...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Profkat e Shehajt mbi lekun/euron dhe rritjen ekonomike

Shehaj synon tërësisht të kundërtën e Trampit: humbjen e plotë të pavarësisë ekonomike, sepse leku zë përqindjen më të madhe të pavarësisë sonë ekonomike

Ylli Përmeti

10/04/2025 - 13:07

Sikur të mos mjaftonin Berisha dhe Rama me profkat e tyre, por dhe shumë profkëmëdhenj të tjerë pas tyre, njerëz tejet të papërgjegjshëm, të një shkalle që kalon shkallën e një rrugaçi, por që “drejtojnë” shtetin, tani na u shtuan dhe këta të “rinjtë”: Shehaj, për shembull, tha para pak ditësh në televizionin e zvetënuar të quajtur “Euronews”, se mirë do të ishte të zëvendësohej leku me euron pavarësisht se humbasim, sipas tij, “politikën monetare”. Ai e përligj kërkesën përkatëse me “përlyerjen” apo “skandalet” e drejtorisë së bankës sonë kombëtare.

Me siguri, këtë synim Shehaj do ta realizojë kur të bëhet kryeministër, se dëshira e tij nuk mund të realizohet nga Rama, kryesorosisti` dhe kryeneoliberali Shqipërisë, meqënse deri tani s`e ka përmendur.

Ai tha gjithashtu se ai “beson” në një shtet të vogël dhe si pasojë do të “shtrydhë” administratën publike, me qëllim që të kursejë 1 miliard euro, sepse “ne jemi një forcë e djathtë që besojmë tek individi jo tek shteti”, tha ai. Pak a shumë siç po vepron Trampi këto ditë në SHBA por me një ndryshim të madh: ai po përpiqet të rrisë pavarësinë ekonomike ndërsa Shehaj s`ka thënë asgjë për të!

Madje, po të mendojmë se ai kërkon të zëvendësojë lekun me euron, bëhet e qartë se Shehaj synon tërësisht të kundërtën e Trampit: humbjen e plotë të pavarësisë ekonomike, sepse leku zë përqindjen më të madhe të pavarësisë sonë ekonomike. Shehaj këputi dhe një profkë tjetër: se ai do ta rrisë ekonominë “me mbi 10%”, ndryshe Shqipëria do të “vazhdojë të jetë një vend i varfër”.

Profka të ngjashme lëshon Berisha dhe Rama prej vitesh. Megjithatë, mirë do të ishte t`i kujtonim fuçkos së radhës, që bëri disa miliona euro kryesisht përmes shfrytëzimit të krahut të lirë të punës dhe beson tani se mund të drejtojë dhe shtetin, se për “lekun” tonë apo për të krijuar bankën dhe monedhën tonë kombëtare, qeveria e parë e Ismail Qemalit vuajti shumë dhe në fund shtroi binarët për të tjerët.

Ja se ç`thotë Ismail Qemali pasi themeloi bankën tonë kombëtare: “E them me lavdërim se puna e bankës për Shqipërinë është një i dytë fitim, pas lirisë [politike], edhe nga pikëpamja ekonomike edhe politike”.

Qëllimi` tij, në fjalë të tjera, nuk ishte thjesht pavarësia politike por dhe ekonomike dhe ajo lidhet drejtpërdrejt me bankën dhe monedhën tonë kombëtare ndërsa e Shehajt krejt e kundërta, thjesht sepse në drejtorinë e saj janë disa të zvetënuar!

Si mund të mos jenë të zvetënuar drejtuesit e bankës sonë kombëtare kur në krye të shtetit është një kryeministër i zvetënuar?! Kaq e vështirë është të kuptojmë se shteti fillon dhe ndreqet kur ndryshon “kokën” e tij dhe jo duke braktisur bankën dhe monedhën tone?!

Sa për rritjen dyshifrore të rritjes ekonomike, Shehaj duhet të kishte kuptuar kaq vite se është pabarazia, të cilën e krijon kuadri institucional dhe klasa politike me politikat e saj neoliberale, të cilat ai synon t`i vazhdojë, që krijon varfëri e mjerim dhe jo rritja e ulët ekonomike. Ndoshta lexon ata fyçkot e Monitorit dhe “frymëzohet” nga profkat e tyre, sepse ata qarkullojnë teza të tilla!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA