...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qeveritë jo-virtuoze krijojnë gjithnjë policë jo-virtuozë

Ligji i shkruajtur në letër duhet të shkruhet në mendje që të marrë formë konkrete

SHJ

09/12/2020 - 10:04

Vrasja e 25 vjeçarit në Tiranë shkaktoi shumë reagime. Pa mbaruar hetimet gazetarët rikujtuan ligjin e policisë se kur përdoret arma. Mirëpo, ligji i shkruajtur në letër duhet të shkruhet në mendje që të marrë formë konkrete. Dhe që të shkruhet në mendje, ligjet kanë nevojë për filozofi ligjore, me qëllim që policët të mësojnë ta përdorin në përputhje me çdo rast ligjin, të cilën aktualisht sistemi ynë nuk e ka integruar. Me vend qendrimi i përsëritur i Ylli Përmetit, se nga një qeveri jovirtuoze gjithnjë do të kemi policë jo-virtuozë: 

Vrasja e të riut nga polici dje duhet të parë nga një qasje pedagogjike: se policët nuk edukohen me qëllim zhvillimin e virtyteve të tyre. Policët kanë nevojë të zhvillojnë kryesisht dy virtyte: të drejtësisë dhe përmbajtjes—sepse pa virtytin e drejtësisë ata nuk mund të përmbahen. Për shembull, të gjykojnë drejtë një njeri në raport me një urdhër ose ligj. Në rastin konkret, polici vrau të riun sepse nuk kishte zhvilluar virtytin e drejtësisë—të gjykonte drejtë se sa i rrezikshëm ishte ai për shoqërinë dhe rendin e saj— dhe rrjedhimisht as virtytin e përmbajtjes. Por këta virtyte nuk i ka zhvilluar Rama dhe Saimiri dje dhe sot Lleshaj (apo Berisha, Muli dhe Basha). As synohen nga sistemi arsimor: sepse shkencat sociale nuk dinë të zhvillojnë virtyte sociale. Në këto kushte, si mund të pretendohet që polici të zhvillojë virtyte të nevojshme për punën e tij dhe shoqërinë?

Dëftues është fakti se Lleshaj iu drejtua Murrizit, deputetit që aktualisht ushtron profesionin e deputetit, në një senacë parlamentare, se ai “polic ka qenë dhe polic ka mbetur” duke nënkuptuar faktin se policët nuk gjykojnë drejtë…kur dihet se Lleshaj është ministër i bredshëm dhe përgjegjës për edukimin e policëve! Kritika e Murrizit se “pandemia u luftua me diagaçë, tanke e autoblinda, me gjoba për qytetarët e gomerët”, nuk është sigurisht plotësisht e drejtë nëse e shohim nga një perspektivë sistemike pandeminë (siç kam treguar në studimin përkatës). Por kjo s`do të thotë ministri i rendit duhet të përdorë një argument fyes për policët dhe pastaj të mbrohet se nuk e kishte me atë kuptim pa treguar ndonjë kuptim tjetër! As duhet të na kënaqë fakti se Murrizi —të cilit i paguajmë rrogë të majme— kritikon qeverinë me gjysëm të vërteta. Në fakt, ato janë thjesht konstatime të veprimeve të qeverisë dhe nuk kanë asnjë lidhje me shkaqet e pandemisë.

Çfarë mund të bëhet në këto kushte? Vetëm njerëzit kuptimplotë—ata që kuptojnë rolin e pedagogjisë— dhe të ndershëm, mund të ndihmojnë në ndryshimin e gjendjes. Së pari, të refuzojnë partitë jo-virtuoze. Së dyti, njerëzit jo-virtuozë. Dhe së treti, të bashkohen me njerëzit virtuozë!       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA