Papërgjegjshmëria kriminale e “ekspertëve” me nënën shkodrane dhe tradhtinë
Papërgjeshmëria e “ekspertëve” dhe gazetarëve është e disafishtë nga këndvështrimi` zanatit por në rastin konkret ajo lidhet kryesisht me rrëfenjën se fajin për tragjedinë nuk e kishte tradhtari por nëna dhe “sëmundja” e saj
Ylli Përmeti
08/05/2024 - 10:00
Ç`nuk po shohin sytë tanë që kur nëna shkodrane me tre fëmijë vrau veten dhe fëmijët. “Depresioni nuk justifikon një nënë të vrasë 3 fëmijë të mitur” (K. Spahiu) ndërsa disa “ekspertë” (psikologë e psikiatër) thonë se ajo vuante nga “sindroma e Medeas”! Në fund, sociologu Edmond Dragoti i vë “kapakun” tragjedisë: sipas tij, ajo duhet të ketë patur “zemërim” të madh, sepse “zemërimi shkakton hakmarrje”!
Koncepti psikologjik dhe psikiatrik “Sindroma e Medeas” buron nga tragjedia që vuri në skenë Euripidi në vitin 431 p.e.s., sipas një legjende që qarkullonte në atë kohë. Sipas legjendës, Medea, nënë me fëmijë, vrau vajzën e saj si hakmarrje ndaj burrit të saj, të cilin e ndihmoi të fitonte Bashkën e Artë, me qëllim që të fitonte fronin e mbretit, pasi kishte kaluar shumë vuajtje me të (por jo tradhti) por ajo vrau vetëm vajzën e saj dhe jo “dhe veten”!
Kjo është arsyeja se pse legjenda është shfrytëzuar nga psikiatrët dhe psikologët e kohëve tona dhe është kthyer në “sindromë mjekësore”, me të cilën kuptohet “sindroma prindërore e zvjerdhjes” së fëmijës nga një prind kundrejt tjetrit para, gjatë dhe pas procesit të ndarjes.
Gjatë procesit të zvjerdhjes njëri nga prindërit por ndonjë herë dhe të dy, dëmtojnë aftësinë e fëmijës për të kuptuar, ndier dhe gjykuar drejtë ata. Në rastin e nënës nga Shkodra, nuk kemi as hetim të procesit prindëror (me gjasë policia hetimore po e heton rastin) as thjesht vrasje të fëmijës por kemi (thonë raportet) një “hakmarrje” për shkak të tradhtisë.
Por rasti` saj nuk mund të quhet “hakmarrje”, sepse njerëzit hakmarrës nuk vrasin veten, por tjetrin; ndaj ajo mund të quhet një gjendje e rënduar shpirtërore e cila shkaktoi vetëvrasje dhe vrasje. “Gjendja e rënduar” shpirtërore mund të quhet “depresion” meqënse këta lloj njerëzish shpesh zgjedhin vetëvrasjen.
Ajo vuante nga angthi dhe pagjumësia dhe merrte barna për t`u kuruar. Ankthi është një gjendje frike që shkaktohet nga pasiguria. Në varësi të shkallës, ai shkakton tension gjaku dhe shpesh çon në depresion. Kështu ajo në dëshpërim e sipër vrau veten dhe fëmijët. Por jo për hakmarrje por për shkak të rëndimit të saj shpirtëror, sepse një njeri në depresion nuk ka aftësi mendore të ndajë mes “hakmarrjes” dhe dashurisë prindërore.
Ndaj dhe qendrimet i tipave si Spahiu janë qesharake ndërsa qendrimet e psikologëve dhe psikiatrëve por dhe sociologëve janë të papërgjegjeshme meqënse nuk kanë kuptuar as sindromën e Medeas as dhe kanë hetuar çështjen për të kuptuar dallimet apo përputhshmëritë mes sindromës dhe nënës në fjalë.
Por kjo është vetëm njëra anë; sepse ana më e rëndësishme e këtyre qendrimeve të papërgjegjshme është se ata shpërnjohin tradhtarin dhe merren me viktimën; madje e paraqesin atë si fajtore!
Përqendrimi` tyre tek viktima duke e paraqitur atë si shkaktare krijon dhe bindjen e përgjithshme se ishte sëmundja e saj (sipas psikiatërve dhe psikologëve, “sindroma e Medeas!) dhe ngashënjimi` saj (zemërimi, sipas sociologëve të tipit Dragoti) shkak i tragjedisë ndërsa tipa gjithologësh si Spahiu e kanë të vështirë të kuptojnë me aftësinë e tyre intelektuale se kur një njeri bie në dëshpërim apo depresion ai nuk është në gjendje të dallojë mes dhimbjes së tij dhe fëmijëve.
Kështu, të gjithë bashkë, krijojnë bindjen se fajin e tragjedisë nuk e ka tradhtari por viktima dhe si në çdo rast tjetër, gazetarët e oligarkisë shkojnë pas kësaj rrëfenje në vend të hedhin dritë të plotë në tragjedinë në fjalë dhe të tregojnë fajtorin dhe karakterin e tij prej tradhtari dhe të hedhin dritë gjithashtu në shkaqet e tradhtisë meqënse gati gjithë shoqëria jonë është tradhtare si në çift ashtu dhe në shoqëri (kur nuk zbaton ligjet etj.).
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 42 reads