...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shkeljet flagrante të KDRTSH-së dhe Pezës në RTSH dhe nevoja për mobilizim

Peza jo vetëm nuk e meriton të drejtojë RTSH-në, sepse ka një akuzë të rëndë mbi krye, e cila s`ka marrë vendim të formës së prerë (për gjendjen e dosjes së tij i kam shkruajtur gjykatës por ende s`kam marrë përgjigje), dhe se vendimi i gjykatës së apelit është ndikur nga ndërhyrjet politike; është zgjedhur në shkelje flagrante të ligjit për median; dhe po vepron në shkelje të ligjit të punës kundër punonjësve të RTSH-së.

Ylli Përmeti

24/07/2023 - 14:50

Sapo kaloi një muaj në detyrën e re si drejtor i RTSH-së, Alfred Peza filloi ‘spastrimin’ në televizionin publik―domethënë, pushimin nga puna të punonjësve të televizionit dhe zëvendësimin e tyre me të rinj.

Peza si gazetar nuk është shquar për asgjë përveç shërbimit me devotshmëri të partisë “socialiste” si drejtues “debatesh” televizive, kryesisht në “Vizion Plus”; as është shquar si kritik dhe hetues. Madje nga ai nuk kam lexuar as edhe ndonjë raport gazetaresk i cili është “A-ja” ose faza përmes të cilës një gazetar tregon aftësitë e tij për të përshkruar një ngjarje. Ai është “gjenerata” e gazetarëve që filluan të përshateshin në “rendin” e ri në të cilin hyri Shqipëria pas braktisjes së socializmit marksist, duke i shërbyer partive në pushtet: disa “PD-së”; disa “PS-së”; dhe të tjerë “LSI-së”.

Në këtë mënyrë, ata nuk i përmbahen as ligjit për mediat as deontologjisë gazetareske. Si të tillë, ata janë dy herë fajtorë. Por jo për sytë e partive në pushtet: sepse për to, ata janë të vyer, sepse kontribojnë vendimtarisht në mashtrimin e popullit dhe riprodhimin e pushtetit të tyre. Kjo është arsyeja që Peza kandidoi me partinë “socialiste” dhe u bë deputet (2013-2017). Por duke qenë një njeri që shkelte ligjin e medias dhe deontologjinë gazetareske, ai nuk do të vononte të tregonte karakterin e tij edhe si deputet, pas pak më shumë se një vit, kur disa hetime gazetarekse (2015) treguan se ai ishte, përfundimisht, milioner (me më shumë 1 milion euro).

Si rezultat, ai u hetua nga prokuroria e përgjithshme për “evazion fiskal, deklarim të rremë pasurie dhe falsifikim dokumentash”. Por kur u mbyllën hetimet, në vitin 2017, akuza ndryshoi paksa dhe ajo u përfshi në ligjin antimafia: sipas hetimit, ai dyshohësh për “fshehje të të ardhurave”, “pastrim të produkteve penale” dhe “mosdeklarim të pasurisë”.

Dosja e tij u dërgua në Gjykatën e Lartë por kjo e fundit e dërgoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, sepse nuk ishte në kompetencën e saj gjykimi i tij. Pas rreth një viti pasuria e tij u vu në sekuestro. Nga hetimi i zhvilluar rezultoi se shtetasi Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, zotëronin pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe likujditete, të cilat ishin tjetërsuar, duke kryer blerjen e masës prej 1% të aksioneve të Bankës Credins.

Hetimi krijoi dyshime të arsyeshme se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kishin krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në regjistrat publikë. Por gjykata e apelit për krimet e rënda e hoqi sekuestron e pasurisë tij, sepse, sipas saj, pasuria e tij përligjet!

Ndërsa çështja në fjalë nuk ka marrë ende vendim të formës së prerë nga gjykatat tona, veprimtaria e tij si “gazetar” dhe “deputet” nuk e penguan atë të kandidonte për drejtimin e RTSH-së në qershor të vitit 2023, kur u zgjodh me të gjitha (nëntë) votat e Këshillit Drejtues ndërsa garonin dhe tre kandidatë të tjerë: Laureta Roshi, Enrik Mehmeti dhe Helidon Haliti.

Kandidimin e tij e kundërshtuan shumë por vetëm duke u bazuar në ligjin për Median Audiovizive; madje duke mos u këshilluar mjaftueshëm dhe me ligjin përkatës ose nenin 104, pika a dhe b. Sipas të parës, për shembull, Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së nuk “lejohet të jetë i partive dhe shoqatave politike, kandidat për deputet apo të jetë zgjedhur i tillë gjatë 2 legjislaturave të fundit, të ketë konkurruar për kryetar i njësive vendore në zgjedhjet e fundit të organizuara për to apo kanë ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë, anëtarit të Këshillit të Ministrave apo të prefektit gjatë 3 vjetëve të fundit, si dhe ata që janë anëtarë të Këshillit të Ankesave, AKEP-it apo punonjës të këtij të fundit”.

Por kundërshtimin në fjalë e hodhi poshtë Këshilli Drejtues i RTSH-së, sipas të cilit ai i plotësonte kriteret pavarësisht se ai ishte deputet nga viti 2013 deri në vitin 2017 dhe më pas ishte sekretar i Marrëdhënieve me Mediat dhe Shoqërisë Civile deri në shtator të vitit 2021! Këshilli në fjalë zgjidhet nga kuvendi dhe nga këndvështrimi ligjor, ai përgjithësisht qendron mbi drejtorin e RTSH-së. Por në raste të veçantë ai është “lirë” të veprojë sipas gjykimit (ose epsheve) të tij.

Lidhur me shkarkimet, neni 105 i ligjit, pika c, parashikon se ai “emëron, liron apo shkarkon nga detyra, vetë ose me propozim të drejtorëve të subjekteve përbërëse të RTSH-së, drejtuesit e departamenteve dhe të sektorëve”. Sipas këtij neni ai ka “liri” veprimi por jo pa iu përmbajtur ligjit mbi Kodin e Punës, nenit 144, për zgjidhjen e kontratës së punës: se ai duhet të zhvillojë një bisedë me punëmarrësin ku i parashtron arsyet e zgjidhjes ndërsa i jep mundësi të shprehet dhe i përmbahet kohës nga 48 orë deri në një javë pas takimit për ta njoftuar atë për përfundimin e kontratës. Në rast se punëdhënësi nuk i përmbahet ligjit në fjalë, punëmarrësi ka të drejtë të kërkojë “dëmshpërblim të barabartë me pagën e dy muajve, që i shtohet dëmshpërblimeve të tjera të mundshme”.

Pikërisht për këto arsye ―të shkeljes së ligjit nga pushtetarët e qeverisë “Rama”, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme vitet e fundit. Për shembull, sipas një raporti të vitit 2022, punëdhënësit shtetërorë (duke filluar me kryeministrin, ministrat dhe kryetarët e bashkive) kanë shkaktuar për 7 vite me radhë një dëm financiar prej 13,3 miliardë lekë ose rreth 108 milionë euro për të shlyer faturat gjyqësore për pushime të padrejta nga puna të 14,487 punonjësve ndërsa përqindja më e madhe e këtyre kostove, tregon raporti, nuk është shlyer ende.

Këtyre dëmeve me pasoja të rënda në buxhetin e shtetit i shtohen dhe pushimet e padrejta të Pezës në RTSH―sepse disa punonjës pretendojnë se ai i ka pushuar nga puna padrejtësisht ose pa zbatuar ligjin e punës. Ata janë më shumë se një dyzinë dhe për mbrojtjen e tyre shkrojti dhe BIRN-i, “gazetaria investigative” e sponosorizuar nga Sorosi por e drejtuar nga një “gazetar” i infiltruar nga Berisha. Si pasojë, nuk mungoi shtypi i shkruar i qeverisë. Gazeta “Dita”, për shembull, shkrojti një ditë më pas një “kundërtezë” ndaj shkrimit të BIRN-it dhe e pagoi atë për shumë ditë me radhë për ta lexuar sa më shumë kureshtarë.

Kështu, ndërsa teza e BIRN-it ishte se Peza po vepronte padrejtësisht lidhur me shkarkimet, teza e “Ditës” ishte se ai po vepronte drejtë, sepse, sipas saj, numëri i të shkarkuarëve është i vogël (vetëm 21); Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar “probleme të rënda dhe disa nga dosjet e të shkarkuarve do përcillen në SPAK”; dhe në fund, RTSH-ja është keqdrejtuar rëndë ndër vite. Për pretendimin e fundit ajo përmend faktin se gazetarët keqpaguhen krahasuar me tregun privat ndërsa atje futen dhe dalin shefa sektorialë me makina luksoze. Hamendësisht, për të diktuar përmbajtjen e telelvizionit. Ajo përmend, gjithashtu, dhe të ardhurat e saj nga marketingu që janë të pakta krahasuar me Klanin dhe Topin. 

Në fakt, Ditas nuk do t`i duhësh dëshimi më e qartë për korruptimin e RTSH nga partitë në pushtet, veç times, të cilën nuk kam ndaluar së denoncuari: se kur shkova (2011) dhe kërkova t`i shërbeja të vërtetës, drejtoresha e kohës, nën qeverinë “Berisha” e miratoi kërkesën time por më vuri përpara çensurën, sepse, tha ajo, “kam frikë nga Berisha”, nëse gazetarët e saj kritikonin qeverinë. Kështu unë i thashë “lamtumirë” dhe nuk pranova t`i shërbeja epsheve të Berishës. Që nga ajo kohë unë s`kam shkuar prapë atje, kryesisht sepse kam ngritur një qendër studimore dhe mediatike që është më e rëndësishme se të punosh në RTSH. Por gazeta “Dita” nuk i “sheh” denoncimet e mija!

Sidoqoftë, çdo të prisninim nga një gazetë paçaure që në shkrimin e saj nuk përmend as “sfondin” e Pezajt as dhe shkeljet ligjore të tij dhe pasojat financiare për shtetin. Faktin që shkarkimet e tij janë në shkelje të ligjeve e vërtetojnë dhe shkresat e tij. Sipas njërës (shih në fund të këtij shkrimi), të siguruar nga punonjësit e pushuar nga puna, ai nuk e përmend fare ligjin. Madje i kërcënon ata me SPAK-un njësoj si KLSH-ja sikur të ishin shkeljet e punonjësve të shkarkuar të përfshirë në krimet që heton institucioni i ri!

Në fakt, në ligjin për SPAK-un përfshihen krimet politike të nivelit të lartë ku përfshihen dhe shkarkimet në fjalë meqë ato nuk bëhen në përputhje me ligjin. Si duket, Dita dhe KLSH-ja vështirë se e kanë lexuar ligjin e tij dhe nuk bëjnë dot dallimin mes krimit politik në nivele të larta dhe “krimit” të punonjësve të RTSH-së, të cilët gjithnjë kanë një drejtor partie mbi krye; madje edhe ‘varësinë’ nuk e shohin! Sidoqoftë, kuptohet se kur shtypi dhe media është partiake, do të thuhen gjysmë të vërteta dhe shpesh herë të vërteta të përmbysura.

Në fund, thuhet nga punonjësit se veprimet e Pezës nxiten dhe nga ish-deputetja e PS-së, Anila Agalliu, e cila është dhe drejtoreshë e burimeve njerëzore në RTSH; thuhet, gjithashtu, se në ekipin e tij është dhe Eugerta Bakiu, kandidate për deputete në PS dhe sekretare e Këshillit Drejtues në RTSH, e cila “bën ligjin” atje; dhe thuhet, në fund, se Peza është “lodhur” shumë nga puna dhe ka shkuar me pushime!

Ndërsa këto pretendime meritojnë hetime të mëtejshme, është e qartë se Peza jo vetëm nuk e meriton të drejtojë RTSH-në, sepse ka një akuzë të rëndë mbi krye, e cila s`ka marrë vendim të formës së prerë (për gjendjen e dosjes së tij i kam shkruajtur gjykatës por ende s`kam marrë përgjigje), dhe se vendimi i gjykatës së apelit është ndikur nga ndërhyrjet politike; është zgjedhur në shkelje flagrante të ligjit për median; dhe po vepron në shkelje të ligjit të punës kundër punonjësve të RTSH-së. Janë, në fjalë të tjera, tre shkelje ligjore që rëndojnë mbi të dhe një “jetë” me plotë kompromentime politike.

Ndaj do të ishte e nevojshme që punonjësit e pushuar nga ai të denoncojnë veprimet e tij dhe në nevojë të organizohet një protestë kundër veprimeve të tij dhe qeverisë “Rama” per të kapur edhe RTSH-në, në formë dhe në përmbajtje.       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA