...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse Shqipëria rrezikon nga pandemitë dhe si i zhduku Enver Hoxha?

Me këto parakushte —me kanale, moçale dhe këneta ku shkarkohen ujëra të zeza dhe kimikate; me njerëz të pistë që hedhin mbejteje ku t`u teket, pështyjnë sekrecione me infeksione mbi trotuare ku shkelin njerëzit ndërsa nuk përdorin thuajse kurrë shami kur tështiten; me çlirime toksike në oksigjen (nga automjetet, sobat etj.); dhe ushqimet plotë me kimikate, sistem imunitar të dobët dhe ngrohjen globale, dhe me një klasë politike dhe qeverisje kryekëput idiote për të kuptuar efektin e politikave të saj dhe një sistem arsimor po aq idiot për të kuptuar shkaqet se pse njerëzit nuk zhvillojnë virtytin e pastërtisë dhe se si zhvillohet ky lloj virtyti— nuk do të ishte e çuditshme që të infektohemi jo vetëm me kronavirusin kinez por dhe me viruse të tjerë shumë më të rrezikshëm, “made in Albania” dhe jo në Kinë, pas shpërthimit të të cilit të vdesin me mijëra njerëz!

Ylli Përmeti

17/02/2020 - 13:29

Thashethemin se koronavirusi është krijuar në një laborator kinez ku shpëtoi pasi ishte ndryshuar gjenetikisht e kundërshtoi mes shumë të tjerëve një amerikan, Trevor Bedford, nga qendra kërkimore e kancerit Fred Hitschinson në Seattle, të cili tha se s`ka asnjë fakt për “inxhinieri gjenetike” por “fakti që kemi është se mutacionet [në virus] janë tërësisht të përputhshme me evolucionin natyral”. Ai kundërshtoi qoftë edhe pretendimin se virusi mund të ketë infektuar njerëzit përmes gjarpërinjve apo peshqve. Skenari më i mundshëm, bazuar në analizën gjenetike, sipas tij, është se virusi kaloi nga një lakuriq në një gjitar tjetër 20-70 vjet më parë. Kafsha ndërmjetëse —ende e paidentifikuar— e kaloi virusin si fillim tek njerëzit e Uhanit vonë në nëntor ose herët të në dhjetor. Deri tani studiuesit rreth botës kanë publikuar vijueshmërinë gjenetike të virusit të marrë nga rreth 100 të sëmurë. Ata tregojnë mutacione që zhvillohen ngadalë ndërsa infeksioni kalon nga një person në tjetrin. Tipikisht virusi në një pacient është i ndryshëm në rreth pesë nga 30,000 shkronjat biokimike të kodit të tij gjenetik, por këto janë ndryshime rastësore se sa ndonjë shenjë që tregon se virusi po bëhet më virulentë ose infektues, tha mes të tjerash studiuesi.[6] Por studuesi nuk sqaron as se si u zhvillua virusi tek lakuriqët as edhe kuptimin e tij lidhur me “evolucionin natyral” të virusit! Hamendësisht sepse e ka të vështirë të kuptojë shkaqet se si krijohen viruset në mjedis.

Koronavirusi (Covid: 2019) dhe pandemitë botërore: shkaqet dhe rreziqet për Shqipërinë

Sidoqoftë, një shkrimtar shkencor, David Quammen, ka publikuar në vitin 2012 një libër me titull “Përhapja: Infeksionet e kafshëve dhe pandemia tjetër njerëzore” ku tregon se si ndryshimet ekologjike dhe sjellja njerëzore mund të ndërthuren dhe të zgjojnë një virus zoonotik (sëmundje që kalon nga kafshët tek njerëzit) më shkatërrues se çdo bio-armë e krijuar në laboratore: sipas tij, Ebola, Sars-i dhe Hiv-i, mes të tjerësh, janë rezultat i mikrobeve që kërcejnë nga kafshët tek njerëzit, gjithfarë përhapje zoonotike. Ai konkludon se janë pikërisht njerëzit që ushqejnë shkaqet dhe pastaj qahen. Më konkretisht, është prishja dhe shpërbërja e ekosistemit që zakonisht lejon mikrobe të izoluar tjetërsoj të fitojnë një anë dhe ndoshta të shkaktojnë një shpërthim. Sistemet shëndetësore, sipas tij, pajisen me mjekë të kualifikuar në mjekësi (medical degrees) por jo me titull shkencor për shëndetin publik (public health degrees). Ky lloj profesionisti kualifikohet si fillim në mjekësinë veterinare dhe më pas shton një titull në ekologji dhe ndoshta një titull mjeshtërie në shëndetin publik, me qëllim që të jetë dikush që shkon në pyll dhe fshatra që mbikqyr dhe ndihmon në reduktimin e rrezikut të përhapjeve dhe në përmbajtjen e tyre kur ndodhin shpërthime. Bashkë me ketë mjek duhet të jetë një mjek njërëzish dhe virologjist. Kjo është arsyeja pse është krijuar “Aleanca Ekoshëndet” — për të mbushur këtë boshllëk mes këtyre profesionistëve, në terma të realizimit të studimeve dhe për të edukuar publikun.[7]

Por qoftë edhe kjo qasje është problematike sepse kërkon ta zgjidhë kërcënimin e viruseve vetëm përmes sektorit të mjekësisë ndërsa fajëson dhe kafshët kur dihet se gjendja ekologjike nuk është shkaktuar thjesht nga “njerëzit” siç argumenton autori por veçanërisht nga elitat kapitaliste të dy shekujve të fundit me sistemin e tyre dhe veçanërisht nga elitat neoliberale të dekadave të fundit: gjendja alarmante ekologjike dhe viruset shkaktohen nga pushteti politik dhe mund të zgjidhet vetëm nga pushteti politik. Kujtoj se kur shpërtheu kolera në Londër shekullin e 18 njerëzit besonin se ajo përhapësh përmes “erës së keqe”. Por ishte studiuesi John Snow, babai i epidemiliogjisë moderne që tregoi se ishte uji dhe jo “era e keqe” shkaktar i kolerës...dhe ishte Ronald Ross që punoi 50 vjet për të kuptuar se si mushkonjat tejçonin malarien: ai tregoi matematikisht se malaria mund të eliminohësh duke zvogëluar numrin e popullatave të mushkonjave poshtë një niveli kritik në të cilin një sëmundje do të shuhësh pa shfarrosur çdo insekt.[8] Por kjo qasje sërish nuk lufton shkaqet e përhapjes së viruseve: sepse ajo lë ujin apo çdo hapësirë tjetër të infektuar të pa çinfektuar dhe vret vetëm tejçuesit: mushkonjat dhe insekte të tjerë! Dëftues është fakti se qasjen e Ross-it e ka përdorur qeveria “Rama” për të “çinfektuar” hapësirat e infektuara, duke treguar edhe një herë se nuk ka dije administrative të sëmundjeve. Kritika e popullit se Rama mbulon “bajgën me urinë”, rrjedhimisht, është e drejtë.

Paralelisht me këto zbulime u zhvilluan dhe vaksinat për t`u mbrojtur nga infeksionet e rrezikshme. Në këtë mënyrë —duke vrarë tejçuesit e viruseve dhe duke vaksinuar njerëzit— infeksionet e rrezikshme u kontrolluan në përqindjen më të madhe. Por ndryshe nga shekulli i kaluar kur ndotja e ekosistemit ishte më e vogël, në kohën tonë, ndotja është tejet e madhe ndërsa paralelisht ndryshimet klimatike ndihmojnë zhvillimin e viruseve të rinj. Ndotja dhe ndryshimet klimatike, në fjalë të tjera, janë parakushte “ideale” për zhvillimin e viruseve të rrezikshëm për jetën e planetit. Duke patur këto parakushte, ngrënia e kafshëve, të buta dhe të egra, bëhet edhe më e rrezikshme. Kujtoj se shekullin e kaluar Shqipëria nuk veproi sipas qasjes së studiuesit britanik të cilën e përdorën dhe po e përdorin edhe elitat perëndimore—vetëm duke vrarë mushkonjat— por thau kënetat dhe moçalet ku ushqeheshin mushkonjat: jo për të zhdukur malarien por kryesisht për të shtuar sipërfaqen e tokës së punuar pavarësisht se kjo politikë pati efekt anësor zhdukjen e malaries. Siç citon një e përditshme: 

Para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte tre sëmundje kronike të përhapura thuajse në të gjithë vendin që ishin sifilis, malaria e tuberkulozi. Malaria ishte më e përhapura prej tyre dhe llogaritet të ketë prekur rreth 500 000 banorë, ose gjysmën e popullsisë së vendit. Malaria u çrrënjos nga vendi dhe në vitin 1985 qeveria raportoi se asnjë rast malarieje nuk ishte parë në vend prej 20 vjetësh. 

Në fakt, Shqipëria e socializmit marksist dhe Enverit, dezinfektonte si njerëzit ashtu dhe automjetet kur hynin në dogana. Dëftues është fakti se dezinfektimin e të huajve nga Enveri e tregonte më shumë shtypi i huaj se sa shtypi i brendshëm. Në vitin 1972, për shembull, kur erdhi një ekip gjerman për të luajtur futboll, shtypi gjerman shkruante: “Aeroporti i Tiranës/ Shqipëri: Franci duhet të ngjyejë duart e tij në sapunin e lëngshëm dezinfektues. Kështu do të ngordhin të gjitha mikrobet kapitaliste. Vetëm pas kësaj atij do i lejohej hyjra”. Duhet thënë se kjo praktikë nuk parandalonte plotësisht epidemitë për sa kohë që viruset qendrojnë kryesisht brenda trupave të njerëzve se sa jashtë tyre. Por sidoqoftë, ajo parandalonte deri diku përhapjen e tyre. Duhet thënë, gjithashtu, se shekullin e kaluar epidemitë nuk mund të bëheshin pandemi sepse ndërveprimet mes shteteve ishin të pakët dhe ata që ndërvepronin, kontrolloheshin rreptësisht. 

Me braktisjen e socializmit marksist u braktisën dhe politikat bujqësore dhe bashkë me to, lindën sërish moçalet dhe kënatat. Por në një epokë tjetër: me ndotje më të madhe dhe kushte klimatike “ideale” për viruset. Durrësi, për shembull, është pushtuar nga moçalet dhe kënetat, shpesh herë pranë banesave, ku shkarkohen jo vetëm ujërat e zeza por dhe kimikate të ndryshme. Paralelisht, trotuaret dhe urbanët, nuk pastrohen kurrë nga zengjinët e rinj: sepse ngrihet kostua ndërsa njerëzit nuk kanë zhvilluar virtytin e pastërtisë! Me ‘pastrim’ të trotuarëve dhe urbanëve kuptoj jo vetëm fshirjen me fshesë të mbetjeve mbi rrugë dhe dysheme siç veprojnë puntorët e bashkive dhe fatorinot, por pastrimin e gjithçkaje mbi trotuare dhe brenda urbanëve (tubat, ndenjëset, xhamat etj.). Me këto parakushte —me kanale, moçale dhe këneta ku shkarkohen ujëra të zeza dhe kimikate; me njerëz të pistë që hedhin mbejteje ku t`u teket, pështyjnë sekrecione me infeksione mbi trotuare ku shkelin njerëzit ndërsa nuk përdorin thuajse kurrë shami kur tështiten; me çlirime toksike në oksigjen (nga automjetet, sobat etj.); dhe ushqimet plotë me kimikate, sistem imunitar të dobët dhe ngrohjen globale, dhe me një klasë politike dhe qeverisje kryekëput idiote për të kuptuar efektin e politikave të saj dhe një sistem arsimor po aq idiot për të kuptuar shkaqet se pse njerëzit nuk zhvillojnë virtytin e pastërtisë dhe se si zhvillohet ky lloj virtyti— nuk do të ishte e çuditshme që të infektohemi jo vetëm me kronavirusin kinez por dhe me viruse të tjerë shumë më të rrezikshëm, “made in Albania” dhe jo në Kinë, pas shpërthimit të të cilit të vdesin me mijëra njerëz!                        

Shkëputur nga një studim më i gjerë i cili është bashkangjitur*                 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA