...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Transporti hekurudhor në Shqipëri: me socializmin, vendi i parë; me kapitalizmin neoliberal, i fundit i rajonit

Fakti që Serbia po zhvillon sektorin e transportit ajo do ta bëjë më të lirë udhëtimin dhe transportin e mallrave duke kursyer klasat e ulëta të shoqërisë atje dhe duke krijuar dhe një avantazh tjetër ekonomik në raport me vendet e rajonit: kosto të ulët të mallrave serbe me gjithçka që nënkupton kjo lloj kostoje! Kjo dinamikë nënkupton më tej se do të përfundojmë edhe më keq në afatgjatë nëse drejtohemi nga qeveri pa dije sistemike

Ylli Përmeti

11/10/2020 - 15:26

Ndonëse sektori hekurudhor në Shqipëri krijoi një traditë për shkak të investimeve italiane dhe austriake në vitet 1916-1920, deri në vitet 90-të funksionoi linja industriale me gjatësi 37 km e cila transportonte prodhimet e minierës së bitumit nga Selenica në Vlorë. Shqipëria në vitin 1990-të kishte në gjendje 2,300 vagonë mallrash dhe 114 vagonë udhëtarësh me moshë mbi dy dekada ndërsa tani numërohen me gishta. Gjatë periudhës së socializmit ritmet e ndërtimit të rrjetit hekurudhor u rritën. Si pasojë, në  fund të viteve ‘90 rrjeti hekurudhor përbëhej nga 730 km linja hekurudhore nga të cilat 447 km ishin kryesore njëkaluese, ndërsa pjesa tjetër degëzime industriale dhe linja dytësore. Pasi kaloi një dekatë (1991-2000) në hallakatje, sektori iu përshtat kaosit të tregut dhe sot ka krijuar një sintezë transportimi ku autobuzët privatë konkurrojnë me furgonat dhe urbanët privatë. 

Si pasojë, atje zhvillohet një “luftë” e përhershme midis pretendentëve të tregut të transportit. Ndërsa janë braktisur trenat dhe hekurudhat, cilësi s’ka as te privati. Njerëzit ngjeshen nëpër furgona dhe urbanë që drejtohen nga fatorino dhe shoferë të keqedukuar: shpesh të dehur dhe me cigare në buzë dhe telefon në vesh. Kontrollet mungojnë. Personeli i kolaudimeve të automjeteve korruptohet. Me këtë dinamikë nuk do të ishte e çuditshme që të vdesin në asfalt dhjetra njerëz — thuajse një fshat i vogël çdo javë.

Është, në fjalë të tjera, si të udhëtosh me automjet të prishur dhe ndotës, njerëz të stresuar (për mos të thënë të “çmendur”) dhe rrugë tejet të rrezikshme. Ndërkohë klasa politike është përqendruar tek asfalti dhe superstradat në kohën kur diskutohet seriozisht ndalimi i makinave private! Ky orientim tregon qartë se qeveria “Berisha” jo vetëm që ecte në tym vitet kur qeveriste vendin por shqiptarët do të paguajnë për shumë vite borxhet e rrugëve — rrugë të cilat do t’i shfrytëzojnë kryesisht korporatat ndërkombëtare dhe oligarkët vendorë: sepse korporatat kanë kamiona me të cilët shpërndajnë mallrat, kryesisht kancerogjenë, meqënse mungojnë dhe kanë shkatërruar në shkallë të ndryshme prodhimet vendore, dhe sepse oligarkët kanë mundësinë e qarkullimit në to, meqënse zotërojnë makina luksoze dhe pará të bollshme.

Qeveria “Rama” vazhdoi politikat që parashtroi Berisha (asfalt etj.) ndërsa pret fondet e BE-së për të lidhur Bullgarinë me Shqipërinë me një linjë hekurudhore përmes së cilës nuk synohet lidhja e të gjithë qyteteve të vendeve anëtare por të disa — të atyre që BE-ja konsideron ‘strategjikë’!

Në Shqipëri, për shembull, synon që terminali i kësaj linje hekurudhore të jetë Vlora dhe Durrësi!  Krahas këtyre linjave ndërshtetërore u projektua një tjetër ‘shtetërore’: linja Durrës-Tiranë. Linja do të kapë, sipas përllogaritjeve të qeverisë, një kosto totale prej 90 milionë eurosh, nga të cilat 16 milionë do të financohen nga buxheti i shtetit, 36 milionë do t’i merren hua Bankës Botërore dhe 35.4 milionë do të jenë grant nga BE-ja. Qeveria parashikoi se punimet do të përfundojnë në 31.12.2020 (por pas gjashtë vjetësh në pushtet asnjë punim nuk u zhvillua) ndërsa lokomotiva e re do të jetë me naftë sepse me energji elektrike kërkohen dhe 10-12 milionë euro shtesë...kur një ekperiment me frenat e trenave elektrikë në Londër tregoi se sa herë shkelen frenat e trenave mund të prodhojnë çdo orë një megavat — mjaftueshëm për të furnizuar më shumë se 100 familje për një vit. 

Në të vërtetë energji elektrike mund të prodhohet edhe nga palestrat ku stërviten sportistët — nëse mekanizmat e stërvitjes shoqërohen me mekanizma elektrikë dhe përmes gjithë burimeve që kam treguar dhe rikonceptuar në vend tjetër. 

Paralelisht, vendet e rajonit po lëvizin drejt hekurudhave: Serbia udhëheq dinamikën. Ajo ndiqet nga Sllovenia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mal i Zi. Shqipëria ka mbetur aq pas saqë dështoi të gjeneronte ndonjë fond për ndonjë projekt nga “Procesi i Berlinit” në mbledhjen dyditore të Poznanit në Poloni (fillim-korriku : 2019) ndërkohë që gjithë vendet e rajonit përfituan për sektorët e transportit dhe energjitikës. 

Kështu pjesa e linjës hekurudhore në Shqipëri, që fillon në Durrës, kalon në Prishtinë dhe shkon deri në Varna të Bullgarisë, mbetet të ndërtohet pasi të marrë udhë marrëveshja e Uashingtonit mes Serbisë dhe Kosovës: sepse një nga pikat e marrëveshjes përkatëse synon të zhvillojë linjën hekurudhore Beograd-Prishtinë-Durrës. Por është e qartë se qeveria “Rama” nuk mund ta zhvillojë sektorin e transportit dhe energjitikës: kryesisht sepse nuk ka dije dhe dijen që qarkullon rreth saj nuk e shfrytëzon por bën ç`është e mundur ta çensurojë në masmedian e oligarkisë dhe universitetet përkatëse. Si e tillë, ajo është dy herë reaksionare: një herë kur nuk zhvillon vetë dijen dhe një herë kur çensuron dijen e të tjerëve.

Kështu, fakti që Serbia po zhvillon sektorin e transportit ajo do ta bëjë më të lirë udhëtimin dhe transportin e mallrave duke kursyer klasat e ulëta të shoqërisë atje dhe duke krijuar dhe një avantazh tjetër ekonomik në raport me vendet e rajonit: kosto të ulët të mallrave serbe me gjithçka që nënkupton kjo lloj kostoje! Kjo dinamikë nënkupton më tej se do të përfundojmë edhe më keq në afatgjatë nëse drejtohemi nga qeveri pa dije sistemike. 

*Shkëputur nga një studim më i gjerë me titull, Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë         

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA