...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si u mbuluan veprimet e pista të Finos si kryeministër nga Berisha dhe PS-ja dhe dënuan një njeri të ndershëm?

Berisha, Finua dhe partia “socialiste”, mbuluan pislliqet e Finos duke sakrifikuar një njeri të ndershëm

Ylli Përmeti

30/03/2021 - 15:31

Pasi ndërroi jetë Bashkim Finua, si pasojë e infektimit me Kurorën-19, shpërthyen dhe lavdet nga establishmenti! Lavdi kryesor ishte kontributi i tij gjatë kaosit që shkaktoi Berisha në `97. Kujtoj se ishte Berisha ai që zgjodhi dhe emëroi Finon kryeministër për të ulur gjakrat e nxehta që kishin përfshirë popullin dhe opozitën “socialiste” të udhëhequr nga Nanua. Roli i tij si kryeministër, rrjedhimisht, nuk ishte pasojë i një procesi demokratik dhe meritokratik nga populli. Por një emërim “diplomatik” — për t`u treguar shqiptarëve të revoltuar se Berisha ishte gati t`ua kalonte pushtetin të ashtuquajturve “socialistë” të kohës pas luftës që shkaktoi, mjafton ata të mos e dënonin. Pasoja e kësaj lëvizjeje nga Berisha ishte se ai nuk zbuti vetëm kundërshtarët e tij por krijoi një mbështetës tjetër në establishmentin politik: Finon.

Mirëpo ky i fundit, nuk ndryshonte shumë nga Berisha dhe Nanua. Sapo u ngjit në pushtet filloi nga pislliqet. Për to —se ç`lloj pislliqesh ka bërë— nuk jam në dijeni. Por jam në dijeni të një akti kriminal që ka bërë Finua kur ishte kryeministër, të cilin ma ka rrëfyer një individ i shërbimeve inteligjinte të kohës. Individi në fjalë ishte gjenerata e re e trajinuar nga amerikanët me lejen e Berishës dhe s`kishte asnjë lidhje me sigurimin e shtetit të cilin e mallkojnë shumë në establishment dhe popull. Si gjithnjë, pa kuptuar drejtë administratën përkatëse në raport me ligjin dhe pushtetin e elitës komuniste. Në punën e tij ai ndërvepronte shumë me Finon dhe të tjerë pranë tij dhe pa dhe dëshmoi aktet “kriminale” të Finos. Si pasojë, ai raportoi veprimet e Finos në organin ku punonte. Por nuk e dinte se organi ishte i lidhur me Berishën dhe ky i fundit me Finon dhe partinë “socialiste”. Domethënë, disa nga anëtarët e shërbimeve inteligjente raportonin të vërtetat që raportonin kolegët e tyre tek Berisha dhe ky i fundit tek Finua.

Si pasojë, Finua kërcënoi punonjësin në fjalë me jetë duke i dhënë atij një zgjidhje të vetme: të largohësh jashtë vendit. Dhe kështu bëri individi në fjalë: shkoi jashtë vendit ku jeton dhe sot. Por duke i thënë se në Shqipëri nuk do të shkelte kurrë. Ndryshe do ta vrisnin! Finua u mbështet për vendimin e tij edhe nga partia “socialiste”. Kështu të gjithë bashkë, Berisha, Finua dhe partia “socialiste”, mbuluan pislliqet e Finos duke sakrifikuar një njeri të ndershëm.

Njësoj kanë vepruar për njeri-tjetrin prej vitesh. Pasoja e kësaj marrëveshje ishte se partia “socialiste” nuk denjoi të dënonte kurrë Berishën për krimet politike dhe penale që shkaktoi ai gjatë viteve si pushtetar: sepse ky i fundit ndoqi taktikën e mbledhjes së mëkateve të kundërshtarëve të tij dhe kërcënimeve. Të njëjtën taktikë po përdor dhe Meta aktualisht. Kujtoj rastin e denoncimit të ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së. Në këtë mënyrë Berisha bllokoi veprime të mundshme hetimore nga partia “socialiste” për ta dënuar atë ndërsa të dyja palët akuzonin dhe kundërakuzonin njëra-tjetrën por pa ndërmarrë veprime konkrete.

Qoftë edhe pohimi i Ramës, i cili thotë se kriminelët e parë për t`u hetuar janë Berisha, Meta dhe Monika dhe pastaj vjen Doshi, si kundërargument kur e pyesin gazetarët për paralajmërimet e ambasadës amerikane, bëhet në këtë logjikë: të akuzës pa veprime. Kjo është një marrëveshje e nënkuptuar dhe buron nga taktika e Berishës: të mbledhjes së krimeve të kundërshtarëve të tij duke i përdorur për t`u mbrojtur nga hetime të mundshme.

Finua, në fjalë të tjera, u përdor nga Berisha për të mbrojtur veten. Argumenti se ai pati merita për “pajtimin kombëtar”, rrjedhimisht, nuk merr në konsideratë as taktikën e Berishës dhe pislliqet e Finos, jo vetëm gjatë kohës kur ishte kryeministër por në gjithë karrierën e tij politike, as edhe më e rëndësishmja, karakterin e Finos: ai ishte një njeri i pakultivuar në arsyetim. Fjala e tij politike ishte —qoftë edhe pas 30 vjetësh në pushtet— si e një njeriu të zakonshëm që nuk ka mësuar të arsyetojë. Ishte pikërisht karakteri i tij —jovirtuoz— që e beri atë të kopjonte në sjellje dhe Nanon me jetën e tij të shpenguar dhe luksoze. Purot e shtrenjta ishin një nga këto sjellje: Nanua alkoolin; Finua purot.

Karakteri i tij, për më shumë, e bëri të fitonte peshë tejet të madhe. Për pasojë, kur u infektua nuk i rezistoi dot helmit. Domethënë, vodhi shtetin për 30 vjet bashkë me të njëjtët e tij për t`ia futur vetes: sepse po të kishte fituar virtyte ai do të kishte kontribuar në shëndetin e tij dhe të shqoqërisë.

Finua, shkurt, u krijua artificialisht nga Berisha siç u krijua partia “demokratike” nga Ramizi. Domethënë, pa zgjedhje demokratike dhe meritokratike. Duhet thënë se elita politike e re që u krijua nga Ramizi nuk kishte —as ka zhvilluar— ndonjë kuptim të drejtë të demokracisë dhe meritokracisë. Kjo është një nga arsyet kryesore se pse partitë nuk janë demokratike dhe meritokrate. Dhe kjo është arsyeja se pse i quajmë partitë pa demokraci dhe pa meritokraci organizata kriminale ku riprodhohen krimet, si të pararendësve ashtu dhe të pasrendësve, të cilët, në padije, synojnë pushtetin ndërsa riprodhojnë krimin e organizuar të pararendësve.

Gjykuar nga kjo taktikë e Berishës dhe pasuesve të tij (Meta etj.) dhe nga kjo ndërvarësi pushtetore -prej të cilave janë krijuar dhe mediat kombëtare dhe gazetarët e tipit Çupi, të cilët përdorin më shumë përshtypjet se sa arsyetimin shkencor - nuk do të ishin të çuditshme lavdet dhe nderimi i tij pas vdekjes nga të gjitha partitë dhe gazetarët e të nguliturve (establishmentit).                

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA