...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama vërtetoi edhe një herë rendin “skllavo-pronar” të punëtorëve në Shkodër

Kritika e atyre që s`tregojnë realitetin (ose arsyet se pse Rama sillet ashtu siç sillet me punëtorët), është tejet problematike: jo vetëm sepse nuk tregojnë shkaqet e sjelljes së tij por dhe më e rëndësishmja, ata do të sillen njësoj po të “drejtojnë” shtetin—sepse si do t`u thonë perëndimorëve dhe veçanërisht BE-së ku synojmë të integrohemi kur BE-ja (dhe veçanërisht vendet fqinje) kërkon krahë të lirë pune dhe të drejta të kufizuara të punëtorëve që të investojë?

Ylli Përmeti

01/04/2021 - 13:46

Rama vërtetoi edhe një herë një të vërtetë të madhe në Shkodër gjatë një bisede zgjedhore me një sipërmarrës atje, të mirëditur tashmë, të paktën për ata që ndjekin ndryshimet e partive politike: se çfarë përfaqësojnë partitë—klasën kapitaliste ku të drejtat e punëtorëve shtypen dhe punëtorët shihen si skllevër. Në fjalët e Ramës dhe sipërmarrësit:

Pronari: Unë po plasi tu kërku punëtorë në Tiranë dhe Berat, a doni punë dhe nuk vjen askush. Paga nuk është 30 mijë lekë por 40 mijë lekë, sa do ta bëni ju vitin tjetër. Nuk ka fuqi punëtore.

Rama: 7 ditë është procedura për të marrë punëtorë të huaj dhe po të them me këtë pagë që ke ti e ke të garantuar, kanë filluar të marrin edhe të tjerët,  punëtorët e huaj nga Bangladeshi, nga Pakistani, India.

Pronari: I kam porositur 300 në Bangladesh, 400 dollarë paga. E kanë të përfshirë edhe fjetjen.

Rama: I ke pronto, nuk dinë as shqip të merren me thashetheme.

Pronari: Do të bëj një kat apostafat për ta.

Rama: Kur të fillojnë të mësojnë shqip fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet, u hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria.

Pronari: E kishim mbyll për të ardhur më herët po na ra pandemia. Po tani do të vazhdojmë ti marrim. 400 dollarë duan ata.

Rama: Janë punë, punë dhe nuk ka llafe.

Ky qendrim “skllavo-pronar” buron nga ndryshimi i partisë në fjalë dhe nuk mund të fajësohet Rama. Partia “Socialiste”, siç e kam përmendur dhe në vend tjetër, nuk përfaqëson klasën punëtore që përfaqësonte Partia e Punës shekullin e kaluar, por klasën e mesme dhe të lartë, siç i përfaqëson Partia “Demokratike”, LSI-ja dhe gjithë partitë e tjera. Ndryshimin në fjalë e nxiti Nanua për një arsye të thjeshtë: sepse me braktisjen e socializmit marksist vendi u përshtat gradualisht në rendin e ri që kishte lindur në perëndim në vitet `80-`90: globalizmi neoliberal, ku ne filluam të integroheshim në vitet 1992-2000.

Një ndër politikat kryesore që imponon rendi përkatës është braktisja e klasës punëtore duke braktisur angazhimin për “punësim të plotë” nga partitë politike me qëllim që klasa kapitaliste të kërcënojë punëtorët me papunësi dhe jo anasjelltas siç ndodhi gjatë viteve `60-`70 në vendet perëndimore kur klasa punëtore e organizuar dhe e mbështetur nga partitë politike —për shkak të rendit socialist në Lindje— kërcënonte me më shumë të drejta dhe të ardhura klasën kapitaliste.      

Në këtë rend —ku klasa punëtore kërcënohet me papunësi dhe të drejtat e saj shtypen ndërsa të ardhurat janë mjerane dhe të palëvizshme nga viti në vit pavarësisht inflacionit— punëtorët jetojnë, siç e kam treguar në vend tjetër, në ‘aparteid’: domethënë, në dhunë të përhershme ku edhe nëse vriten punëtorët, pronarët e mëdhenj dhe qeveritarët kurrë nuk dënohen. Në vendin tonë përmasa e dhunës dhe e vrasjeve është edhe më e madhe. Ajo është ‘dhunë e përhershme’ pikërisht për faktin se punëtorët kërcënohen me papunësi me ofertën e lartë të krahut të lirë të punës—ofertë, e cila buron nga braktisja e punësimit të plotë të punëtorëve nga partitë politike.

Pikërisht për këto arsye, punëtori “shitet” nga partitë politike lirë tek ata që krijojnë vende pune: sipërmarrësit. Krahu i lirë i punës shërben gjithashtu për të joshur korporatat e huaja në vendin tonë: për të investuar. Kur thonë, për shembull, institucionet ndërkombëtare si FMN-ja e të tjerë se vendi ynë duhet të jetë më “konkurrent” që të investojnë të huaj, nënkuptohet pikërisht fakti i krahut të lirë të punës. Domethënë, kërkojnë nga qeveritë të mbajnë sa më poshtë të ardhurat e punëtorëve dhe ofertën e lartë me qëllim që të kërcënojnë punëtorët që tentojnë të ngrenë krye për më shumë të drejta. 

Rama, sigurisht, mund të mbante qendrim më të butë ose më “diplomatik” me qëllim që të mashtronte edhe një herë punëtorët. Por ai dhe partia e tij nuk përfaqëson punëtorët as buron pushteti i tij nga klasa punëtore pavarësisht se shumë nga kjo e fundit votojnë partinë “socialiste”: sepse besojnë —në padije— se ajo përfaqëson klasën punëtore si shekullin e kaluar. Në këtë lloj besimi kontribojnë dhe disa parti “komuniste” të cilat kanë vite që punojnë për PS-në dhe shijonë privilegje nga ajo.

Kritika e atyre që s`tregojnë këtë realitet (ose arsyet se pse Rama sillet ashtu siç sillet me punëtorët), rrjedhimisht, është tejet problematike: jo vetëm sepse nuk tregojnë shkaqet e sjelljes së tij por dhe më e rëndësishmja, ata do të sillen njësoj po të “drejtojnë” shtetin—sepse si do t`u thonë perëndimorëve dhe veçanërisht BE-së ku synojmë të integrohemi kur BE-ja (dhe veçanërisht vendet fqinje) kërkon krahë të lirë pune dhe të drejta të kufizuara të punëtorëve që të investojë?

Një problem tjetër që është krijuar nga partitë në pushtet është se ato kanë krijuar një lloj rinie që nuk dëshiron të punojë brenda vendit, kryesisht sepse të ardhurat janë të ulëta, sepse për të drejta punëtorie pak punëtorë luftojnë. Kështu lind nevoja e sjelljes së punëtorëve të huaj. Në këtë mënyrë zëvendësohet populli shqiptar me popull të huaj siç zëvendëson populli shqiptar një përqindje të vogël të popujve perëndimor. Ata që çirren për shpopullimin dhe ikjen e trurit, si Meta e shumë si ai, pa treguar shkaqet sistemike, do të jenë njësoj -për mos të thënë më keq- në qeveri. Nuk është, në fjalë të tjera, faji i Ramës për këtë politikë: por i popullit tonë, i cili, në padije, kërkon të integrohet në një rend që themelon skllavo-pronarët dhe shpopullon Shqipërinë nga shqiptarët me popuj të tjerë, kryesisht nga Lindja e Mesme...  

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA