...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Përputhen” si ‘përleshen’ dhe “love story” si ‘harem Sulltani’

“Përputhen” është i dëshirueshëm si emision por duhet të rikonceptohet me synim pedagogjik ndërsa “Love Story” është i padëshirueshëm

Ylli Përmeti

29/01/2021 - 16:58

Dy programet televizive, “Përputhen” (Top Channel) dhe “Love Story” (Klan), kanë shikueshmëri më shumë se çdo program tjetër televiziv. Kanë kaluar disa muaj nga transmetimi i tyre dhe asnjë kritikë nuk është bërë kundrejt tyre përjashto disa skeçe teatralë.

“Përputhen” është një synim fisnik: sepse është e dëshirueshme të përputhen të rinjtë se sa të mospërputhen, sidomos kur ndarjet lulëzojnë. Përputhja çon thuajse gjithnjë në martesë dhe lumturi; mospërputhja në ndarje, dhimbje dhe zhgënjime. Por çfarë duhet të përputhin të rinjtë, emisioni përkatës nuk e ka qartësuar! Kjo është arsyeja kryesore se pse shohim më shumë përleshje se sa përputhje. Një arsye tjetër janë vetë të rinjtë e përfshirë në emisionin përkatës: ata reflektojnë mungesën e bisedës në familje dhe shoqëri dhe moskuptimin e njëri-tjetrit—me fjalë të tjera, ata pështjellohen dhe nuk janë të qartë as në synime as në gjykime.

Duke patur parasysh këtë fakt, emisioni përgatitet në mënyrë të tillë që të shpështjellojë të rinjtë dhe t`i përputhë ata. Por në çfarë t`i përputhë? Në karakter dhe në aspekte biologjike, sigurisht! Por që t`i përputhë në karakter programi duhet të dijë të zbërthejë karakteret. Drejtuesit e emisionit përkatës nuk përqendrohen në këtë synim (sepse nuk dinë të zbërthejnë karakteret) dhe si pasojë të rinjtë më shumë përleshen se sa përputhen.

Edhe nëse ka ndonjë “përputhje” mes tyre ato bazohen kryesisht në pëlqime fizike dhe jo në pëlqime karakteresh. Por ndryshe është kur pëlqejmë paraqitjen fizike dhe ndryshe kur pëlqejmë karakterin: zakonisht me pëlqimin e parë çiftet ndahen ndërsa me të dytin bashkohen vërtet.

Një aspekt tjetër, shumë i rëndësishëm, është përputhja biologjike, për të cilën pak njerëz janë në dijeni pavarësisht se është shumë e thjeshtë për t`u kuptuar: mosha e femrave dhe meshkujve—sepse mosha mesatare seksuale e meshkujve është rreth 50 vjet ndërsa e femrave rreth 30 vjet. Nëse nuk përputhet edhe ky aspekt, tradhëtia mund të jetë pjesë e jetës së tyre.

Lexo, Pse tradhëtojnë meshkujt dhe femrat dhe si mund ta parandalojmë?

Ndryshe nga kjo qasje, drejtuesit e emisionit përqendrohen kryesisht tek intrigat e të rinjëve!           

Programi tjetër, “Love Story”, është konceptuar si harem Sulltani. Shqiptarët që nuk lexojnë por shikojnë filma turq besoj e kuptojnë haremin e Sulltanëve, qëllimin e tij dhe padrejtësitë që zhvilloheshin në to. Si fillim turqit mblidhin femrat e reja ku bëhësh luftë dhe disa prej tyre përfundonin në haremin e Sulltanit. Ky i fundit i shijonte një e nga një. Nuk dihet nëse i shijonte dy e nga dy apo më shumë.

Sidoqoftë, fakt është që Sulltani i shijonte një e nga një dhe ndonjë herë mbante një të parapëlqyer më pranë, si në rastin e Sulejmanit me Hyremin. Bënte fëmijë me to dhe pastaj priste mirëkuptim dhe paqe mes tyre! Nuk ndryshon shumë nga ky koncept emisioni “Love Story” ku një tip —nga shumë i nderuar— bën kritikun dhe thotë se protagonisti duhet t`i puthë gocat që ai pëlqen ndërsa flet për emancipim! Domethënë, çlirim në botën emocionale. Domthënë, të rinjtë të çlirohen sa herë ndjejnë tërheqje seksuale!

Dhe protagonisti ose “sulltani”, ngaqë s`ka krijuar ndonjë parim të qartë në jetë, ka filluar t`i puthë me radhë pretendentet ndërsa këto të fundit ndihen keq por thonë ashtu “është formati”...duke pritur se cilën do të zgjedhë “Sulltani”. Këtë skenë të pështirë e dëshmon gjithë shoqëria jonë pa asnjë reagim!

Femra që s`pyesin për asgjë: mjaftohen me paraqitjen e jashtme—dhe me orgazmën e syve. Thënë ndryshe, emisioni përmbys rolin e mashkullit: kërkimin e tij. Femrat vendosen në konkurrencë për një mashkull, njëlloj si në heremin e Sulltanit dhe princave të tij ose si në filmat pornografikë: kërkojnë në vend të kërkohen! Nuk kërkojnë ta lodhin mashkullin por lodhen ato për mashkullin!   

Shkurt, “Përputhen” është i dëshirueshëm si emision por duhet të rikonceptohet me synim pedagogjik ndërsa “Love Story” është i padëshirueshëm.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA