...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Propaganda kriminale e medias së Berishës dhe vizita tradhtare e Kurtit në Athinë

Si e shikon Athina mbledhjen përkatëse: se ajo kërkon të ketë një rol udhëheqës në Evropën Juglindore

Ylli Përmeti

22/08/2023 - 08:35

Ka lajthitje të gjithanshme në kohën tonë dhe për çdo çështje! Për shembull, për t`i dhënë rëndësi vajtjes së Kurtit në Athinë, pas ftesës së Miços, dhe t`u përgjigjen atyre që kërkuan refuzimin e ftesës nga Kurti, ca në emër të solidarizimit me Ramën dhe ca si unë në emër të qëllimeve greke në Shqipëri, ata të Syrit po i thonë popullit se “Greqia pranon de facto pavarësinë e Kosovës”, pikërisht sepse u ftua! Me siguri propagandën e tyre do ta ndjekin dhe media të tjera.

Qoftë edhe Vuçiçi lajthiti (edhe një herë) dje: tha se ishte “një sjellje e çuditshme nga Athina, nuk e kuptoj, por kjo është një pyetje për ata që na ftuan. U ftua edhe Prishtina, edhe pse Greqia nuk e njeh zyrtarisht”.

Në fakt, vajtja e Kurtit në Athinë nuk shërben për asgjë, as për njohje jozyrtare, pavarësisht se ftesa e Athinës e nënkupton një lloj njohjeje; por njësoj e nënkupton Vuçiçi kur pranon të ulet të bisedojë me Prishtinën.

Kështuqë, ata që thonë këtë broçkull kanë qëllime propagandistike dhe sigurisht kriminale meqënse mbulojnë paralelisht qëllimet gjeopolitike të Athinës dhe Beogradit, të cilat po i përparojnë me ndihmën e vyer të Uashingtonit, Tiranës dhe Prishtinës dhe sigurisht syleshëve që nuk lexojnë asnjë studim e analizë lidhur me qëllimet dhe ndihmën në fjalë.

Nëse do t`i kategorizoja njerëzit në fjalë, ata do t`i përkisnin dy kategorive: në ata që bëjnë ç`është e mundur për të ruajtur pushtetin dhe për të shitur atdheun dhe syleshët që s`lexojnë gjeopolitikë as rajonale dhe as botërore. Me të tillët sigurisht do të shkojmë keq e më keq!  

Vlen të përmendet fakti se si e shikon Athina mbledhjen përkatëse, që të kuptojmë tradhtinë e Kurtit: se ajo kërkon të ketë një rol udhëheqës në Evropën Juglindore. Këtë rol ia kanë njohur si në Uashington ashtu dhe në Bruksel. Madje e mbështesin prej vitesh dhe e shikojmë dhe praninë e dy krerëve kryesorë të Brukselit në mbledhje. Ky rol përputhet me doktrinën e politikes së jashtme greke të cilën e ka sqaruar mjaft qartë Koxhiasi: se Athina kërkon të jetë hegjemoniste në rajonin tonë, me gjithçka nënkupton ky rol.

Mirëpo, të njëjtin rol kërkon dhe Beogradi dhe ai po e përparon atë me ndihmën e Uashingtonit dhe tradhtarëve dhe syleshëve tanë.

Thënë, në fjalë të tjera, Kurti shkoi në një mbledhje për të miratuar rolin hegjemonist të Athinës mbi shqiptarët: sepse vajtja dhe pjesëmarrja e tij e nënkupton këtë lloj njohje. Si duhet ta quajmë një kryeministër të tillë? Patriot apo tradhtar?! Është e qartë se bëhet fjalë për një tradhtar të përmasave të frikshme, jo vetëm sepse nuk fiton asgjë me vajtjen e tij atje por ‘përligj’ rolin hegjemonik dhe sigurisht kriminal të Athinës mbi popujt e Evropës Juglindore dhe veçanërisht mbi popullin tonë.

Sigurisht që Uashingtoni dhe Brukseli nuk i thotë Athinës që të përparojë qëllime gjeopolitike si ato që lidhen me vendin tonë por as e ndalojnë atë; madje me pushtetin ushtarak që ajo po zhvillon, me ndihmën e vyer të Uashingtonit, ka mundësi të na kërcënojë kur dhe si të dojë nëse nuk u bindemi “epsheve” të saj. 

Gjykuar nga këto fakte (ku bëjnë pjesë dhe qëllimet e Athinës dhe Beogradit) nuk do të ishte e çuditshme përmbajtja e deklaratës pas mbledhjes: se “Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian”, siç u deklarua 20 vjet më parë në Selanik, por këtë herë, për shkak të luftës në Ukrainë, ky objektiv bëhet më “aktual se kurrë”!

Përmes kësaj qasje “fshihen” dhe qëllimet gjeopolitike të Athinës dhe Beogradit. Sigurisht, në deklarata të këtij lloji, sepse në politikën e jashtme ata e kanë bërë të qartë qëllimin e tyre: hegjemoninë në rajon. Kjo qasje, për më shumë, përputhet dhe me qëllimet e Uashingtonit në rajon: integrimin e tij në institucionet mbikombëtare dhe “drejtimin” e tij nga elita mbikombëtare në bashkëpunim me elitat kombëtare të cilat i parafabrikojnë me ndihmën e vyer të Sorosit. 

Kurti, në fjalë të tjera, shkoi në Athinë për “lesh” dhe u kthye i “qethur”: “leshi” ishte njohja e pavarësisë së Kosovës nga Athina ndërsa “qethja” vazhdon me bashkëpunimin ekonomik me Greqinë, sepse hamendësisht beson se duke shtuar bashkëpunimin ekonomik me të do të shpërblehet nga ajo me njohje dhe “njohja” e hegjemonisë së Greqisë ndaj popullit tonë!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA