...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Politika e kërbaçit ndaj Ballkanit Perëndimor, arsyet e krijimit të “Jugosllavisë së re” dhe CEFTA

Qeveritë e tre shteteve shqetësoheshin nga mbikqyrja ndoshta dhe nga mbështetja financiare dhe logjistike e BE-së nga një vend anëtar për realizimin e projektit të Berlinit dhe për pasojë, krijuan një proces paralel me të: “të pavarur”.

SHJ

09/08/2021 - 10:06

“Plani i Brukselit, citonte FT një ditë përpara se Komisioni Evropian të njoftonte “metodologjinë” e re, synon së pari ‘zdërgjahjen’ e procesit të zgjerimit të BE-së duke u dhënë shteteve anëtare pushtet më shumë për të ndaluar ose përmbysur bisedimet e pranimit dhe duke krijuar kushtet për një përplasje të mundshme mes shteteve se nëse do t`i jepet Shkupit dhe Tiranës drita e jeshile. Plani citon se dështimi ose vonesat mbi reformat e domosdoshme nga vendet kandidate në bisedime mund të çojë në rastet më serioze në vonimin ose pezullimin e bisedimeve ose në kapituj të mbyllur bisedimesh që janë rihapur ose rirendur. Plani citon gjithashtu për nxitës të përmirësuar për kandidatët mirëzbatues duke përfshirë rritjen e fondeve dhe investimeve dhe përputhje më të madhe me politikat e BE-së, tregjet dhe programet në sektorë ku përparim është shënuar”.

Por vetë fakti që plani u jepë shteteve anëtare pushtet më shumë për të gjykuar kandidatët për anëtarësim - e bënë procesin më të gjatë dhe më të vështirë. Sidoqoftë, qasja e BE-së nuk ka ndryshuar shumë me këtë plan; domethënë, përdorimi i politikave të “kulaçit dhe kërbaçit”—ku “kulaçi” janë fondet dhe investimet dhe “kërbaçi” reformat dhe ndëshkimet. Thjesht me këtë plan theksohen politikat përkatëse meqë Franca e Makronit “hodhi vickla”.

Pas njoftimit të FT, planit iu shtuan dhe parimet (Brukseli parimet i quajti edhe “metodologji”!): besueshmëria, parashikueshmëria, dinamizmi dhe drejtimi më i fuqishëm politik ndërsa rishikohen disa aspekte të procesit të bisedimeve: nga ana teknike, zëvendësohen kapitujt e deritanishëm në 6 blloqe. Bisedimet për secilin grupim do të hapen si një e tërë. Për grupin e parë, ku përfshihen kapitujt që kishin të bënin me shtetin e së drejtës, do të hapen në fillim dhe do të mbyllen të fundit dhe përparimi i tyre do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave ndërsa parashikohen dhe penalizime...bisedimet mund të ndalen në rastet më serioze dhe të pezullohen plotësisht, dhe kapitujt e mbyllur mund të rihapen. Po ashtu përfitimet e tjera, edhe financiare, mund të ndërpriten ose të tërhiqen (Voa).

Luixhi Soreka, ambasadori i BE-së në vendin tonë, u përpoq ta sqaronte planin ose, sipas tij, “metodologjinë” e re të BE-së:

Përmes metodologjisë së re udhëheqësit evropian do të kenë të paktën një debat në vit në lidhje me punën që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor. Një hap tjetër është se BE do të përfshijë me shumë shtetet anëtare me monitorimin e ecurisë dhe procesi do të jetë më i parashikueshëm. Ne do të shikojmë të gjitha hollësitë, kriteret dhe kushtet që çdo aspirant duhet të përmbushë. Procesi do të jetë më dinamik, do të krijohen kapituj të ndryshëm…kjo do të bëhet përmes grupimeve të kapitujve, ne do të kemi 6 fusha me 35 kapituj, edhe për negociata puna do të jetë më gjithpërfshirëse dhe s’do jetë e ndarë. Është bërë një thirrje që shetet anetarë ta kthejnë pas procesin e bisedimeve në rast se do të ketë hapa pas. Pra BE-ja do të mund të pezullojë negociatat nëse kjo do të jetë e nevojshme, kjo metodologji po diskutohet në Komision dhe me mendje se kjo tashmë i përmbush kërkesat e shteteve anëtare dhe ne mendojmë se po ecim në rrugën e duhur për çeljen e bisedimeve në pranverë...

Por është e qartë se ai ose vërtet s`e kupton qasjen e re të BE-së ose bën sikur s`e kupton: sepse nuk mund të pranojë edhe pushtet të zgjeruar për shtetet anëtare për të gjykuar aspirantët e rinj edhe çeljen e bisedimeve në pranverë! Sidoqoftë, nga parimet e shtuara, mund të veçojmë njërin: “drejtim më të fuqishëm politik” — sepse ai nënkupton “politikat e kërbaçit” në një shkallë më të lartë se “politikat e kulaçit”!

Kujtoj se në maj të vitit 2019-të Komisioni Evropian i rekomandoi Këshillit të Evropës të hapte pa kushte negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së V. në BE.  Po të njëjtin vit, në korrik, u zhvillua mbledhja vjetore e Procesit të Berlin në Poznan të Polonisë, ku janë diskutuar disa çështje si lidhur me Ballkanin Perëndimor ashtu dhe lidhur me BE-në dhe nevojat për të mundësuar zgjerimin. Pas katër mujash nga rekomandimet e Komisionit Evropian, Unioni Kristdemokrat dhe Unioni Kristsocial (CDU/CSU) gjerman parashtroi nëntë pika për Shqipërinë si parakushte për fillimin e bisedimeve:

Funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; miratimi i reformës zgjedhore; zbatimi i reformës zgjedhore; ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar vettingun; ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK; rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapjen dhe ndjekjen penale të personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”; përparime në reformën e administratës publike; sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Sipas bundestagut gjerman Shqipëria duhet të plotësonte këto nëntë parakushte që të fillonte bisemidet ndërsa Maqedonia e V. mund mund t`i fillonte që në janar të po të njëjtit vit: 2019.

Ndërsa Shqipëria përparoi disa nga kërkesat gjermane, bisedimet nuk filluan as në korrik të vitit 2021 kur gjithë shtetet anëtare miratuan fillimin e bisedimeve me Shqipërinë përveç Maqedonisë së V. e cila u bllokua nga vetua bullgare, sepse Sofja kërkon që Shkupi të pranojë se kombi dhe gjuha e saj kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron t`i japë fund retorikës anti-bullgare që zhvillohet në vendin fqinj ndërsa “maqedonët” thonë se identiteti dhe gjuha e tyre nuk janë çështje të hapura për diskutim...dhe për të njëjtën arsye treshja “Rama+Vuçiç+Zaev” u hodhën në “kundërsulm”: duke krijuar si fillim “minishengenin” dhe më pas “Ballkanin e Hapur”. Një nga arsyet se pse Rama, Vuçiçi dhe Zaevi “braktisën” CEFTA-n dhe Procesin e Berlinit përmes si fillim “minishengenit” dhe më pas “Ballkanit të Hapur”, e rrëfeu vetë Zaevi pas mbledhjes në Poznan të Polonisë:

“Po, gati të gjitha projektet janë të përfshira në CEFTA dhe Procesin e Berlinit, por ka një dallim të rëndësishëm. Tek CEFTA dhe Procesi i Berlinit, bashkëpunimi ynë është gjithmonë i mbështetur e monitoruar nga një vend anëtar i BE. Në këtë rast, kjo është iniciativë e jona, autentike dhe imediate për t`i përshpejtuar këto procese”. 

Domethënë, qeveritë e tre shteteve shqetësoheshin nga mbikqyrja ndoshta dhe nga mbështetja financiare dhe logjistike e BE-së nga një vend anëtar për realizimin e projektit të Berlinit dhe për pasojë, krijuan një proces paralel me të: “të pavarur”. Por ngaqë procesi i tyre “autentik” ka nevojë për mbështetje financiare, logjistike dhe ekspertizë, Procesi i Berlinit me nismat e tij bëhet i pashmangshëm.

CEFTA ose “Marrëveshja e Evropës Qendrore për Treg të Lirë”, u krijua në dhjetor të vitit 1992 nga “Grupi Visegrad” ose “Visegrad Katra” ose shkurt “V4”: Çekia, Hungaria, Polonia dhe Slovakia. Grupi synonte hyrjen në BE përmes bashkëpunimit më të mirë dhe mobilizimit të përpjekjeve për t`u integruar në institucionet e Evopës Perëndimore që e realizuan në 1 maj të vitit 2004 kur u bënë të gjithë anëtarë të unionit. Grupi u nxit nga dëshira për të zhdukur mbetjet e bllokut komunist në Evropën Qendrore dhe për të tejkaluar armiqësitë historike mes vendeve përkatëse. Kjo nismë u zgjerua në shtator të vitit 2006 në Bukuresht për Ballkanin Perëndimor dhe synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe hyrjen në BE të rajonit, me 7 anëtarë: Shqipërinë, Bosnjen dhe Herzegovinën, Kroacinë, Maqedoninë, Moldavën, Malinezi, Serbinë dhe UNMIK-u në emër të Kosovës në përputhje me vendimin 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së. Në atë vit Bullgaria dhe Rumania u tërhoqën nga marrëveshja pasi hynë në BE dhe në vitin 2013 u tërhoq dhe Kroacia për të njëjtën arsye. Mbledhjet e CEFTA-s zhvillohen çdo vit dhe kryesohen me radhë nga presidenca e një prej katër anëtarëve fillestar.

Një arsye tjetër është fakti se Procesi i Berlinit në mbledhjen e Poznanit miratoi zhvillimin e mbledhjeve një herë në dy vjet dhe jo çdo vit, si më parë. Ndaj dhe mbledhja e radhës që lidhet me Procesin e Berlinit pritet të zhvillohet këtë vit. CEFTA dhe Procesi i Berlinit, në fjalë të tjera, plotësojnë njëri tjetrin dhe të dy mbikqyrin anëtarët e CEFTA-s. Përpjeka e Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, rrjedhimisht, për t`u shkëptur nga ky “format” është —të paktën aktualisht— e kotë: sepse në bazë të gjithë këtyre “formateve” qendrojnë katër liritë dhe integrimi në BE dhe më tej në globalizmin neoliberal. Kështuqë sido që ta quajnë atë - nuk ndryshon asgjë nga thelbi i tij: braktisjen e sovranitetit kombëtar dhe përfshirjen e shteteve anëtare në institucionet supranacionale, një orientim që krijon kushtet për një elitë mbikombëtare dhe shkombëtarizimin e popujve evropianë!  

Një propozim të ngjashëm bëri Vuçiçi në shkurt të vitit 2017 kur i paraqiti kancelarit austriak, Christian Kern, një dokument përmes të cilit synonte themelimin e një tregu të lirë dhe bashkim doganor për Ballkanin Perëndimor. Ai i tha kancelarit se Shqipëria dhe Bosnja dhe Herzegovina ishin pajtuar me propozimin e tij. Vuçiçi e quajti “Jugosllavia e vjetër, plus Shqipëria”. Idenë e tij e vërtetoi dhe “Pilitico”, një organizatë lajmesh që vepron në Evropë dhe SHBA.  Ishte pikërisht raporti përkatës që shfrytëzoi Berisha duke akuzuar Ramën për krijimin e “Jugosllavisë së re” dhe duke i dhënë karakter të fshehtë! Vuçiçi argumentoi në atë kohë në mbledhjen e Triestes se CEFTA nuk mjafton; sipas tij, “nevojitet bashkëpunim më i thellë me qëllim që të arrihet rritje ekonomike domethënëse”. Lidhur me këtë propozim Rama s`ka folur gjëkundi. Ndoshta ngaqë nuk e kanë shtrënguar gazetarët!

Sidoqoftë, është e qartë se “ideja e Vuçiçit” —që nuk është fare e tij por është pasojë e orientimit të Serbisë për t`u integruar në BE dhe kopje e “idesë evropiane” të shekullit të kaluar, CEFTA-s dhe Procesit të Berlinit— realizohet përmes një emri tjetër ndërsa propaganda e Berishës dhe PD-së në përgjithësi (kur tregojnë se Rama po krijon “Jugosllavinë e Re” me Vuçiçin, është mashtruese sepse anëtar në CEFTA na bëri pikërisht Berisha!). CEFTA dhe “Jugosllavia e re”e Vuçiçit kanë vetëm një ndryshim: në rastin e parë platforma drejtohet me radhë nga katër anëtarët; në rastin e dytë, platforma —me më shumë anëtarë— kopjohet nga CEFTA dhe drejtohet nga katër anëtarët fillestar. Por të dyja si platforma janë të orientuara drejt BE-së dhe globalizmit neoliberal.            

Pjesë nga studimi i Ylli Përmetit por këshillohet të lexohet gjithë studimi

Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA