...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qasja amerikane ndaj Ballkanit dhe Serbisë dhe armatosja e ushtrisë serbe nga Uashingtoni*

Parë nga këndvështrimi amerikan, lidhur me “strategjinë” që po përdorë për të realizuar “Ballkanin e Hapur”—duke anashkaluar çështje historike dhe ndërkomëtare dhe duke angazhuar elitat e tre vendeve fillestare në një bashkim parafederal dhe duke përparuar me katër “liritë” e globalizmit neoliberal përmes të cilit korporatat amerikane...

Ylli Përmeti

24/12/2021 - 10:45

Zëvendës/ndihmës sekretari i shtetit amerikan për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabrial Escobar, në një bisedë me Voa-n, tha se çështja e parë për të cilën do të punojë ai lidhet me integrimin më të shpejtë (në afatmesmë) të rajonit në BE, sepse, sipas tij, kanë vlera e interesa të përbashkëta me pjesën tjetër të Evropës, një synim për të cilin ai do të punojë me partenerët evropianë shumë prej të cilëve ndajnë pikëpamjen amerikane rreth kësaj çështje. Vetëm se nga këndvështrimi amerikan, ky duhet të jetë një proces që duhet bërë dinamik dhe aktiv. Procesi tjetër që shoqëron këtë proces lidhet, sipas tij, me brezin e ri të Ballkanit dhe për këtë synim amerikanët po shqyrtojnë mundësi ekonomike, sepse Ballkani Perëndimor, sipas amerikanëve, është një zonë e mundësive: me rreth 20 milionë banorë, me PBB prej rreth 125 miliardë dollarësh dhe ritme të rritjes ekonomike deri në 5%. Ky fakt është pozitiv si për politikën amerikane ashtu dhe për investitorët amerikanë.

Lidhur me “sfidën” kineze në rajon, Eskobari këshillon rajonin dhe Evropën në përgjithësi se “vendet duhet të ndihen se kanë mundësi të tjera përveç Kinës nga pikëpamja ekonomike”, duke përmendur hapjen e zyrës së Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Zhvillimin në Beograd dhe dhomat amerikane të tregtisë në rajon, dhe duke theksuar se investimi amerikan në projekte të mëdha infrastrukturore, ndryshe nga investimi kinez, ka përfitime afatgjata për rajonin. Lidhur me tensionin e “targave” Eskobari mbështet dialogun e drejtuar nga Brukseli por këshilloi palët që të mos dërgojnë forca speciale atje ku gjendet KFOR-i. Ndërsa pohoi se punon me “kompetenca të reja” në rajon, kujtoi njoftimin e vitit të kaluar të Bajdenit për një seri mekanizmash të reja që parashikojnë sanksione agresive kundër korrupsionit, jo domosdoshmërisht kundër veprimtarive kriminale por kundër korrupsionit.

Ndërsa kjo është qasja e Uashingtonit për të cilën është ngarkuar Eskobari për ta realizuar, paralelisht po zhvillohet një dinamikë tjetër, të cilën Uashingtoni, Brukseli, Prishtina dhe Tirana nuk e përmendin askund: armatosjen e Serbisë! Shqetësimin e armatosjes së Serbisë e shprehu dhe revista ekonomike “The Economist” gjatë tetorit të këtij viti, me një shkrim, titulli i të cilit i thotë thuajse të gjitha: “Serbia është në një zdërhallje blerjesh armësh”! Sipas tij, mes vitit 2015 dhe 2021 shpenzimet ushtarake atje u rritën me rreth 70% në 1.4 miliardë dollarë në vit. Rusia dhe Bjellorusia i ka shitur dhjetë avionë mig-29 and ka marrë nga Rusia dhe 30 tanke dhe pajisje të tjera ushtarake ndërsa i shiti dhe një sistem ajror mbrojtës. Ka blerë dronë kinezë, helikopter rusë dhe një sistem francez raketor tokë-ajër ndërsa ka deklaruar se do të blejë avionë transportues dhe helikopter nga Airbus. Ka biseduar dhe me Izraelin për blerjen e raketave anti-tank ndërsa mund të blejë dhe dronë turkë. Vetë industria e saj e mbrojtjes po prodhon pajisje ushtarake. Tabloidet e kontrolluar nga qeveria serbe deklarojnë në mënyrë të përsëritur se lufta me shqiptarët e Kosovës dhe Kroatët është e afërt ndërsa ministri i brendshëm serb dhe nacionalistët kanë deklaruar krijimin e “Botës Serbe”—një togfjalësh që nënkupton Serbinë e Madhe.

Stephen J. Blank, një drejtues dhe këshilltar në programin euraziatik FPRI, ka shkruajtur një analizë në “The National Interest”, një revist amerikane e bazuar në Uashington dhe e krijuar nga presidenti amerikan Richard Nixon në vitin 1994, ka publikuar një analizë me titull, “Mund të krijojë paqe shitja e armëve në Serbi për Ballkanin?”. Ai argumenton se Serbia po ble armë nga Izraeli me “lejen” e Uashingtonit dhe për këtë arsye por dhe për një tjetër—se nëse Amerika nuk ishet armë Serbisë vendin e saj do ta zërë Rusia dhe Kina— ai këshillon Uashingtonit t`i shesë asaj armë! Me qasjen e përgjithshme të Uashingtonit ndaj Serbisë —duke përdorur pushtetin e butë ose ekonomik për të kontrolluar Beogradin politikisht— kjo këshillë mund të bindë Bajdenin dhe t`i shesë armë Serbisë. Por edhe nëse nuk i shet, ajo po armatoset me “heshtjen” e Uashingtonit madje dhe me ndihmën e tij për sa kohë që arsenali ekonomik amerikan po përqendrohet në Beograd sa sa në Tiranë.

Vetë ambasadori amerikan atje mbajti së fundmi një qendrim në frymën e ambasadorit rus: se Serbia është faktor “stabiliteti” në rajon! Siç citon Adil Fetahu

Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Entoni Godfrid, në një solemnitet të hapjes së një kompanie amerikane të teknologjisë (NCR), në fjalën që mbajti, e lavdëroi Serbinë si faktor të paqes në rajon. Ai bëri disa deklarata, sa të pabaza, aq të pabesueshme, kur tha se “Serbia është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon. E kemi parë këtë javën e kaluar, se Serbia dëshiron paqe dhe stabilitet në rajon”!

Deklarata të tilla për Serbinë “si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajo”, do t’i kishin hije vetëm ambasadorit rus, Harçenkos, por jo atij amerikan, kur e di fort mirë se shteti i Serbisë është ai që tërë kohën shkakton destabilitet e konflikte në rajon, dhe se këtë e ka strategji të definuar edhe në Memorandumin 2 të Akademisë së Shencave të Serbisë, për të destabilizuar shtetet fqinje:  Kosovën, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë.  Për realizimin e synimeve të përcaktuara në atë memorandum, i ka angazhuar të gjitha strukurat shtetërore, diplomatike, kishtare, mediale, madje edhe ushrinë.

Nëse ambasadori Godfrid javën e kaluar “e ka parë dëshirën e Serbisë për paqe dhe stabilitet”, në krizën që krijoi në kufi me Kosovën, në këtë pikë është në një vijë me ambasadorin rus.

Serbia  me të gjitha forcat është e angazhuar kundër stabilitetit të brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës, por edhe të tjerëve. Vitin e kaluar dhe këtë vit e destabilizoi Malin e Zi, dhe e solli buze luftës qytetare, derisa e rrëzoi qeverinë. Përmes asaj kreaturës gjenocidale, të ashtuquajtur “Republika Srpska”, punon  pandërprerë në destabilizimin dhe defunksionalizimin e shtetit të  Bosnje-Hercegovinës, kurse duke trumbetuar e rritur shifrat per viktimat serbe në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore, tërë kohën është në grindje me Kroacinë.

Politikës së tillë nuk i thuhet politikë e paqes dhe stabilitetit, por politikë e agresionit shtetëror të Serbisë ndaj fqinjëve dhe e destabilitetit të rajonit. 

Parë nga këndvështrimi amerikan, lidhur me “strategjinë” që po përdor për të realizuar “Ballkanin e Hapur”—duke anashkaluar çështje historike dhe të drejtën ndërkomëtare dhe duke angazhuar elitat e tre vendeve fillestare në një bashkim parafederal dhe duke përparuar me katër “liritë” e globalizmit neoliberal përmes të cilit korporatat amerikane dhe jo vetëm lëvizin lirshëm dhe pa kosto doganore!— dhe nga tre avantazhet ekonomike që ka Serbia në raport me ne, nga avantazhi i saj gjeopolitik —mban një “këmbë” ruse dhe një evropiane në Serbi— por dhe në fund nga qendrimi amerikan lidhur me të, Serbia do të dominojë absolutisht tregun e bllokut përkatës dhe për pasojë do të rikërcënojë me luftë nëse nevojitet, sidomos shqiptarët. 

Këtë efekt shqiptarët, dhe veçanërisht shqiptarët e qeverisë “Rama” në Tiranë, s`e kanë kuptuar dhe shumë vazhdojnë të “flenë”: sepse qeveria e Kosovës ka fituar një lloj kuptimi për rreziqet e tij, të cilin e tregon përmes rritjes së ushtrisë, por ende është tejet i pjesshëm.          

*Ky editorial është pjesë e studimit që po bashkangjisim dhe kuptimi i drejtë i tij nuk mund të arrihet pa lexuar gjithë studimin

Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA