Pse nuk e njeh Greqia pavarësinë e Kosovës?
Njohja nga Greqia e Kosovës është e rëndësishme por më e rëndësishme është njohja nga Rusia, sepse kryesisht kjo e dyta mund ta parandalojë një luftë në rajon
Ylli Përmeti
24/08/2023 - 17:12
Njohja nga Greqia e Kosovës është e rëndësishme por më e rëndësishme është njohja nga Rusia, sepse kryesisht kjo e dyta mund ta parandalojë një luftë në rajon. Greqia mund të krijojë me Serbinë një aleancë për të balancuar qëllimet e tyre hegjemoniste në rajon si në të kaluarën dhe të dy vendet mund të turren ushtarakisht edhe një herë për të zhvatur ndonjë llokmë tjetër nga atdheu ynë qoftë dhe me “tolerancën” e superfuqive duke përfshirë dhe SHBA-në. Por si njëra ashtu dhe tjetra nuk janë anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB për të “vulosur” zhvatjet e tyre. Ndaj njohja ruse është gati vendimtare për të parandaluar luftrat në rajonin tonë.
Por cilat janë arsyet e mosnjohjes greke të shpalljes së pavarësisë së Kosovës?
Ministria e jashtme greke thotë se Greqia “ndjek një qasje politike dobiprurëse (konstruktive) kundrejt Kosovës, si pjesë e zotimit tonë për të fuqizuar paqen, qendrueshmërinë dhe nxitjen e zhvillimit në Evropën jug-lindore”. Kjo qasje përputhet me qasjen tjetër të saj, “ekstroverten” ose përqendrimin e saj në eksportin e veprimtarisë së saj politike dhe ekonomike. Lidhur me Kosovën ajo i shton dhe një komponent tjetër, të lidhur me qasjen e përgjithshme të saj: “përmirësimin e kushteve të jetës, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe fesë dhe trashëgiminë kulturore të saj”.
Ky zotim lidhet drejtpërdrejt me qasjen serbe në Kosovë për mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore atje por dhe me qëllimin e Athinës për të ruajtur pakicën fetare, ortodokse, dhe rrjedhimisht, ndikimin e saj politik përmes fesë. Për të njëjtën arsye, ajo mbështet qarkullimin e “lirë” të njerëzve ose qarkullimin pa viza në BE, nëse ajo u përmbahet kushteve të sapo përmendur. Ajo mbështet, gjithashtu, procesin e bisedimeve të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Beogradit, bazuar në politikën e themeluar greke për integrim evropian dhe evro-atlantik të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përfaqësohet diplomatikisht në Kosovë përmes UNMIK-ut dhe një zyre në Prishtinë, në EULEX dhe misionin e NATO-s (KFOR).
Ndërsa qasja dhe qëllimet e saj janë të qartë arsyeja kryesore se pse Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës lidhet me çështjet e saj të brendshme: pakicat e saj turke në Thrakë dhe Qipro. Këtë fakt e tregon dhe një analizë gjeopolitike, sipas së cilës, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës lidhet me çështje të ndjeshme që kanë dhe vende të tjerë, me të njëjtin qendrim, me fakte shqetësuese që natyrshëm burojnë nga çështje pakicash që përballen brenda tyre.
Më konkretisht, Athina shqetësohet me përpjekjet e Turqisë për njohjen e pakicës turke në veri të Qipros, pas luftës së vitit 1974, dhe përpjekjet e pakicës turke që jeton në Greqi për pavarësi. Madje ajo shqetësohet se mos Kosova shërben si shembull për pretendime të njëjta nga pakicat kombëtare joserbe në Serbi. Për të njëjtën arsye, analiza në fjalë argumenton se nëse Greqia njeh pavarësinë e Kosovës ajo do të quhej “dështim gjeopolitik” sidomos në koniukturën e tanishme gjeopolitike ku “helenizmi” nuk ka luksin të pranojë.
Këto shqetësime ajo i ka biseduar dhe me Uashingtonin dhe ky i fundit e mirëkupton. Ndaj dhe përpjekja e Prishtinës për të “fituar” njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Athina është dhe do të jetë një përpjekje e kotë. Njësoj duhet të kuptohen dhe “premtimet” e Uashingtonit se ai do të “punojë” për të bindur aleatët e tij në aleancën evro-atlantike (Spanjën etj.) për të njohur Kosovën.
Një arsye tjetër se pse Greqia nuk do ta njohë Kosovën, të cilën ajo nuk e shpreh publikisht por me siguri e mendon si mundësi, është se nëse ajo njihet nga Athina, jo vetëm që do të prishë marrëdhëniet me Serbinë, aleaten e saj shekullore kundër shqiptarëve, por dhe sepse njohja e saj do të krijonte kushtet për bashkimin e saj me Shqipërinë dhe një “Shqipëri e Madhe”, për Athinën dhe Beogradin, është e padëshirueshme, sepse së pari balancon pushtetin e Beogradit dhe së dyti mund të kërcënojë si qendrueshmërinë në rajon ―siç e kuptojnë ata― ashtu dhe Greqinë: sepse një Shqipëri më e fuqishme në rajon do të ngrejë çështjen “çame” dhe do të krijonte kushtet për krijimin e një pakice tjetër kombëtare në Greqi karahas pakicës turke.
Këto pengesa rajonale janë një tjetër arsye se pse nuk duhet të ndjekim strategjinë e Uashingtonit dhe BE-së për rajonin por të drejtën ndërkombëtare.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 44 reads