...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Paturpësia e inxhinierëve të ndërtimit dhe qasja jo-shkencore e KLSH-së

Gjatë fazës së pas-tërmetit një pjesë e inxhinierëve filloi të mbulonte krimet e shkaktuar nga sektori i ndërtimit dhe klasa politike, duke u ri-angazhuar në rindërtimin e ndërtesave bashkë me qeverinë “Rama” dhe opozitën ndërsa të tjerë vlerësojnë se akuza kundrejt inxhinierëve nga media në përgjithësi, është e pavërtetë dhe e cekët…duke bërë fajtore shoqërinë e pas viteve `90![1] Nuk mungojnë inxhinierët sipas të cilëve fajin nuk e kanë ata për rrënimet e pallateve por tërmeti (Topstory)!

Ylli Përmeti

12/12/2019 - 14:38

Duke mos u brejtur fare në ndërgjegjje, gjatë fazës së pas-tërmetit një pjesë e inxhinierëve filloi të mbulonte krimet e shkaktuar nga sektori i ndërtimit dhe klasa politike, duke u ri-angazhuar në rindërtimin e ndërtesave bashkë me qeverinë “Rama” dhe opozitën ndërsa të tjerë vlerësojnë se akuza kundrejt inxhinierëve nga media në përgjithësi, është e pavërtetë dhe e cekët…duke bërë fajtore shoqërinë e pas viteve `90![1]

Nuk mungojnë inxhinierët sipas të cilëve fajin nuk e kanë ata për rrënimet e pallateve por tërmeti (Topstory)! Me sa duket, ata që riangazhohen do të mundohen të mbulojnë krimin e 30 viteve të fundit —bashkë me qeverinë “Rama”— në sektorin e ndërtimit me ndërtesa më të “sigurta” përmes të cilave do të majmen sërish ndërsa për ata që e shikojnë fajin te tërmeti dhe shoqëria nuk shikojnë faktin se institucionet shkencore që lidhen me infrastrukturën u shkatërruan qëllimshëm nga pushteti politik (arsyet e tregoj në vijim), duke filluar me Berishën dhe duke vazhduar me Ramën!

Pa përmendur faktin tjetër se në fillim të këtij viti, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi një sërë problemesh në institucionet e shtetit: në Institutin e Ndërtimit, Ministrinë e Infrastrukturës etj., natyrën kriminale të të cilëve inxhinierët tanë duhet t`i kishin kuptuar me kohë - pa përjashtuar arsyet (ose shkaqet) se pse janë të tillë.

Por duhet thënë se edhe raporti i KLSH-së ka një qasje problematike: ai fillon me nevojën e sigurimit të cilësisë në ndërtime; mungesën e punonjësve të kualifikuar në institucionin përkatës (IN) për kryerjen e oponencave teknike; dhe mungesën e standarteve në laborator me shërbime testimi të pa-akredituara…duke përmendur dhe faktin se normat e projektimit të strukturave antisizmike në Shqipëri punojnë me kushtet teknike të viteve `78-`80 i përditësuar në `89, kur shumica e objekteve nuk i kalonte 5-6 kate. Për të njëjtën arsye KLSH-ja i rekomandon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë masa për hartimin e kushteve të reja teknike të projektimit…duke nënkuptuar vazhdimin e hartimit të ndërtesave shumëkatëshe…por këtë herë me “kushte të reja teknike” duke përfshirë “eurokodet” dhe duke i përshtatur ato dhe në Shqipëri!

Të paktën citoi një të vërtetë të mirëditur se cilësia e materialeve të ndërtimit është e dobët dhe zbatimi i tyre në ndërtesa është plotësisht jashtë kontrollit ndërsa nuk harron të përmendë mungesën e transparencës lidhur me masat e marra ose vendimet në lidhje me penalitetet ndaj subjekteve të ndryshme nga Komisioni i Dhënies së Lejeve Profesionale pranë Ministrisë së Infrastrukturës (sipas një vlerësimi transparenca mungon thuajse në gjithë institucionet me karakter politik duke u udhëhequr nga kryeministria!).

KLSH-ja, në fjalë të tjera, e fillon raportin jo nga një qasje shkak-pasojë në raport me pushtetet përkatëse dhe efektin e tyre por nga konstatime të cilët i radhit pa një rend gjenealogjikë-pushtetor: për shembull, kur vendos në fillim nevojën e sigurimit të cilësisë, pastaj shkon dhe tregon mungesën e punonjësve të kualifikuar në Insti. e Ndërtimit dhe pastaj tregon terrin në ministrinë përkatëse: sepse që të realizohet cilësia në ndërtime, pikë së pari ministria përkatëse dhe IN duhet të drejtohet nga njerëz shkencorë dhe etikë.

Pasojat afatgjata social-ekonomike për Durrësin pas tërmetit

Për periudhën 2016-2018, Durrësi renditet si qark pas Tiranës, për sa i përket lejeve të miratuara për ndërtesa të reja ndërkohë që Tirana pati 461 pallate të dëmtuar rëndë ndërsa Durrësi, epiqendra e tërmetit, vetëm 35! Kjo gjendje tregon faktin se në Tiranë është punuar më keq ndërsa lejet janë dhënë deri diku në përpjestim me madhësitë e qyteteve përkatës­—fakt që tregon se si Veliaj ashtu dhe Dakua, implikohen për vepra penale të mundshme si për lejet ashtu për shkallën e dëmeve. Dhe jo vetëm ata: sepse rrënimi i sektorit të ndërtimit dhe institucioneve që lidhen me ta filloi me Berishën dhe vazhdoi me Ramën. Për të njëjtën arsye, sektori i ndërtimit implikon gjithë klasën politike.

Vazhdon...

[1]Tërmeti, ndërtuesit dhe ne të tjerët, Dita 10, 2019.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA