...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qyteti fantazmë: pasojat afatgjata social-ekonomike për Durrësin pas tërmetit

Durrësi qendronte në vend të parë në nivel kombëtar lidhur me banesat e pazëna (rreth 88%) përpara se të binte tërmeti. Me frikën dhe mosbesimin që është krijuar pas tërmetit - pallatet shumëkatëshe do të braktisen ndërsa një qytet “fantazëm” krijohet!

Ylli Përmeti

14/12/2019 - 11:07

Për periudhën 2016-2018, Durrësi renditet si qark pas Tiranës, sa i përket lejeve të miratuara për ndërtesa të reja ndërkohë që Tirana pati 461 pallate të dëmtuar rëndë ndërsa Durrësi, epiqendra e tërmetit, vetëm 35! Kjo gjendje tregon faktin se në Tiranë është punuar më keq ndërsa lejet janë dhënë deri diku në përpjestim me madhësitë e qyteteve përkatës­—fakt që tregon se si Veliaj ashtu dhe Dakua, implikohen për vepra penale të mundshme si për lejet ashtu për shkallën e dëmeve.Dhe jo vetëm ata: sepse rrënimi i sektorit të ndërtimit dhe institucioneve që lidhen me ta filloi me Berishën dhe vazhdoi me Ramën. Për të njëjtën arsye, sektori i ndërtimit implikon gjithë klasën politike. Dy janë sektorët që goditen më rëndë pas tërmetit: sektori i ndërtimit dhe sektori i turizmit; i pari do të goditet jo vetëm në Durrës por në nivel kombëtar për shkak se besimi në popull për ndërtesat është tronditur bashkë me tronditjen e tërmetit; i dyti do të tronditet kryesisht në Durrës dhe për të njëjtën arsye: sepse është tronditur besimi lidhur me faktin se ndërtesat nuk janë të sigurta ndërsa janë të pasigurtë lidhur me faktin tjetër se një tërmet tjetër mund të godasë vendin.

Kujtoj se Durrësi qendronte në vend të parë në nivel kombëtar lidhur me banesat e pazëna (rreth 88%) përpara se të binte tërmeti. Me frikën dhe mosbesimin që është krijuar pas tërmetit - pallatet shumëkatëshe do të braktisen ndërsa një qytet “fantazëm” krijohet! Si pasojë, shumë ndërmarrje të vogla (dyqane etj.) do të falimentojnë. Pasoja e mëtejshme është se Durrësi do të braktiset nga shumica e popullatës. Se çfarë mund ta shpëtojë gjendjen e krijuar - është rikonceptimi i qytetit në përgjithësi dhe ndërtesat në veçanti. Por gjykuar nga padija e qeverisë “Rama”, rikonceptimi në fjalë nuk do të konsiderohet. Qoftë edhe ndërtesat e reja, të cilat do të drejtohen nga fondacionet private të financuara me fondet e mbledhura nga to dhe qeveria do të vërë në dispozicion të tyre dosjet e banesave që ata do të rindërtojnë ose ndërtojnë dhe do të mbikqyrë projektet për të garantuar përputhjen e tyre me standartet publike të ndërtimit dhe të transparencës, nuk e zgjidhin problemin, jo vetëm sepse nuk do të përdoren masa kundërsizmike (qeveria thotë se do të jenë me parametra kundërsizmikë por deri tani s`ka treguar ndonjë parametër!) dhe ndonjë filozofi ndërtimore, por dhe sepse fondacionet përkatëse ndërtojnë në emër të ‘bamirësisë’ me parátë e të tjerëve ndërsa e tregojnë atë në publik sikur të ishte veprim fisnik.

Tre janë arsyet kryesore, të karakterit social, se pse “bamirësia” e fondacionit “Firdeus” siç e ka quajtur Elvis Naçi, thememluesi, duke ndjekur poetin e mirënjohur pers dhe “Fundjavë Ndryshe”, duhet të dënohet nga populli dhe ndalohet me ligj: së pari, sepse ajo zhvillohet në kushte pabarazie, politike, ekonomike dhe sociale, pabarazi e cila është krijuar nga klasa politike - për të cilën fondacionet përkatëse nuk bëjnë asgjë; së dyti, ajo nuk përqafon një qasje pedagogjike, se njerëzit aftësohen një herë nga shteti, pastaj punësohen dhe me punën e tyre ndërtojnë apo blejnë shtëpinë që dëshirojnë dhe nuk lihen në mëshirën e “bamirësve” të institucionalizuar; dhe së treti, krijohet mendësia e ‘sipërisë’ (superioritetit) për njërën palë (“bamirësit”) dhe ‘përulësisë’ (inferioritetit ose mungesës së dinjitetit) për palën tjetër (palën në nevojë) dhe shfrytëzimit të nevojës së tjetrit nga “bamirësit” institucionalë për qëllime ideologjike. Këtyre tre arsyeve mund t`u shtojmë dhe një arsye të katërt - të karakterit kombëtar: fondacioni “Firdeus” drejtohet nga një fetar (musliman) me njerëzit e tij familjarë që hamendësisht parátë i gjeneron kryesisht nga Lindja e Mesme, vende të cilët kanë treguar me veprimet e tyre se kanë qëllime ideologjike në Shqipëri ndërsa “Fundjavë Ndryshe” ka një dozë ideologjike —brendakombëtare— për sa kohë që anëtarët përkatës nuk luftojnë shkaqet e mjerimit social por përfitojnë nga ai! Përse e kemi dhe e paguajmë –në fund- ministrinë e mirëqenies sociale?

Këto janë pesë arsye se pse fondacionet përkatëse dhe të ngjashme si ato, duhet të dënohen nga populli dhe ndalohen me ligj.  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA