...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përgjegjësia e qeverisë “Rama” për radikalizimin e muslimanëve dhe gjysëm të vërtetat e gazetës “Dita”

Qeveria jonë është shkaktare e radikalizimit të muslimanëve dy herë: një herë kur ajo mbajti qendrim të padrejtë lidhur me popullin sirian dhe një herë kur krijon kushtet e përshtatshme për shfrytëzimin e fetarëve nga “hoxhallarët” e infiltruar prej serbëve

Ylli Përmeti

05/11/2020 - 14:32

Vrasësi në Vjenë ishte një 20 vjeçar që ishte liruar nga burgu dhjetorin e kaluar (2019). Ai ishte burgosur për 22 muaj në maj 2019 për përpjekjen e tij për të shkuar në Siri dhe për t`u bërë pjesë e ISIS-it. Por ai u lirua pasi bindi autoritetet se ai nuk kishte më mendësi ekstremiste islamike (për t`u bërë pjesë e ISIS-it). Ai kishte shtetësi austriake dhe maqedone. Dhe pavarësisht se sulmin e bëri të vetin ISIS-i, autoritetet atje besojnë se ai ka vepruar vetëm. Vrasësi u ekzekutua në skenë nga policia. Britania rriti ndërkohë alarmin e terrorizmit nga “i rëndë” në “të qenësishëm” — se është shumë e mundur që një sulm të ndodhë por pa treguar se ku mund të ndodhë!

Kujtoj se militantët e ISIS-it janë nën kontrollin e perëndimorëve në një kamp në Siri. Për kontrollin e tyre janë angazhuar kurdët. Kështuqë, është e pamundur të jetë organizuar nga ISIS-i sulmi përjashto mundësinë që nuk kontrollohen në veprimet e tyre ose lihen të lirë qëllimshëm.

Sidoqoftë, fakti është se vrasësi ishte një 20 vjeçar. Thuajse të njëjtën moshë kishte dhe vrasësi në Francë. Kjo moshë manipulohet fare lehtë meqënse në këtë moshë njerëzit nuk mund të krijojnë të vërteta racionale ose të vërteta fetare që mund të kundërshtohen me të vërteta shkencore. Por mesa duket ai ishte indoktrinuar në lagjen e Vjenës: qeveria atje —pasi hetoi— mbylli një xhami dhe një shoqatë islamike ku shkonte shpesh 20 vjeçari. “Të dy këto institucione fetare kishin kontribuar në radikalizimin e autorit të sulmit”, tha ministrja e integrimit Susanne Raab.  

Qasja e Bedri Islamit (Dita: 4 nëntor 2020) se fajin na e ka qeveria serbe e cila ka krijuar një Komitet të Posaçëm për Kosovën me akademikë, studiues, njohës të mirë të shqiptarëve, ushtarakë, teologë, gjeografë, politologë, pjesë të shërbimit inteligjent, të cilët kanë infiltruar hoxhallarë për të radikalizuar shqiptarët dhe për t`i paraqitur ata në sytë e Evropës si e keqja e madhe e saj, është problematik pavarësisht se mbështetet në disa fakte (në veprimtarinë e komitetit përkatës dhe hoxhallarëve): sepse nuk e fillon kritikën nga burimi kryesor i radikalizimit të shqiptarëve: nga qeveria “Rama”: sepse ishte kjo që mbështeti ndërhyrjen ushtarake në Siri duke mbështetur BE-në, SHBA-në e Obamës dhe vendet rajonale pranë Sirisë: Izraelin, Arabinë Sadite dhe Katarin por dhe Turqinë.

Kur qeveria e një vendi mbështet ndërhyrjen ushtarake në një vend tjetër nuk shkel vetëm të drejtën ndërkombëtare (përjashto rastin e Kosovës populli i së cilës kërkoi ndihmën perëndimore pavarësisht se nuk ishte shtet i pavarur, një veprim që përputhet me të drejtën ndërkombëtare) por krijon kushtet sociale për manipulim të përgjithshëm të popullit. Nuk është e rastit që në Shqipëri nuk pati asnjë protestë për mbështetjen e ndërhyrjes ushtarake të qeverisë “Rama”! Arsyeja kryesore se pse nuk reagoi populli ishte pështjellimi, si lidhur me karakterin e luftës në Siri ashtu dhe lidhur me të drejtën ndërkombëtare. Në pështjellimin e popullit ka lujtuar rol vendimtar media dhe universitetet.

Gazeta “Dita”, për shembull, e përditshmja ku shkruan Bedriu, publikon shkrime që tregojnë gjysëm të vërteta për mos të thënë të vërteta të përmbysura: domethënë, tregon veprimtarinë antishqiptare serbe pa treguar rrugët përmes të cilave ajo vepron! Një rrugë tjetër që mundëson veprimtarinë antishqiptare serbe është unioni që po krijohet në Ballkanin perëndimor përmes të cilit Serbia hyn dhe del në rajon pa asnjë kontroll!

Kështuqë qeveria jonë është shkaktare e radikalizimit të muslimanëve dy herë: një herë kur ajo mbajti qendrim të padrejtë lidhur me popullin sirian dhe një herë kur krijon kushtet e përshtatshme për shfrytëzimin e fetarëve nga “hoxhallarët” e infiltruar prej serbëve. Përgjegjësi kanë dhe hoxhallarët e tjerë të cilët dëshmojnë veprimtarinë e “homologëve” të tyre dhe nuk veprojnë. Përgjegjësi kanë dhe shërbimet tona ‘inteligjente’: sepse ato më shumë se çdokush tjetër kanë të dhëna kundrejt të cilave nuk mund të sillen me heshtje apo thjesht me raportim në institucionet përkatëse. Përgjegjësi ka dhe populli që nuk lexon me mendjen e tij apo me ndihmën e ndonjë studimi realitetin. Por përgjegjësi kanë dhe ata që lexojnë dhe nuk veprojnë për të dijësuar të tjerët.

Qeveria “Rama krijoi dhe një implikim tjetër lidhur me Sirinë e Asadit: se populli ynë -jo vetëm që u mashtrua dhe shkretua në Siri me dhjetra familje- por do të shihet si popull armik nga populli sirian dhe për pasojë mund të dëshmojmë dhe sulme “terroriste” nga populli sirian përveç sulmeve që mund të shkaktohen nga militantët e ISIS-it. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Siria mund të na paraqesë —me të drejtë— si popull i kriminalizuar dhe fashistizuar. 

Duhet thënë, në fund, se hetimet për vrasësin në Vjenë nuk kanë mbaruar: ai mund të jetë infilturuar nga shërbimet inteligjente austriake apo organizata të tjera. Por edhe mund të mos jetë infiltruar nga ndonjëri por thjesht ka krijuar një ‘lloj besimi’ nga leximet dhe rrethi i tij familjar dhe ka vepruar në pavarësi të plotë. Por edhe sikur të mos jetë kështu, përgjegjësia prapë bie mbi qeverinë e Tiranës që nuk ka integruar një qasje shkencore në sistemin arsimor për të zhvilluar arsyetimin shkencor të njerëzve brenda vendit (me qëllim që njerëzit brenda vendit të ndikojnë në mendësinë e krijuar jashtë vendit) me qëllim që të zgjedhin vetë se për cilin besim do të luftojnë në jetën e tyre: për besimet që burojnë nga arsyetimi i drejtë i tyre apo për besimet fetare.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA