...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si ta kuptojmë vlerësimin e “Freedom House” dhe akuzën ndaj Thaçit dhe Haradinajt?

“Freedom House” nuk gjykon vetëm duke u bazuar në “kutin” amerikan―se çfarë kuptohet atje me nocionin “demokraci”― por duke u bazuar dhe në qëllimet e qeverisë amerikane―aktualisht ajo kërkon të integrojë Ballkanin Perendimor në BE dhe të luftojë korrupsionin por jo domosdoshmërisht veprimtaritë kriminale. Ajo gjykon, gjithashtu, duke u bazuar në të dhënat që mbledh nga shtypi dhe shërbimet inteligjente amerikane në anët tona.

Ylli Përmeti

21/04/2022 - 10:15

“Freedom House” publikoi raportin e saj vjetor për “vendet në tranzicion” ― për 29 vende ish ‘komuniste’, siç i quan ajo, në rajonin e Evropës Lindore dhe Azinë Qendrore ku analizon ecurinë e vendeve përkatëse mbi qeverisjen demokratike, ligjin, pavarësinë e gjyqësorit, shtypin e lirë, shoqërinë civile dhe korrupsionin. Shqipërinë e vitit të kaluar e vlerësoi si regjim hibrid ose “demokraci në tranzicion” dhe pa përparim pavarësisht se pati një prirje drejt përmirësimit gjatë viteve 2014-20 ndërsa Kosovën e vlerëson njësoj por me pak përparim. Në të dy vendet mbizotëron “korrupsioni dhe klientelizmi politik”.

Lidhur me gjyqësorin Shqipëria gjendet ende në fazën e verifikimit të tij dhe nuk ka ndryshuar në pikë që nga viti 2013 ndërsa Kosova ka pësuar pak përparim. Lidhur me korrupsionin, vendet përshkruhen njësoj: ai është i përhapur kudo në qeverisje ndërsa qeveria “Rama” nuk e ka përmirësuar atë që nga viti 2013 kur erdhi në pushtet. Qeveria “Kurti” po përpiqet ta luftojë korrupsionin, citon raporti, por katër trupat e saj anti-korrupsion “dyzohen dhe e kanë të vështirë të bashkërendojnë përpjekjet”.

Lidhur me tregun mediatik, raporti citon se ai zotërohet nga “rreth tetë persona [të cilët] kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut mediatik në Shqipëri dhe i përdorin...për të lobuar për interesat e tyre dhe për të mbajtur lidhje të ngushta me partitë politike [ndërsa] mbështeten në shantazhimin, ose diskreditimin e personave, që flasin kundër interesave të tyre, ose partive politike, që ato mbështesin. Përmbajtja e shtypit shqiptar vijoi të përkeqësohej në vitin 2021, me një rritje të numrit të emisioneve televizive, që kryesisht ndajnë opinione të pabazuar në prova, ose fakte të verifikueshme”.

Megjithëse në vitin 2018 Voa raportonte se media televizive, radifonike dhe shtypi në Shqipëri kontrollohësh nga katër pronarë, tregu i mediave në Kosovë përballet me trysninë e qeverisë dhe interesat e bizneseve në politikën editoriale duke përfshirë dhe RTK ndërsa gazetarët raportojnë shpesh shqetësime dhe përfrikësime dhe disa janë sulmuar.

Megjithëse varianti origjinal i raportit për Shqipërinë nuk është publikuar ende dhe këtu citova disa të dhëna nga Voa raporti për Kosovën akuzon Thaçin dhe Haradinajn për “lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivel të lartë”. Kjo është një akuzë e rëndë.

Por le ta shqyrtojmë organizatën përkatëse se sa e drejtë është ajo në vlerësimin e saj në këto fusha institucionale.

“Freedon House” është një orgnizatë që vlerëson kombet demokratike dhe qeveritë e përgjegjëshme ndaj popujve të tyre dhe është krijuar shekullin e kaluar nga qeveria amerikane për të kontribuar në rrënimin e bllokut socialist në lindje të Evropës dhe përtej.

Vlerësimi i saj, rrjedhimisht, bazohet kryesisht në çka kuptohet si “demokraci” në SHBA. Karakterin e kësaj të fundit e kam treguar në një analizë dhe këtu mund të them se ajo ndan disa karakteristika me Demokracinë Klasike të Athinës por vetëm demokraci nuk është. Me rënien e bllokut socialist në lindje “Freedom House” kontribon në përhapjen e ideologjisë neoliberale.

Nuk do të ishte e çuditshme që revista amerikane “The National Interest”―e cila mbështet “interesat amerikane” në botë përmes, siç citon ajo, “realizmit” dhe jo “idealizmit”―duke mbështetur “rendin” e ri botëror të globalizmit neoliberal ku mbizotëron ndërvarësia dhe sovraniteti i shteteve është i kufizuar për mos të thënë pa sovranitet, kritikon “Freedom House” se është “ e njëanshme...dhe nuk është më një burim i besueshëm në renditjen e politikave demokratike të kombeve”, duke shtuar se ajo “ka ndryshuar dramatikisht që nga ditët e saj anti-komuniste përgjatë Luftës së Ftohtë dhe është bërë thjesht një OJQ përparimtare, anti-konservative (dhe në mënyrë të papërmbajtshme e varur nga qeveria [amerikane]”. 

Kritika është publikuar në kohën kur në presidencën amerikane ishte Trampi dhe kritikon raportin e vitit 2018, i cili citon se “demokracia është në krizë” duke ilustruar argumentin me qendrimet e partisë demokratike në Amerikë kundër qeverisë “Tramp” dhe disa qendrime të tjera të partive konservatore në Evropë dhe përtej duke mos lënë pa përmendur Kinën dhe Rusinë. Kritika kundërshton vlerësimin e saj me zhvillimet e fundit në perëndim me “prirjet post-liberale dhe post-demokratike brenda BE-së duke theksuar se “çfarë po dëshmojmë ne sot, për pjesën më të madhe (atje ka gjithnjë tepëri në çdo lëvizje politike) nuk është populizëm anti-demokratik dhe iliberalizëm, por ritheksimi i sovranitetit demokratik përgjatë perëndimit”.

Vetë faqja e “freedom House” citon se programet e saj mbështesin të drejtat njerëzore dhe mbrojtësit e demokracisë në përpjekjen e tyre të nxisin qeverisje të hapur, të mbrojnë të drejtat e njeriut, të forcojnë shoqërinë civile dhe të lehtësojnë rrjedhën e lirë të të dhënave dhe ideve” përmes “dhënies së granteve, mbështetje urgjente, programe aftësi-ndërtuese, trajinime, programe shkëmbyese ndërkombëtare dhe veprimtari rrjeti ose spiunazhi”. Për të realizuar raportet e saj ajo “përdor një ndërthurje mes kërkimit në terren, këshillimeve me kontakte lokale, dhe të dhëna nga artikuj të rinj, OJQ, qeveri, dhe një mori burimesh të tjerë”.

Varësinë e saj politike mund ta kuptojmë dhe nga burimet financiare, sepse ajo financohet kryesisht “nga grantet e USAID-it dhe DASH-i dhe qeveri të tjera si Kanadaja, BE-ja, Holanda, Norvegjia dhe Suedia, dhe fondacione private”. Aktualisht në Uashington pushtetin e ka një qeveri neoliberale dhe vendet e tjerë që e financojnë atë janë në të njëjtën linjë.

“Freedom House”, në fjalë të tjera, nuk gjykon vetëm duke u bazuar në “kutin” amerikan―se çfarë kuptohet atje me nocionin “demokraci”― por duke u bazuar dhe në qëllimet e qeverisë amerikane―aktualisht ajo kërkon të integrojë Ballkanin Perendimor në BE dhe të luftojë korrupsionin por jo domosdoshmërisht veprimtaritë kriminale. Ajo gjykon, gjithashtu, duke u bazuar në të dhënat që mbledh nga shtypi dhe shërbimet inteligjente amerikane në anët tona.

Lidhur me demokracinë ajo ka të drejtë meqënse është e qartë nga të gjithë studiuesit seriozë ―madje dhe nga populli―se në vendet e Ballkanit mungon demokracia e llojit amerikan, pa përmendur demokracinë klasike: të drejtpërdrejtë. Por lidhur me akuzat ndaj krerëve të partive politike ato mund të jenë politike ―në kuptimin e goditjes së disa figurave politike për të krijuar përshtypjen se Amerika po ndihmon në luftën kundër korrupsionit― por mund të jenë dhe të karakterit juridik ―në kuptimin se provat tregojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se ata janë vërtet ashtu siç i akuzon.

Nëse është varianti i parë, Amerika nuk ndihmon vërtet në luftën kundër korrupsionit por përdor përshtypjet e popujve se po ndihmon; ndërsa në rastin e dytë ajo ndihmon. Mbetet që akuzat e saj të vërtetohen në gjykatë nëse të akuzuarit ndërmarrin veprime ligjore.

Në fund, Voa sqaroi kuptimin e “korrupsionit dhe klientelizmit politik” në një intervistë me autorin e raportit për Shqipërinë. Sipas tij ”njerëzit nuk aderojnë në partitë politike sepse janë të djathtë, të majtë, apo liberalë e konservatorë e kështu me radhë, por i shikojnë partitë politike, si një mjet për të përfituar, qofshin ato në vende pune, qofshin në tendera, e kështu me radhë. Pra shikojmë që ka një lidhje klienteliste. Sigurisht, që ka edhe lidhje të tjera, që kanë të bëjnë me korrupsionin e përtej, por marrëdhëniet që ka populli në këtë mes me partitë politike, është e bazuar kryesisht në formë klienteliste dhe nuk ka të bëjë shumë se aderojnë, sepse kanë bindje të majta ose të djathta”.

Ndërsa ky argument mund të jetë mbështetur në ndonjë studim (në dijeninë time nuk është zhvilluar ndonjë i tillë, përveç rastit tim ku kam katagorizuar anëtarët e partisë “demokratike” në bazë të ndjekjes së foltoreve të Berishës) duhet të mbështetet në studime ndryshe jemi në fushën e hamendësimeve.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA