...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse elitat komuniste luftojnë sjelljet vulgare (sharjet etj.) në publik?

Çdo fëmijë rritet në një shoqëri dhe çdo shoqëri flet së pari gjuhën zakonore (gjuhën e veshit, siç e dëgjon atë) dhe pastaj gjuhën shkencore (gjuhën e njëjtësuar) nëse e mëson dhe e dashuron atë. Në këtë proces, fëmija mëson dhe shprehitë e ndyra që dëgjon nga pararendësit dhe ngaqë në sistemin edukativ nuk është themeluar ndonjë lëndë mësimore që të zhvillojë virtytet etike (vetëpërmbajtjen etj.) dhe familjet dominohen nga dinamika shoqërore, ku mbizotëron fjala zakonore se sa fjala shkencore, edhe nëse ndonjë familje edukon fëmijët në mënyrë të tillë që ata të mos përdorin fjalë të pista apo vulgaritet në sjellje, ata nuk mund të ndryshojnë dinamikën tërësore të shoqërisë ku jetojnë. Ja pse themi se kjo çështje duhet të jetë pjesë e sistemit edukativ të shoqërisë me qëllim që dinamika shoqërore të ndihmojë dhe familjet në edukim.

Ylli Përmeti

30/06/2021 - 16:57

Me dobi do të ishte shqyrtimi i kuptimit të elitave komuniste të shekullit të kaluar dhe këtij shekulli lidhur me sjelljet vulgare — sharjet etj. Koreja e Veriut miratoi së fundmi një ligj që ndalon çdo ndikim të huaj duke dënuar çdonjërin që sheh filma të huaj, vishet me rroba të huaja ose qoftë edhe kur përdor gjuhë vulgare. Këto sjellje, sipas saj, janë mendime reaksionare. Çdokush që kapet me sasi të madhe mediash nga Koreja Jugore, SHBA-ja ose Japonia tani përballet me dënim me vdekje. Ata që kapen duke parë përballen me 15 vjet burg. Ai shkroi një letër për mediat shtetërore duke i bër thirrje Lidhjes Rinore të vendit të shtypin çdo “sjellje të pashijshme, individualiste, kundër-shoqërore” mes njerëzve të rinj. Ai kërkon të ndalojë gjuhën e huaj, stile flokësh dhe veshje të cilat ai i përshkroi si “helme të rrezikshme”. Ligji citon se nëse një punëtor kapet, drejtuesi i një ndërmarrjeje mund të dënohet, dhe nëse një fëmijë është problematik, prindërit mund të dënohen gjithashtu. Kimi synon të “shuajë” çdo ëndërr ose magjepsje të mundshme mes gjeneratës së re që mund të ketë për Jugoren, sepse një lloj rezistence mund të krijohet nëse paraqiteshin kultura nga vende të tjerë.

Që të kuptohet drejt çështja duhet të lexohet studimi që vijon: Ylli Përmeti: Pse shajnë njerëzit dhe si mund ta tejkalojmë?

Elita komuniste e Enver Hoxhës kishte thuajse të njëjtin kuptim—domethënë, sjelljen me tipare të huaja (flokë të gjatë etj.) e quante reaksionare. Por në dijeninë time nuk kishte miratuar ligje të llojit që ka miratuar elita e Kimit në Korenë Veriore: ajo e luftonte sjelljen “reaksionare” kryesisht përmes edukimit se sa përmes ligjeve. Siç argumenton Hamit Beqja, profesor dhe themelues i pedagogjisë komuniste të shekullit të kaluar:

Një luftë e madhe duhet bërë kundër përdorimit të fjalëve vulgare, sidomos nga brezi i ri dhe veçanërisht nga djemtë. Shumë prej tyre i përdorin ato me njëri-tjetrin, por edhe në mjedise publike. Madje edhe në bashkëbisedim me vajza. Shpesh kjo bëhet si pa gjë të keq, ndonjëherë për origjinalitet dhe përligjet me atë që jemi midis nesh, jemi shokë e shoqe. Mirëpo vulgariteti nuk ka asgjë të përbashkët me afërsinë e shoqërinë e vërtetë. Nuk është i hijshëm as përdorimi pa vend i fjalëve me dy kuptime, me nëntekste e aludime. S`është çështja për rastet kur në bisedë kërkohet humor, ndoshta dhe ndonjë thumbim i lehtë. Në vendin  e në rastin e duhur ato mund të shkojnë, por është i rëndë sidomos përdorimi i tyre kur përmbajnë doza vulgariteti apo nuanca fyese. Në disa mjedise rinore, sidomos studentore ka prirje për të përdorur edhe disa shprehje të veçanta të cunguara, për të krijuar njëfarë zhargoni studentor. Kështu në vend të “natën e mirë” thuhet thjesht “natën” , ashtu si në vend të “ditën e mirë” — “ditën”. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me gjymtime gjuhësore, por edhe me mungesa e shkelje të ndjeshme etike. Edhe më i rëndë është përdorimi i fjalëve banale, sharëse e fyese. Ky është një zakon i keq që vjen nga e kaluara hidhur. Më të poshtrën e më të përbindshmen nga këto shkrimtari i madh proletar Maksim Gorki quante atë “me nënë”. Dhe vërtet, a ka gjë më të rëndë, kur rëndomazi, ndonjë herë pa e ditur edhe vetë se ç`bën, një herë tjetër për “kolorit e origjinalitet”, njeriu, si pa gjë të keq, fut në bisedë fjalë tepër fyese për nënën. Dhe kë fyejmë kaq rëndë, me kaq brutalitet dhe egërsi? Njeriun më të shtrenjtë në jetë. Siç thotë populli, atë që na ka bërë kokën. Dhe harrojmë se këto sharje poshtëruese e kanë zanafillën e parë pikërisht në gjendjen tepër poshtëruese të femrës në shoqëritë shfrytëzuese. Prandaj, jashtë ato nga fjalori ynë! Asnjë kolorit, asnjë orgjinalitet nuk i japin ato të folurit! Ato janë thjesht një fyerje tepër poshtëruese, një atavizëm i rëndë shekullor që ne duhet ta flakim tutje me përbuzje. Por kjo nuk është e lehtë të arrihet menjëherë. Puna duhet filluar që në fëmijëri, sepse pikërisht atëherë, pa ditur se çfarë bën, njeriu fillon ta mësojë e ta përvetësojë atë.  

Më tej autori nuk lë pa përmendur dhe sjellje të tjera të kritikueshme, si të “intelektualëve” që nuk dallojnë dot se kujt i drejtohen kur flasin me gjuhë të pakuptimtë duke i këshilluar ata se “intelektual” është ai që përdor një gjuhë të kuptueshme, të bukur dhe të thjeshtë dhe sipas rastit.

Por është e qartë se shkaqet se pse njerëzit përdorim vulgaritetin dhe shajnë nuk kuptohen drejtë nga Beqja: sepse çdo fëmijë rritet në një shoqëri dhe çdo shoqëri flet së pari gjuhën zakonore (gjuhën e veshit, siç e dëgjon atë) dhe pastaj gjuhën shkencore (gjuhën e njëjtësuar) nëse e mëson dhe e dashuron atë. Në këtë proces, fëmija mëson dhe shprehitë e ndyra që dëgjon nga pararendësit dhe ngaqë në sistemin edukativ nuk është themeluar ndonjë lëndë mësimore që të zhvillojë virtytet etike (vetëpërmbajtjen etj.) dhe familjet dominohen nga dinamika shoqërore, ku mbizotëron fjala zakonore se sa fjala shkencore, edhe nëse ndonjë familje edukon fëmijët në mënyrë të tillë që ata të mos përdorin fjalë të pista apo vulgaritet në sjellje, ata nuk mund të ndryshojnë dinamikën tërësore të shoqërisë ku jetojnë. Ja pse themi se kjo çështje duhet të jetë pjesë e sistemit edukativ të shoqërisë me qëllim që dinamika shoqërore të ndihmojë dhe familjet në edukim.

Në fakt, elita e kohës e kishte realizuar në shkallë të lartë këtë objektiv shekullin e kaluar përmes “çensurës” në shtyp dhe televizionit shtetëror, orientimit shkencor të shoqërisë dhe “luftës” kundër sjelljeve vulgare dhe banale në kolektiv. Por siç edhe rrëfen Beqaj, rinia e kohës prirësh të përdorte sjelljen vulgare (sharjet etj.). Pse? Pikërisht sepse kjo çështje nuk ishte lëndë mësimore në shkolla. Në kohën tonë kjo çështje është braktisur nga qeveria. Edhe nëse ka miratuar një ligj për mediat, sipas të cilit, ato duhet të përdorin një fjalor të bukur (edukativ) dhe të kuptueshëm, është e qartë se ligji nuk zbatohet as nga mediat as e mbikqyr institucioni përkatës (AMA) objektivin e tij. Gazetarët, bashkë me partitë politike, të cilat kanë krijuar mediat përkatëse për t`u shërbyer atyre se sa të vërtetës dhe gjuhës sonë të bukur, janë përfshirë në poshtërimin e gjuhës shqipe saqë nuk përdorin vetëm fjalët e huaja të politikanëve profesionistë kur përcjellin realitetin apo qendrimet e tyre por thuajse gjithë programet televizive quhen me fjalë të huaja! Poshtërimin e gjuhës sonë nuk e ndihmojnë as ata që e quajnë veten “komunist”: sepse jo vetëm që nuk i luftojnë sjelljet vulgare por janë bërë më vulgarë se vulgarët e qeverive...në kohën kur rinia jonë sheh filma të huaj ku fjalët e pista përdoren me shumicë!                           

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA