...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse si anëtarë të Nato-s nuk garantojmë “sigurinë kombëtare”?

Karakteri i vendimeve të Nato-s dhe interesat e ndryshme të anëtarëve të organizatës e bën të pamundur përdorimin e nenit në fjalë.

Ylli Përmeti

04/06/2022 - 14:16

T`i kthehemi përshtypjes, sepse më shumë për përshtypje bëhet fjalë se sa për argument nga nomenklatura jonë e mjerimit, se anëtarësia jonë në NATO do të na mbrojë sipas nenit 5 të organizatës, pavarësisht se neni e thotë qartë se ai përdoret kur rrezikohet Atlantiku Verior!

Së pari, duhet të bëjmë një dallim mes bazave ushtarake amerikane dhe bazave ushtarake të Nato-s; të parat janë përdorur nga Uashingtoni për qëllimet e tij strategjike në kuptimin që sqarova më herët: se ato shërbejnë për të mbrojtur aleatët e SHBA-ve dhe për të mbrojtur interesat ekonomike amerikane rreth botës (hegjemoninë e saj) ndërsa Nato-ja është përdorur si pushtet ushtarak kryesisht kundër Rusisë për të mbrojtur hegjemoninë perëndimore. Për bazat ushtarake amerikane vendimet merren në Uashington ndërsa për Nato-n merren nga të gjithë anëtarët e organizatës. Karakteri i vendimeve të Nato-s dhe interesat e ndryshme të anëtarëve të organizatës e bën të pamundur përdorimin e nenit në fjalë.

Qoftë edhe nëse konsiderojmë rastin e Kosovës, kur Nato-ja kontriboi në ndalimin e agresionit serb ndaj shqiptarëve, ajo veproi pasi si Rusia ashtu dhe Kina ishin të dobëta në atë kohë dhe për të njëjtën arsye ato miratuan në “heshtje” bombardimin e Serbisë. Kujtoj se SHBA-ja kishte paralajmëruar Milosheviçin që në vitin 1992 se nëse ajo fillonte luftë në Kosovë, ajo do ta konsideronte kërcënim të drejtpërdrejtë të interesave kombëtare amerikane dhe do të detyrohësh të vepronte. Në atë kohë, Jugosllavia kishte filluar shpërbërjen, si fillim me Slloveninë, më pas me Kroacinë dhe me Bosnjen ndërsa Nato-ja ishte e pranishme në kufirin jugor të Kosovës, si ‘forcë shtrydhëse’ për të mbrojtur vrojtuesit e OSBE-së. Por ishte dështimi i bisedimeve në Rambuje (19 mars 1999) kur Serbia refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e përkohshme, që mundësoi bombardimin e Serbisë nga Nato-ja, sigurisht, pasi Serbia rinisi ofensivën e saj në Kosovë. 

Paralelisht anëtarët e Nato-s ishin bindur nga Uashingtoni dhe Londra se ndërhyrja ushtarake ishte e nevojshme. Por francezët ngurronin, kryesisht sepse kishin frikën e dëmeve “kolaterale” dhe kishin disa gazetarë në zyrat qendrore të televizionit dhe radios jugosllave. Anëtarët e tjerë miratuan në “heshtje” vendimet e treshes. Siç citon “Washington Post”: “Brenda aleancës, ishte e qartë se vendimet e rëndësishme ―se nëse do të bombardoheshin objektiva që kishin karakter shoqëror― merreshin nga udhëheqësit e tre vendeve: SHBA-ja, Britania, dhe Franca. Dhe vetëm njëri nga ata, Franca, ishte rregullisht skeptike”. 

Tani kohët kanë ndryshuar: Rusia dhe Kina nuk do të votonin në Këshillin e Sigurimit asnjë ndërhyrje ushtarake të Nato-s edhe sikur të ishte e nevojshme; madje do ta shfrytëzonin duke treguar edhe një herë karakterin e aleancës.

Së dyti, Shqipëria dhe Kosova kërcënohen nga dy vende me luftë: njëra është Greqia dhe tjetra Serbia; e para sepse synon jugun e Shqipërisë ndërsa e dyta Kosovën. Megjithëse me disa ndryshime, këto dy shtete po fuqizohen ushtarakisht dhe ekonomikisht nga Uashingtoni dhe “rendi” i tij i globalizmit neoliberal. Kështuqë në një farë kuptimi ne kërcënohemi nga armët amerikane meqënse të dy këta vende furnizohen edhe nga Amerika (Serbia me heshtjen e Uashingtonit furnizohet nga Izraeli dhe vende të tjerë).

Së treti, Prishtina po i “lutet” Uashingtonit të ngrejë një bazë ushtarake të përhershme krahas përfshirjes së forcave amerikane në misionin e Nato-s  ndërsa Tirana po “lutet” të ngrejë dy baza të Nato-s, sepse, thonë demagogët tanë me mbështetjen e Uashingtonit, ne kërcënohemi nga Rusia! Por e vërteta qendron ndryshe: ne nuk kërcënohemi nga Rusia; kjo e fundit luftën e ka me SHBA-në siç e ka SHBA-ja me Rusinë dhe Kinën (lexo politikën e jashtme amerikane).

Së katërti, edhe nëse kërcënohemi me luftë nga Serbia dhe Greqia, nuk do të ishte më mirë të kishim ushtrinë dhe industrinë tonë ushtarake? Me orientimin tonë ushtarak dhe ekonomik ne kurrë nuk do të kemi mundësi të zhvillojmë ushtri dhe industri ushtarake, sepse s`na lejon “aleatja”: sepse asaj i intereson të na ketë të varur dhe “klient” dhe jo të pavarur. S`na lë as Greqia, anëtarja tjetër e Nato-s: sepse asaj i intereson të jetë ajo hegjemoniste në rajon dhe për të qenë e tillë ajo do të bëjë ç`është e mundur që ta minojë forcimin e ushtrisë sonë, sigurisht, me ndihmën e Serbisë, e cila si joanëtare e Nato-s, kërkon, gjithashtu të jetë hegjemoniste.   

Dhe së fundmi, nuk do të ishte më mirë të përpiqeshim me vendet përkatëse të realizonim një traktat paqeje? Pse s`dihmon “aleatja” jonë në këtë drejtim me qëllim që të zhvillohemi dhe të mos shpenzojmë kursimet tona në armatime? Sepse, hamendësisht, nuk i intereson paqja!

Por ky është vetëm një “hamendësim” dhe nuk është fakt; fakt do të ishte kur ne të përpiqeshim për paqe dhe të kërkonim ndihmën e “aleates” sonë dhe të shikonim reagimin. Por kemi një fakt, që pengon zhvillimin e ushtrisë dhe industrisë sonë ushtarake apo përpjekjen për paqe mes nesh, për të cilët “aleatja“ jonë nuk mund të ndihmojë: faktin se ajo kërkon zgjerimin e BE-së në rajonin tonë me qëllim që ta kontrollojë atë përmes Brukselit por dhe përmes strategjisë së “përçarjes dhe sundimit”. Për këtë qëllim ajo përdor “kërcënimin” rus dhe kinez dhe elitat tona për ta shtënë në mendësinë e popujve me qëllim që të miratohen politikat e tyre duke përfshirë dhe ato ushtarake!

Ky editorial është shkëputur nga analiza që vijon:     

Miti i “sigurisë kombëtare” me anëtarësinë tonë në NATO dhe efektet me bazat ushtarake

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA