...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si e realizoi Enveri rendin dhe sigurinë shoqërore përgjatë socializmit marksit?

Nju Jork Tajms: Shqipëria është praktikisht një parajasë mjedisore, me oksigjen përgjithësisht të pandotur, parqe dhe bregdete të pastër dhe ushqime natyral të freskët

Ylli Përmeti

04/02/2020 - 16:11

Çdo vit kriminalizohet një qytet i tërë në Shqipëri nga klasa politike!

Vitet e fundit janë zhvilluar plotë emisione televizive lidhur me shqetësimin e madh që ka pushtuar shoqërinë tonë: krimet dhe veçanërisht krimet me karakter mafioz dhe krimet në familje! Por asnjë herë nuk janë treguar shkaqet sistemikë. Zakonisht argumentohet se policia duhet të veprojë në mënyrë që të ‘parandalojë’ krimet. Qasjen e parandalimit të krimeve e kanë përqafuar shumë vende. Por ato kanë dështuar, sepse nuk mund të parandalohen të gjithë krimet nga policia. Vite më parë, për shembull, nxita një kolege, gazetare ruse, të shkruante për parandalimin e terrorizmit në Rusi me qëllim që të ndihmoja gjendjen e krijuar në Francë dhe Belgjikë. Terrorizmi mund të parandalohet nga policia nëse vepron siç vepron policia ruse: ajo përdor kryesisht shërbimet inteligjente. Por krimet e tjerë nuk mund të parandalohen nga policia. Sipas drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit, veprat penale të evidentuara vitet e fundit kanë rënë pak (2015: 35,864; 2016: 33,808; 2017: 34,317; dhe 2018: 34, 468). Por është e qartë se veprat penale janë të larta pavarësisht se kanë rënë: ato filluan të rriteshin me rënien e socializmit marksist dhe përgjatë 30 viteve të fundit kanë qenë thuajse në të njëjtin nivel me një rritje të jashtëzakonshme gjatë vitit 1997, kryesisht për shkak të trazirave që shkaktoi Berisha me piramidat:

Për të njëjtën arsye, se policia nuk mund të parandalojë gjithë veprat penale, në vijim do të tregoj dhe shqyrtoj jo vetëm shkaqet se pse janë rritur krimet në Shqipëri por dhe faktin se pse Enveri realizoi nivel të ulët të veprave penale meqënse klasa politike ka krijuar ‘bindjen’ se Enveri realizoi rend dhe siguri përmes frikës (sigurimit) dhe spiunëve - duke nënkuptuar se ajo nuk përdor frikën dhe spiunët ndaj nuk ka rend dhe siguri!

Propaganda kriminale e klasës politike me “anti-komunizmin” dhe revanshi i ballistëve

Së pari, partia komuniste u angazhua për punësim të plotë të popullit dhe e organizoi ekonominë me bazë shkencën duke e mbështetur atë kryesisht në burimet e brendshme. Për realizimin e këtij objektivi përdori disa parime sistemike që nuk janë kuptuar as nga “inteligjenca” jonë dhe as sigurisht nga populli: vetmbështetja, sovraniteti dhe emancipimi i popujve.[1] Angazhimi për punësim të plotë në vetvete ul krimet penale: sepse njerëzit, sido që të jenë ata, virtuozë apo jo, nuk kanë kohë të përfshihen në krime. Ky angazhim u paralelizua me edukimin. Ky i fundit luante rol vendimtar në parandalimin e krimit. Por pa angazhimin paralel —për punësim të plotë— edukimi nuk do të “pinte ujë”. Këtë fakt e vërejmë në kohën tonë e cila na tregon se kriminelë nuk janë vetëm të “paedukuarit” por dhe të “edukuarit”. Madje, këta të fundit, më shumë. Së dyti, ishte mirorganizimi i policisë dhe autoriteti i saj: ajo fitoi autoritet sepse në të u përfshinë shumë njerëz që dolën nga lufta të cilët kishin treguar aftësitë e tyre zbuluese dhe luftarake. Dhe në fund, ishte lufta e klasave: ajo luante rol të rëndësishëm kryesisht në luftën kundër përqendrimit të pushtetit ekonomik me padrejtësi—domethënë, kundër padrejtësive ekonomike. Nuk do të ishte e çuditshme që në vitin e fundit të socializmit marksist, “Nju Jork Tajms” të dëshmonte se:

Shoqëria ishullore [shqiptare] duket se i është arratisur shumicës së sëmundjeve moderne si drogës, alkolizmit, krimeve të dhunshme, Sida-s dhe mbipopullimit me automjete. Ajo është praktikisht një parajasë mjedisore, me oksigjen përgjithësisht të pandotur, parqe dhe bregdete të pastër dhe ushqime natyral të freskët.[2]

Sigurisht, gazeta përkatëse nuk e shikon gjendjen nga një këndvështrim sistemik. Por tregon një realitet që lidhet me socializmin marksist. Gjykuar nga kjo qasje sistemike, mund të nxjerrim dhe përfundime: se pa punësim të plotë të popullatës, pa edukim dhe pa polici të mirorganizuar nuk mund të ulen veprat penale. Por kujtoj se ‘edukimi’ përgjatë socializmit marksist kishte probleme në qasje: ai mbështetësh kryesisht në ideologjinë marksiste se sa në virtyte. Si pasojë, dhe duke ditur se në zemër të ideologjisë marksiste ishte lufta e klasave për të shkuar në një shoqëri pa klasa, dhe kjo lloj lufte do të zhvillohësh edhe nga klasa punëtore, me mbështetjen e elitës komuniste, dhe klasës punëtore përgjithësisht i mungonte arsyetimi (ose gjykimi) i drejtë i tjetrit në raport me pushtetin ekonomik që zotëronte, padrejtësitë sociale nuk munguan. Por ato zbuteshin me faktin se të gjithë punonin dhe një lloj barazie mes njerëzish ekzistonte. Në kohën tonë, ky orientim është braktisur dhe në vend të tij përdoret ideologjia kapitaliste: konkurrenca, individualizmi dhe konsumizmi. Përmes kësaj ideologjie popujt synojnë përqendrimin e pushtetit, ekonomik, social dhe politik ­— një synim që çon në krijimin e pabarazive përkatëse. Dhe përmes kësaj dinamike dhe duke ditur se klasa jonë politike nuk angazhohet për punësim të plotë, kërkohet “parandalimi” i veprave penale!    



[1]Shih, Marksi, Aristoteli dhe parimet komuniste: vetë-mbështetja, sovraniteti dhe emancipimi i popujve.

[2] A glimpse into Albania, New York Times, Dec. 10, 1989.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA