Shqipërisë, përveç rreth 4 milion arvanitas;
• 500.000 shqiptarë në Itali të emigruar nga Republika e Shqipërisë, si dhe 300.000 arbëreshë;
• rreth 300.000 në Evropën Perëndimorë dhe Angli emigruar nga Republika e Shqipërisë;
• mbi 1.000.000 shqiptarë në SHBA, së bashku me rreth 200.000 të larguar pas vitit 1991 e në vijim.
Dhe, për ta zbutur sado pak këtë zbrazëti njerëzore në Republikën e Shqipërisë, por dhe në Kosovë, ka filluar sjellja e emigrimeve afro-aziatike. Vallë, si do të shprehej sot A. Z. ÇAJUPI, nëse do të jetonte ende, për këtë tragjedi kombëtare që i ka ndodhur kombit shqiptar pas vdekjes së tij, po t’i bëheshin të njohura këto shifra, meqenëse ISMAIL KADARE heziton të shprehet artistikisht?!
Si kontribojnë popujt evropianë në shkombëtarizimin e vetes: rasti i shqiptarëve
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 58 reads