Rindërtimi i lagjes Kalemaj në Bashkinë e Këlcyrës, financimi dhe çështjet gjeologjiko-ndërtimore
Parë nga këndvështrimi i kostos dhe nevoja për të siguruar banorët se banesat e tyre nuk shemben prapë, unë shoh si variantin më të mirë zhvendosjen e lagjes, si fillim të banesave të rrënuara dhe më pas, sipas dëshirës dhe nevojave, mund të zhvendosen dhe të tjerët
Ylli Përmeti
22/01/2023 - 17:20
Rindërtimi i banesave të lagjes Kalemaj në fshatin Katundishtë të Bashkisë Këlcyrë, gjatë javës së tretë të janarit, 2023, kalon nga mundësia financiare e bashkisë dhe nga qendrueshmëria e tokës ku janë ndërtuar banesat përkatëse.
Lidhur me mundësinë financiare, ajo duhet të zgjidhet nga Bashkia meqë (ndjesë, më tej do të citoj gjuhën e përdorur nga një VKM) në korrik të vitit 2021 Këshilli i Ministrave miratoi procedurat dhe kriteret e ndarjes dhe të përdorimit të fondit të kushtëzuar të buxhetit të shtetit për mbrojtjen civile, ku citohet se bashkitë duhet të “përmbushin detyrimet në kuadër të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjes civile”.
Detyrimet lidhen me strategjinë vendore për “zvogëlimin e riskut nga fatkeqësia; vlerësimin vendor të riskut; planin vendor të emergjencave civile; dhe planin e zhvillimit urban”.
Pasi të jenë plotësuar këto detyrime nga bashkitë, ligji parashikon se fondi “duhet të përdoret sipas prioritizimit”: nga 60 deri 100 për qind për “akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga një fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera, sipas kritereve specifike të përcaktuara në aktet nënligjore që rregullojnë ligjin “Për mbrojtjen civile”.
Nuk e di se çfarë ka bërë bashkia e Këlcyrës në këtë drejtim sepse thirrjes sime telefonike kryetari i bashkisë nuk iu përgjigj sot. Ndoshta ngaqë është e dielë. Por edhe nëse s`ka bërë asgjë, bashkia e ka detyrim ligjor që të veprojë menjëherë: duke vlerësuar gjendjen e banesave dhe duke miratuar dëmshpërblimin për banorët përkatës.
Gjykuar nga çka dëshmohet në reportazhin e RTSH-së, Gjirokastër, kuptohet se banesat janë të pabanueshme. Ky fakt nënkupton se banorët duhet të dëmshpërblehen plotësisht: 100%.
Por toka e lagjes ku janë dëmtuar banesat, në dijeninë time, është tejet e brishtë: ajo është tokë që lëviz gjatë gjithë kohës, kryesisht sepse shtresat e saj nuk janë shkëmbore dhe janë gjithnjë në ujë. Krahas kësaj karakteristike, pjesa e poshtme e kodrës, nuk është fuqizuar me pemë me sistem rrënjor që shkojnë thellë në tokë. Përkundrazi, pemëve u është dhënë pak rëndësi dhe ato që mbijnë spontanisht (lisi etj.) janë pemë me sistem rrënjor sipërfaqësor.
Ndaj nevojitet që banesat përkatëse të ndërtohen në të njëjtin vend por këtë herë me blinda thellë në tokë, dhe paralelisht të punohet me pjesën e poshtme të kodrës: ajo duhet të mbillet me pemë që kanë sistem rrënjor të thellë në tokë. Vidhi është një nga këto pemë. Por atje është e vështirë të çohet lënda e parë për blindat, sepse mungon rruga për mjetet e transportit.
Nëse gjykohet se lloji` fortifikimit që përmenda nuk i siguron ato në afatgjatë dhe rindërtimi i tyre me blinda është i pamundur, mbetet zhvendosja e tyre në një vend të qendrueshëm. Unë si mundësi shoh vetëm arën e madhe në lagjen Cicollar, sepse ajo qendron poshtë çezmës (Shënkollës), është e madhe dhe mund të ndërtohen shumë banesa, mund të urbanizohet, dhe ka kosto të ulët.
Por zhvendosja varet nga banorët dhe Bashkia―domethënë, nevojitet një kuvend për të shqyrtuar pikërisht çështjen e qendrueshmësisë së ndërtesave të reja në lidhje me karakterin e brishtë të tokës dhe mundësinë e bërjes së themeleve me blinda.
Nëse vendoset zhvendosja e saj nga Kuvendi, Bashkia duhet të verifikojë pronësinë e tokës përkatëse dhe shpronësimin e saj dhe më pas të fillojë procesi i planifikimit të lagjes dhe pse jo, të mobilizohet fshati për të dhënë kontributin e tij duke ndihmuar për të çuar lëndën e parë. Për këtë të fundit mund të shfrytëzohet lënda e ndërtesave të shembura.
Parë nga këndvështrimi i kostos dhe nevoja për të siguruar banorët se banesat e tyre nuk shemben prapë, unë shoh si variantin më të mirë zhvendosjen e lagjes, si fillim të banesave të rrënuara dhe më pas, sipas dëshirës dhe nevojave, mund të zhvendosen dhe të tjerët.
Autori është rritur në atë lagje dhe e njeh me pëllëmbë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 53 reads