...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si të rrëzojmë qeverinë “Rama” dhe klasën politike për një javë me ndihmën e policisë?

Policia, në fund të fundit, përbëhet nga njerëz të klasës së mesme dhe të ulët si shumica e shqiptarëve. Kështuqë, ajo qendron më afër popullit se sa “elitës” pavarësisht se mes tyre ka “besnikë” të betuar ndaj saj

Ylli Përmeti

14/12/2020 - 10:16

Dy dekadat e para të socializmit mund të quhen pa frikë “epoka e artë e policisë shqiptare”. Por pas atyre 25 vjetëve policia degjeneroi gradualisht pavarësisht se shteti shqiptar rriti vitet e edukimit me ngritjen e degës universitare të policisë. Kjo është një ndër kontradiktat kryesore të policisë dhe mund të shërbejë si rast studimi për studiuesit e pedagogjisë. Domethënë, fakti se policia e 25 viteve të parë të socializmit ‘shkëlqeu’ pavarësisht se shumica e pjesëtarëve të saj nuk kishte arsim universitar ndërsa kur filloi arsimi universitar ajo filloi të degjeneronte! Studiuesit e establishmentit nuk përqendrohen në këto faza zhvillimi. Hamendësisht, sepse nuk i japin dot përgjigje dukurisë.

Sidoqoftë, ‘shkëlqimi’ i policisë së dekadave të para të socializmit lidhet me fazën e luftës gjatë së cilës u kalitën aftësitë organizative dhe udhëheqëse të partizanëve dhe komunistëve. Lufta, në fjalë të tjera, shërbeu si fazë “edukative” për drejtuesit e policisë së shtetit.

Padija e establishmentit akademik dhe politik dhe nevoja e ri-edukimit të policisë

Por policia degjeneroi më shumë gjatë tre dekadave të fundit me ndryshimin e sistemit: nga socializmi marksist në kapitalizmin neoliberal ose në “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut të ndërkombëtarizuar. Arsyeja kryesore është padija si në raport me qeveritë ashtu dhe në raport me sistemin edukativ. Në fakt qeveritë kanë dashur ta kontrollojnë drejtëpërdrejt policinë ndërsa kanë propaganduar konceptin e “depolitizimit” të saj. Domethënë, se policia është pa parti dhe e paanshme.

Por ligji është hartuar në mënyrë të tillë që policia të kontrollohet dhe drejtohet nga qeveria. Për shembull, drejtori i policisë, i cili përgjigjet për gjithçka lidhur me të, emërohet nga këshilli i ministrave ndërsa vetë ministri i brendshëm “harton dhe mbikqyr zbatimin e politikave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit” (Neni 7). Kështuqë, nëse ka një shkak kryesor se pse policia ka degjeneruar, ajo është qeveria. Policia, në fakt, duhet të bashkëpunojë me qeverinë.

Qoftë edhe gjatë fazës kur ajo shkëlqeu ajo bashkëpunonte me qeverinë komuniste dhe kontrollohësh nga ajo. Ndaj dhe shkaqet e degjenerimit të saj lidhen së pari me qeveritë e 30 viteve të fundit dhe së dyti me edukimin. Ky i fundit nuk bazohet në virtyte pavarësisht se si koncept përmendet nga elitat moderne. Nuk gjendet askund, për shembull, në literaturën policore, domosdoshmëria e zhvillimit të virtytit të drejtësisë dhe përmbajtjes: sepse pa virtytin e drejtësisë nuk mund të zhvillohet virtyti i përmbajtjes.

Ligji, për shembull, citon dhjetë parime bazë të policisë: ligjshmëria; b) mosdiskriminimi; c) respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; ç) proporcionaliteti; d) pavarësia operacionale; dh) paanshmëria politike; e) integriteti, merita dhe profesionalizmi; ë) transparenca; f) ruajtja e informacionit të klasifikuar; g) kontrolli dhe llogaridhënia.

Por këta parime dhe koncepte nuk zbërthehen gjëkundi! Qoftë edhe nëse konsiderojmë “parimet bazë” të policisë do të kuptojmë se nga burojnë, sepse një njeri i drejtë...me ligjin (ose ligjshmërinë) është dhe jodiskriminues ose nuk bën dallime; respekton dhe të drejtat e njeriut; përdor fuqi të barabartë kur sulmohet, sepse synon ruajtjen e tjetrit; është i pavarur në veprimet e tij; është i drejtë dhe rrjedhimisht i paanshëm ose i depolitizuar lidhur me partitë politike; është i ndershëm (me integritet siç thonë demagogët); është meritokrat sepse është i drejtë në gjykimin e tij; është profesionist sepse është i drejtë; është i tejdukshëm sepse është i drejtë; e ruan informacionin e klasifikuar sepse falë virtytit të tij të drejtësisë kupton se ai mund të shkaktojë dëme ndaj shtetit; është i vetkontrolluar ose i përmbajtur sepse është i drejtë dhe llogarijep sepse një njeri i drejtë e di se veprimet e tij duhet të gjykohen nga të tjerët.

Parimet e policisë, në fjalë të tjera, nuk qartësohen nga ligji. Dhe kur nuk qartësohen në ligj, si mund të pretendojmë të kuptohen dhe zbatohen drejtë nga policët, të vjetër qofshin ata apo të rinj?

Gjykuar nga këto fakte —se polica ka degjeneruar për shkak të padijes së qeverive dhe padijes së sistemit edukativ lidhur zhvillimin e vityteve të domosdoshëm për policinë— cilat mund të ishin kërkesat tona si popull:

1. Largimi i qeverisë “Rama”, sepse e ka treguar se nuk ka dije politike dhe administrative dhe pikërisht sepse nuk ka dije është ajo e para që korrupton policinë siç ka korruptuar gjykatat dhe shoqërinë;

2. Integrimin e qasjes ‘virtuoze’ në sistemin edukativ të policisë dhe jo vetëm; në rastin e policëve, ata e kanë të domosdoshme të zhvillojnë virtytin e drejtësisë dhe përmbajtjes, ndryshe të bëjnë gjëmën, siç na e kanë bërë prej dekadash, dhe zvogëlimin e numrit të policëve ndërsa rifitohet autoriteti i policit dhe zvogëlohet barra e saj me punësimin e plotë të shoqërisë dhe edukimin e saj;

3. Krijimin e kushteve shoqërore për krijimin e një qeverie të re bazuar në virtyte drejtuese/administrative.

Kërkesa e tretë nënkupton se protestuesit duhet të kërkojnë bashkëpunim me policinë dhe mos ta shohin atë si armike të popullit: sepse armiku i parë i popullit tonë është ajo që vetëquhet “elitë” ose “klasë politike” ndërsa armiku i dytë është veprimi (kur voton parti kriminale) dhe mosveprimi (kur nuk vepron drejtë) i vetë popullit. Policia, në fund të fundit, përbëhet nga njerëz të klasës së mesme dhe të ulët si shumica e shqiptarëve. Kështuqë, ajo qendron më afër popullit se sa “elitës” pavarësisht se mes tyre ka “besnikë” të betuar ndaj saj.

Për të njëjtën arsye, protestuesit duhet të ndryshojnë taktikë: të bëjnë “përvete” policinë me qëllim që mos t`i bindet “Ramës”. Edhe nëse mes protestuesve ka nga ata që nxiten me paratë e pista të partive kundërshtare, Berisha dhe Meta, siç ka akuzuar Rama dhe demagogët e tij, ata janë gjithashtu pjesë e shumicës së shqiptarëve, klasë e varfër, dhe nëse punohet me ta, ata mund të ndryshojnë qendrim dhe mos t`u binden “nxitësve” milionerë. Nëse punohet në këtë mënyrë dhe të gjithë kontribojnë në këtë drejtim, shfuqizojmë si qeverinë “Rama” ashtu dhe kundërshtarët e tij, Berisha dhe Meta, brenda një jave. Por vetëm nëse kontribojnë të gjithë. Ndryshe protesta do të shuhet përkohësisht, policia dhe klasa politike do të mbetet e njëjtë; dhe dhuna do të shtohet!             

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA