...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shqipëria si “narkoshtet” dhe 10 miliardë eurot e industrisë së drogës

Hetimi` gazetarëve të RAI 3 ndihmoi përpjekjen tonë (si gazetarë) për të theksuar çështjen e “narkoshtetit” që ka ngitur Rama dhe meriton të përshëndetet si nga ne (nga gazetarët e lirë dhe të ndershëm sigurisht) ashtu dhe nga populli shqiptar

Ylli Përmeti

05/06/2024 - 19:22

Në dy seri hetimesh gazetarët e RAI 3-it u munduan të tregonin karakterin e shtetit të Ramës: se ai është një “narkoshtet” dhe “shtetmafie”, duke nënkuptuar se në krye të tij qendron një “kryemafioz”. Ai pasoi disa akuza të ngjashme nga vende si SHBA-ja dhe Britania dy-tre vitet e fundit. Por me një ndryshim: gazetarët e RAI 3-it synojnë të anulojnë marrëveshjen “Meloni-Rama” për refugjatët.

Por duhet thënë se në serinë e dytë ata treguan më qartë rolin e Ramës duke përdorur jo vetëm dëshmitë e disa gazetarëve që qendrojnë pranë Berishës por dhe pohimin e shumëpritur të ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj nga Zvicra ku ka kërkuar azil politik për shkak se ai beson se hetimet ndaj tij janë “politike” dhe jo të drejta: se Rama beson(te) se përmes industrisë së drogës mund të zhvillojë ekonominë dhe si i tillë ai ka organizuar sektorin.

Ndërsa në hetimin e parë Rama nuk pranoi të fliste për gazetarët përkatës dhe pas transmetimit të tij ai guxoi dhe telefonoi televizionin përkatës duke e quajtur hetimin “skandaloz” dhe duke e përligjur atë me përpjekjen e tij për të “mbrojtur” vendin tonë “nga paragjykimet”, ai pranoi të fliste në përpjekjen e tyre të dytë dhe ditën kur u njoftua transmetimi në televizion, ai paralajmëroi pak orë përpara tij, duke u përpjekur që ta zhvlerësonte atë dhe duke e quajtur të “neveritshëm” (“schifosa”) dhe ta lidhte me “llumin” e gazetarëve të Berishës dhe me përpjekjen e vetë këtij të fundit për të treguar kryeministrin si “kryemafioz”.

Njësoj veproi një ditë pas transmetimit por këtë herë jo duke shkruajtur në faqen e tij por duke mbajtur një qendrim të regjistruar në video ku përpiqet t`i tregojë popullit “pseudohetimin” e gazetarëve italianë dhe “pastërtinë” e tij lidhur me akuzat ndërsa pak orë më pas priti Melonin, në përpjekjen e tyre për të përshpejtuar punimet në dy kampet e refugjatëve ndërkohë në median e mbikëqyruar nga dy partitë kryesore, u theksua “debati” lidhur me akuzat: kundështarët e Ramës e quanin shtetin e tij “narkoshtet” (siç e quan Berisha) ndërsa mbështetësit e tij e kundërshtonin por asnjëra palë nuk bindte.

Për shembull, një jogazetar që paraqitet si gazetar, Artan Hoxha, tha se vendi ynë nuk është “narkoshtet” sepse ai nuk prodhon kokainë si vendet latine (duke shpërnjohur faktin se vendi ynë prodhon hashash si kurrë më parë) ndërsa Ylli Manjani, një “jurist” dhe ish-ministër i drejtësisë i qeverisë “Rama-1”, në vend ta lidhte “narkoshtetin” me ndonjë përcaktim juridik, siç i takonte, e lidhi atë me “lekun” e dobët në raport me “euron”!

Falori` Oxfordit e përcakton “narkoshtetin” si  “një vend ekonomia e të cilit varet nga tregtia e lëndëve të paligjshme” ndërsa shtet-mafia quhet zakonisht një “qeveri e lidhur me krimin e organizuar”.

Për të vërtetuar se vendi ynë varet nga tregu i drogës ne kemi dy fakte ose prova:

-njëra lidhet me përpjekjen e Ramës për të zhvilluar industrinë e drogës, sepse ai beson se ajo mund të “zhvillojë ekonominë”, fakt të cilin kam vite që e them, gjykuar nga çka dëshmoj nga Rama, i cili si fillim asgjësoi industrinë e vogël të Berishës në Lazarat dhe filloi të krijonte një industri në gjithë vendin, me përpjekjen e parë në Xibrakë, për të krijuar një industri prodhimi kokaine, ku dështoi, por të mbështetur nga bankat, fakt të cilin e raportoi dhe kreu i Spaku-ut në raportin e tij vjetor dhe tani kemi dhe pohimin e Ahmetajt, sipas të cilit Rama beson se me industrinë e drogës do të zhvillonte ekonominë dhe ai takohet rregullisht me përfaqësues të drogës (për industrinë përkatëse është burgosur ish ministri` brendshëm, Saimir Tahiri); dhe

-tjetra, lidhet me të ardhurat nga droga: sipas një raporti të “The Guardian” të vitit 2019, mafia shqiptare ishte “në rrugën e saj drejt marrjes thuajse tërësore të tregut të kokainës prej 5 miliardë stërlinash në Mbretërinë e Bashkuar”. Por kokaina është vetëm një lëndë; sepse vendi ynë tregton dhe lëndë të tjera, me hashashin lëndën kryesore. Për këtë të fundit disa përllogaritje tregojnë, bazuar në lëndën e konfiskuar nga policia, se shuma duhet të jetë rreth 1.3 miliardë euro (2017).

Pavarësisht vështirësisë së vlerësimit të shumës tërësore që fitohet nga industria që zhvilloi Rama (ndoshta ai mban shënime dhe ka ndonjë shumë më të saktë) gjykuar nga dy raportet e përmendura, por dhe nga fakti se që nga viti 2017 dhe 2019 kanë kaluar më shumë se shtatë vjet, dhe për pasojë të ardhurat janë rritur, shuma duhet të jetë rreth 10 miliardë euro ose sa gati një e katërta (ose 25 për qind) e prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit tonë!

Hetimi` gazetarëve të RAI 3, në fjalë të tjera, ndihmoi përpjekjen tonë (si gazetarë) për të theksuar çështjen e “narkoshtetit” që ka ngitur Rama dhe meriton të përshëndetet si nga ne (nga gazetarët e lirë dhe të ndershëm sigurisht) ashtu dhe nga populli shqiptar. Por ai duhet të kishte përfshirë dhe raportin vjetor të SPAK-ut, ku tregohet shkalla e krimit organizuar, për t`i dhënë hetimit “peshë” juridike. Madje, ai mund të përfshinte dhe faktin e përmendur nga kreu i SPAK-ut se administrata publike nuk kallëzon korrupsionin si më parë.

Alarmi i kreut të SPAK-ut dhe arsyet pse Rama s`ka frikë nga drejtësia

Sidoqoftë, ai tashmë ushtron trysni të jashtëzakonshme ndaj SPAK-ut për hetuar Ramën edhe për çështjen e industrisë së drogës, për të cilën ai ka treguar shqetësim të madh si në raportin vjetor ashtu dhe më pas kur ka kërkuar bashkëpunim më të madh me shoqërinë shqiptare në tërësi. Ai përshpejton, gjithashtu, përpjekjen për krijimin e një qeverie teknike dhe drejtimin e vendit përkohësisht për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të ndihmuar drejtësinë.

Loja e pistë e qeverisë britanike dhe Ramës me mërgimtarët shqiptarë (2*)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA