...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shqipërisë (dhe Kosovës) i kanoset “zia e bukës” ndërsa Rama dhe Kurti (dhe opozitat) i bien fyellit

Shqipëria me orientimin e saj për t`u integruar në globalizmin neoliberal shkatërroi sektorin e energjitikës dhe Azotikun e Fierit

Ylli Përmeti

19/06/2022 - 20:33

Një raport i Bankës Botërore lidhur me sasinë e prodhimit të drithit në vendin tonë citon se në vitin 2018 ajo ishte 678,196 tonë me rënie krahasuar me një vit më parë dhe me një mesatare prej 638,150 tonë që nga viti 1961 me vitin më të mbarë 1983 kur Shqipëria kapi shifrën rekord të drithit prej 1,067,000 tonë dhe me të mbrapshtin vitin 1961 kur vendi ynë prodhoi 293,449 tonë. Instat-i raporton se prodhimi i drithit në vitin 2020 ishte pak më i lartë: 684,023 tonë. Kjo sasi është thuajse sa dyfishi i sasisë së importuar prej 364,000 tonë.

Çmimet e larta të plehrave kimike dhe të energjisë motorrike dhe mungesa e subvencioneve, thonë raportet zakonisht, e bëjnë vendin tonë të parin në rajon sa i përket kostos së prodhimit.

Sipas një raporti të FAO-s një ton drithë në Shqipëri kushton të paktën 38 për qind më shumë se mesatarja rajonale ndërsa prodhimi i një ton drithi në vendin tonë kushton 286 dollarë ndërsa në Maqedoninë V. 201; në Bosnje 170; ndërsa Serbia ka koston më të ulët prej 169 dollarë. Sipas një studimi tjetër, në vendin tonë vetëm 25 për qind e fermerëve gjenerojnë më shumë se 5,500 euro në vit; më shumë se një e katërta gjeneron më pak se 750 euro, dhe rreth gjysma një mesatare prej 1,700 euro në vit ose 500 euro për çdo punëtor.

Shqipëria ka rreth 350,000 ferma dhe rreth 160,000 janë më pak se një ha; 142,084 janë mbi 2 ha; dhe 49,000 janë më shumë se 2 ha. Për të gjeneruar fitim një fermë prej dy punëtorësh ajo duhet të gjenerojë 5,000 euro në vit. Sektori i agrikulturës punëson 36.4 për qind të fuqisë punëtore dhe zë përqindjen më të lartë të ekonomisë dhe punësimit me rreth 18.63 për qind të PBB-së. 

Në BE kostua mesatare e prodhimit të drithrave ishte 635 euro për ha sipas një raporti të vitit 2019. Kostot kryesore janë farat ose lloji i tyre, plehrat, prodhime për mbrojtjen e drithrave dhe makineria. Misri ka koston më të lartë.

Vendet në BE ndahen në dy kategori, me Hungarinë, Kroacinë dhe rajonin Balltik të kenë një mesatare kostoje prej pak më shumë se 500 euro për ha dhe Danimarkën, Gjermaninë dhe Francën me rreth 800 euro për ha. Bazuar në vlerën neto të fermës, të ardhurat ranë pas krizës së vitit 2009 nga 20,221 në 12,873 euro. Që nga ajo kohë të ardhurat u përmirësuan duke shkuar në 18,400 euro. Vendet dhe rajonet që realizuan vlerën e shtuar më të lartë për prodhuesit (mbi 40,000 euro) ishin lindja dhe veriu i Gjermanisë, Britania, Irlanda, jugu i Suedisë dhe Danimarka. 

Rusia ndalon eksportet e drithit për vendet jomiqësore dhe godet Shqipërinë

Fakti që vendi ynë ka importuar ndër vite më shumë drithë nga Rusia dhe kjo e fundit njoftoi se nuk do të lejojë eksportin e tij për vendet jomiqësore ose armike, si Shqipëria, mbetet që të importojë nga Serbia meqë ka koston më të ulët në rajon. Por është e sigurtë se Serbia nuk mund të mbulojë eksportet ruse dhe vitet e fundit Beogradi i ka shitur Prishtinës dhe Tiranës grurë të cilësisë së ulët: me pak proteina, jod dhe hekur. Nuk kanë munguar akuzat se ajo eksporton drithë të skaduar apo të lënë për kafshët dhe kontrabandë.

Kosova mund të mbulojë vetëm 35 për qind të nevojave nga prodhimi i saj dhe thuhet se gati 50 për qind e tokave bujqësore janë djerrë. Ajo importon mbi 80 për qind të grurit nga Serbia dhe kjo e fundit pezulloi eksportin e tij për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së jashtëzakonshme të eksportit si pasojë e rritjes së kërkesës. Kjo është arsyeja se pse shumë kanë vënë alarmin se Kosova kërcënohet në sigurinë e saj ushqimore.

Por është e qartë se si Kosova ashtu dhe Shqipëria nuk kanë rrugë tjetër veç të blejnë drithë nga vendet prodhuese me kosto prodhimi më të lartë se Serbia dhe Rusia me qëllim që të mbulojnë nevojat e popullit; kjo “zgjidhje” imponohet përsa kohë që qeveritë tona në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë punuar për të zhvilluar sektorin e bujqësisë por e kanë lënë atë në dinamikën e tregut të marketingut në kuadër të globalizmit neoliberal ose politikave neoliberale.

Lidhur me këtë çështje nuk kanë munguar “analizat” e gazetarëve të oligarkisë, të cilët, si shumë “ekspertë” të së njëjtës oligarki, na tregojnë vetëm mungesën e subvencioneve në sektor si shkak të rrënimit të tij.

Madje, duke qenë të paafatë për të përdorur të dhënat e institucioneve (ndër)kombëtare, mundohen të tregojnë koston e prodhimit të drithit në Shqipëri. Për shembull, “Dosja.al” në një artikull me titull, “Llogaritë/Falimentimi i fermerëve vendas thellon krizën e furnizimit me grurë”, përpiqet të na tregojë koston e prodhimit (210,000 mijë lekë të vjetra për dynym) dhe mungesën e subvencioneve si shkak i krizës në bujqësi!

Nuk mungojnë akuzat se fajin e ka vetëm qeveria “Rama” dhe oligopolistët. Për shembull, OP-ja, duke u nisur nga një raport se gruri i Lushnjes mbetet pa u shitur, sepse tregtarët e mëdhenj ofrojnë 35 lekë për kilogram, tha, pasi tregoi Ramën dhe Ballën si shkaktar, se “situatën e bën më irrituese dhe dramatike fakti që oligopolistët e mëdhenj e blejnë grurin shumë më shtrenjtë jashtë, në Serbi e gjetkë […], ndërsa me prodhuesit vendas tallen”.

Për OP-në fakti që jemi orientuar për t`u integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut pas rënies së socializmit marksist dhe në dinamikën e tij kryesore, konkurrencën, ku tregjet janë të lirë (në rastin e rajonit tonë janë në proces liberalizimi përmes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur) dhe fermat përballen me konkurrencën e vendeve fqinje dhe jo vetëm, është i padukshëm!

Nuk bëjnë as lidhjen që bëjnë shumë raporte mes energjisë motorrike dhe plehrave kimike dhe kostos së prodhimit por zakonisht bëjnë vetëm një lidhje: mungesën e subvencioneve! Hamendësisht, sepse “rrushi sheh rrushin dhe piqet”. Madje, përmbysin dhe të vërtetën: se kostoja e prodhimit të grurit është më e shtrenjtë në “Serbi e gjetkë” sa sa në Shqipëri!

Shqipëria me orientimin e saj për t`u integruar në globalizmin neoliberal shkatërroi sektorin e energjitikës dhe Azotikun e Fierit; me shkatërrimin e parë ajo nuk ka asnjë mundësi të kontrollojë koston e energjisë motorrike ndërsa me të dytin shkatërroi prodhimin e plehrave kimike dhe i importon ato nga tregu ndërkombëtar, të cilët kanë zakonisht kosto të lartë dhe cilësi të ulët.

Këta dy sektorë ishin themelet e bujqësisë shqiptare shekullin e kalur të cilët mundësuan prodhimin rekord të vitit 1983 (bashkë me parimet shkencore) dhe janë shkaqet kryesore se pse bujqësia jonë nuk konkurron dot me fqinjët tanë ndërsa subvencionet, të cilët i përmendin idiotët e establishmentit, si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë, janë një arsye e tretë por duhet përmendur paralelisht fakti (të cilin nuk e përmendin idiotët e oligarkive) se subvencionet gjenerohen nga taksat e popullit në tërësi dhe si të tillë qeveritë varfërojnë popullin në njërën anë për të zhvilluar bujqësinë në anën tjetër.

Subvencionet kanë dhe një efekt tjetër të dëmshëm tek ata që përfshihen në zhvillimin e bujqësisë: se duke ditur se ata do të subvencionohen në rast se nuk realizojnë fitime, ata shkujdesen me prodhimin e tyre!

Janë pikërisht këto dy arsye që subvencionet nuk e zgjidhin krizën në sektorin e bujqësisë krahas arsyeve të tjera dytësore, të cilat i kam treguar në vend tjetër.       

Shkaqet e shkatërrimit të ekonomisë sonë: bujqësisë, blegtorisë, arrorëve dhe shëndetit të njeriut*

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA