...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si t`i bëjmë njerëzit - Njerëz dhe të parandalojmë dhe përdhunimin e gocave të mitura?

Përgjegjësia e qytetarëve për të vepruar kur dëshmojnë padrejtësi është një çështje; por përgjegjësia e shtetit —me shtet kuptoj shoqërinë tonë dhe jo vetëm qeverinë apo administratoren e pushtetit politik e cila është pjesë e shoqërisë— është të parandalojë padrejtësitë.

Ylli Përmeti

02/06/2020 - 08:57

Përgjegjësia e qytetarëve për të vepruar kur dëshmojnë padrejtësi është një çështje; por përgjegjësia e shtetit —me shtet kuptoj shoqërinë tonë dhe jo vetëm qeverinë apo administratoren e pushtetit politik e cila është pjesë e shoqërisë— është të parandalojë padrejtësitë.

Rasti i dhunimit psikologjik dhe fizik i vajzës 15 vjeçare nga 65 vjeçari dhe më pas nga bashkëmoshatarët e saj në grup, mund të parandalohësh nëse shoqëria jonë mendon dhe përpiqet së pari të parandalojë dhe jo thjesht të ndalojë, duke bashkëpunuar dhe me qeverinë, sado idiote qoftë kjo e fundit. Lidhur me këto lloj ngjarjesh, nga gazetarët dhe “ekspertët” e establishmentit dëgjojmë dhe do të vazhdojmë të dëgjojmë “çudi” e “habi” se pse asnjëri nuk reagoi kur ishte në dijeni se një padrejtësi zhvillohësh kundrejt një vajze nga disa “njerëz” të parritur. Por nuk do të dëgjojmë kurrë të na tregojnë se pse nuk rriten —pse lindin dhe vdesin kalamaj disa “njerëz”...në fakt, shumica e njerëzve lindin dhe vdesin kalamaj—dhe pse shoqëria jonë nuk reagon kundrejt padrejtësive. Pse? Sepse nuk dinë ose s`kuptojnë as veten —kur këta reagojnë të kuptojnë se çfarë kanë më shumë se të tjerët— e as të tjerët - shoqërinë, se pse ajo nuk reagon!

Ja pse jemi në gjendje të shthurur dhe do të vazhdojmë të jemi për shumë kohë: sepse të ashtuquajturit “ekspertë” nuk na tregojnë shkaqet dhe për më tepër shkaqet sistemike lidhur me një padrejtësi. Një shkak sistemik është edukimi: sepse supozohet se shoqëria jonë di të edukojë njerëzit—t`i “pjekë” ata, siç thotë populli. Një shkak tjetër sistemik është mendësia që është krijuar mes shqiptarësh, e cila riprodhohet nga një gjeneratë në tjetrën: se një gocë femër—kuptoje me organe të dallueshme femërore (gjoks etj.)—është gati për çifitim - aq më tepër kur ajo fillon dhe ‘kërkon’ të dashur! Dhe një tjetër është qeveria jonë pa dije që edhe nëse ka dije përpara hundës së saj ajo nuk e shfrytëzon për mirëqënien e popullit: sepse një njeri apo qeveri pa dije s`ka krijuar premisa shkencore që të gjykojë drejtë se ç`është dija. Ja pra, janë këto tre shkaqe që duhen luftuar që të parandalojmë padrejtësitë e këtij lloji që janë bërë tashmë thuajse të përditshme! Ka këllqe ndonjëri t`i kuptojë këta shkaqe dhe pastaj t`i luftojë? Me pak shtysë edhe mund të ketë!

Lidhur me shkakun e parë—se detyra e shtetit është të edukojë njerëzit— duhet të rishikohet edukimi, të cilin e kam përshkruar në studimet e mija: se çfarë i mungon atij. Dhe atij i mungon si ana teorike ashtu dhe ana praktike për të ‘bërë’ njerëz të ‘pjekur’. Me ‘pjekuri’ unë kuptoj një njeri të matur ose me virtyte etike dhe intelektuale përmes të cilëve ai matet përpara se të veprojë. Lidhur me shkakun e dytë—mendësinë që është krijuar mes nesh…se goca me “cica”…mund ta kuptojmë se ajo vërtet ka zhvilluar organe tërheqëse për meshkujt dhe shpesh të dëshirojë të çiftohet në moshë të vogël, por kjo është një lloj dëshire që nuk buron nga një njeri i ‘pjekur’—domethënë, një njeri që matet përpara se të veprojë. Ne dimë se gocat, dhe jo vetëm gocat, kur rriten ose kalojnë moshën 18 vjeç, ato ende nuk janë të ‘matura’ në veprimet e tyre, sidomos lidhur me seksin, me idenë e të cilit rriten.

Një arsye se pse dështojnë çiftet është pikërisht paaftësia e gocave të gjykojnë drejtë djemtë me të cilët përballen—domethënë, të gjykojnë karakterin e një kandidati të mundshëm dhe jo vetëm pamjen e jashtme. Kjo është arsyeja se pse shoqëria jonë zhvilloi praktika mbikqyrëse në të kaluarën. Për shembull, kudo ku shkonte goca shoqërohësh nga tjetër se ndryshe do të rrëmbehësh dhe do të përfundonte në epshet e ndonjë idioti. Por këto praktika përdoreshin në kohën kur edukimi nuk ishte institucionalizuar në shoqërinë tonë. Ndaj një gocë, poshtë moshës 18, nuk duhet lejuar të “provojë” kënaqësinë e seksit. Përjashto mundësinë kur ajo përballet me një mashkull të ‘pjekur’—të provuar se është virtuoz. Dhe vijmë tek shkaku i tretë: padija e qeverisë, sepse nga ajo pritet më shumë se ç`do kush tjetër që të ndryshojë të pandryshueshmen—padrejtësinë… 

T`i kthehemi tani argumentit që përdorin “eskpertët” e establishmentit se natyra njerëzore është e mbrapshtë ose e shthurur (shumica e tyre përdor termin “pervert”!). Këtë argument përdorën disa prejt tyre edhe kur shqyrtuan rastin e 14 vjeçares (Open) duke gjykuar nga sjellja e komentuesve në videon që publikuan dhunuesit e saj: ata i përgëzonin ata! Të njëjtin argument përdorën dhe disa “ekspretë” të tjerë tek Çani (zona e ...shthurjes) për një çështje tjetër. Madje ky argument u fuqizua dhe nga një “filozof” i programit përkatës me argumentin e Hegelit: se natyra njerëzore është më shumë se e shthurur! Hegeli, në fakt, si shumë “filozofë” të kohës moderne na tregon simptomat e njeriut dhe jo natyrën e tij: sepse njeriu ‘bëhet’ ashtu siç është dhe nuk lind ashtu siç është. Hegeli dhe shumë si ai para tij dhe pas tij, në fakt, nuk e ka idenë se si ‘bëhet’ njeriu...virtuoz. Ndaj nxjerr përfundime nga simtomat e njerëzve të kohës së tij që nuk ndryshojnë shumë nga njerëzit e kohëve tona dhe na i paraqet si “aksioma” filozofike.                        

Ky argument jo vetëm që nuk është i vërtetë dhe nuk ka asnjë grimcë pedagogjike por ai nënkupton se meqënse natyra e njeriut është e “shthurur” heqim dorë dhe nga edukimi i tij!Nënkupton, gjithashtu, se sistemi arsimor (mësuesit dhe pedagogët) nuk dinë t`i ‘bëjnë’ njerëzit – Njerëz. Domethënë, faktin se kanë dështuar dhe do të dështojnë nëse nuk mësojnë të ‘bëjnë’...Ja, me “ekspertë” dhe “filozofë” të tillë përballemi dhe pastaj çuditemi pse nuk ‘bëhen’ njerëzit – Njerëz!

Pa u çuditur, kritika e ministreve të Ramës me në krye Kodhelin, qendrimin e të cilës Rama e çensuroi...u përqendrua tek sistemi arsimor—domethënë, tek mësueset që e kanë mendjen të pispillosen dhe jo të mbrojnë fëmijët. Por kritika nuk është plotësisht e drejtë: sepse qoftë edhe nëse e pranojmë se ka mësuese që më shumë pispillosen se sa mbikqyrin fëmijët, pyetja që vijon duhet të marrë përgjigje: vallë nga kush kanë mësuar dhe kush i integroi në sistemin arsimor?

Dimë se ministret përkatëse nuk janë propozuar nga populli për t`u zgjedhur si ministre dhe dimë, gjithashtu, se ministret pispillosjen e kanë të parën, sepse po mos ta kishin të parën, do të punonin më shumë qoftë edhe duke zhvilluar arsyetimin.  Dhe dimë, në fund, se sidomos qeveria “Rama”, luksin e ka pjesë të ideologjisë së saj meqënse ka adoptuar qasjen e “modernizimit” të shtetit për të luftuar mes të tjerash korrupsionin. Opozita e Bashës, ndërkohë, doli dhe protestoi duke kërkuar dorëheqjen e ministres së arsimit sikur do të mjaftonte dorëheqja e saj.                               

Rama si kundërpërgjigje ndaj kritikave kundrejt tij dhe ministres së tij, Shahinit, përdori argumentin e priftërinjëve dhe kishës katolike në Kuvend: se priftërinjëve pedofilë nuk ua doli dot Vatikani e jo më ne...duke shtuar se ministrja ka punuar mirë përsa kohë që zbaton ligjin! Ngriti, në fjalë të tjera, dy çështje: çështjen e pedofilisë të cilën vërtet Vatikani nuk e lufton dot, sepse s`kupton shkaqet, por dhe çështjen e zbatimit të ligjit nga ministrja. Për çështjen e parë s`ka të drejtë, sepse disa studiues i kuptojnë shkaqet e pedofilisë. Për çështjen e dytë ka pak të drejtë meqënse ministrja nuk merret me rojet e shkollave por vetë shkolla. Por në tërësi s`ka të drejtë për sa kohë që ministria mund të kërkojë nga shkollat zbatimin e regulloreve në punësimin e punëtorisë në shkolla ndërsa kërkon nga trupa pedagogjike të jenë syhapët meqë rregulloret nuk mjaftojnë për të parandaluar krime pedofilike. Për rastin konkret, në fakt, është raportuar dhe pohuar se trupa pedagogjike ka qenë në dijeni. Sidoqoftë, ky pretendim mbetet të hetohet nga prokuroria.                    

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA