...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vendosja e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem dhe pasojat

Njohja e Kosovës nga shteti i Izraelit është hap i rëndësishëm diplomatik por njëkohësisht është edhe problematik: sepse hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem do t’i hidhërojë shtetet myslimane, prej të cilave nuk mund të presim njohje të reja; përkundrazi mundet që ndonjë prej tyre që e ka njohur Kosovën, ta tërheqë njohjen

Adil Fetahu

03/02/2021 - 16:12

Marrëveshjet e Uashingtonit (4 shtator 2019) të lidhura  në një mënyrë të pazakontë, ishin si “trastë e jevgës” në të cilën futet gjithçka bashkë. Ato marrëveshje kishin të bënin me të drejtat e homoseksualëve; me rrjetin ‘G5’; me transferimin e ambasadës nga Telavivi - në Jerusalem; me trajtimin e Hesbollahut si organizatë terroriste; me larmimin (diversifikimin) e furznizimit me energji; me pezullimin njëvjeçar të lobimit për njohje, respektivisht për çnjohje; me infrastrukturë rrugore e hekurudhore; e çka jo tjetër?!

Një ndër pikat më të rëndësishme të marrëveshjeve të 4 shtatorit ka qenë përcaktimi për njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve, me kusht që ambasada e Kosovës të vendoset në Jerusalem, qytet i kundërshtuar midis Izraelit e Palestinës.

Me një ceremoni virtuale në linjën Prishtinë – Jerusalem, më 1 shkurt 2021, u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit. Ministrja e punëve të jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe kolegu i saj izraelit, Gabriel Ashkenazi, nënshkruan deklaratën e përbashkët mbi themelimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e Uashingtonit.

Njohja e Kosovës nga shteti i Izraelit është hap i rëndësishëm diplomatik por njëkohësisht është edhe problematik: sepse hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem do t’i hidhërojë shtetet myslimane, prej të cilave nuk mund të presim njohje të reja; përkundrazi mundet që ndonjë prej tyre që e ka njohur Kosovën, ta tërheqë njohjen! Dikush mund të thotë se edhe ashtu pak shtete myslimane e kanë njohur Kosovën. Është e vërtetë, por kjo është për shkak të paaftësisë së diplomacisë sonë. Do të ftohen marrëdhëniet edhe midis Kosovës e Turqisë, si një nga shtetet më të rëndësishme myslimane, e cila ndër të parat e ka njohur dhe përkrahur Kosovën.

Vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusaem nuk është pritur mirë nga bashkësia ndërkombëtare: sepse ai qytet është kundërshtimi më i madh midis Izraelit dhe Palestinës. Deri më tash, në Jerusalem ambasadat e tyre i kanë vendosur vetëm SHBA-të dhe Guatemala. Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se qëndrimi i BE-së është që ambasadat të vendosen në Telaviv e jo në Jerusalem.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, është në kundërshtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara Nr.1980/478. Vërtet, ajo Rezolutë i detyron (vetëm) shtetet anëtare të KB që të mos i hapin ambasadat e tyre në Jerusalemin e kundërshtuar midis Palestinës dhe Izraelit. Edhe pse rezoluta nuk e detyron Kosovën, pasi kjo nuk është anëtare e KB, megjithatë në praktikë mund të ndikojë keq ndaj Kosovës.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Izraelit dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, e ka hidhëruar Beogradin, por nuk pritet ndonjë reagim që do të prishë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Izraelit, përveç me ndonjë deklaratë të shprehjes së paknaqësisë. Madje, Serbia nuk i ka prishur marrëdhëniet diplomatike me asnjë prej shteteve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pritet që Serbia të bëjë Serbia është të zvarrisë sa të mundet transferimin e ambasadës së vet nga Tel Avivi, në Jerusalem, siç është e detyruar me Marrëveshjen e Uashingtonit, që ta bëjë deri më 21 qershor 2021: sepse zhvendosja e ambasadës së Serbisë në Jerusalem do të ketë ndikime për atë shtet pasi si anëtare e KB po e shkelë Rezolutën e KS 478/1980, për të cilën ka votuar edhe vet. Me shkeljen e asaj Rezolute, Serbia e dëmton kredibilitetin e vet në kërkesën e përhershme për respektimin e Rezolutës 1244/1999, e cila ka të bëjë me Kosovën. Me zhvendosjen e ambasadës nga Telavivi në Jerusalem, Serbia do ta hidhërojë shumë edhe Palestinën, e cila për hatër të Serbisë nuk e ka njohur Kosovën, dhe do të ketë ndikim në marrëdhëniet e saj me shumë shtete të tjera myslimane.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të 4 shtatorit 2020, në Uashngton, Rusia e pati kundërshtuar detyrimin e Izraelit për njohjen e Kosovës. Shpallja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Izreali, në Serbi ka shkaktuar shqetësim por reagimet janë të matura dhe ato kryesisht drejtohen kundër Kosovës, e më pak kundër Izraelit.

Ditën e ceremonisë virtuale në linjën Prishtinë – Jerusalem, kur u nënshkrua marrëveshja diplomatike, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiç ishte në Paris, në vizitë te kryetari i Francës, Emanuel Makron. Prej andej deklaroi se “Beogradi nuk është aspak i kënaqur me themelimin e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit dhe se kjo nuk do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet e Serbisë me Izraelin. Por, kjo është pritur prej se në Uashington ne nuk kemi dashur ta nënshkruajmë marrëveshjen bashkë me Shqiptarët dhe Amerikanët, nuk e kemi përkrahur këtë, veçse e kemi nxitur Izraelin të mos e bëjë këtë, por Izraeli e konsideroi se Amerika është më e rëndësishme. Pas kësaj, asnjë shtet tjetër mysliman nuk do ta njohë Kosovën. Mbetet të shihet nëse Prishtina do të respektojë marrëveshjen e Uashingtonit për ndërtimin e hekurudhës deri në Merdare. Truku i tyre ishte që hekurudhën ta ndërtojnë përmes Mitrovicës – Leposaviçit –Zveçanit – Rashkës – Kralevës, në mënyrë që të na marrin hekurudhën serbe në veri. Po presim edhe ndarjen e burimeve energjetike të Liqenit të Gazivodës, sipas marrëveshjes së Uashingtonit”,- ka thënë Vuçiçi.

Kryeministri (në detyrë) i Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes diplomatike me Izraelin, ka thënë se me këtë u thye bllokada e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, gjë që nuk është e vërtetë, sepse kjo ishte paraparë me marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa bllokada ishte (dhe mbetet) deri më 21 qershor 2021 dhe të shohim pastaj se sa është e aftë diplomacia e Kosovës të fitojë njohje të reja.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, si njeri më i angazhuar në lobimin për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, që sipas tij deri më tash 19 shtete e kanë tërhequr njohjen, me rastin e lidhjes së marrëveshjes diplomatike midis Kosovës e Serbisë, shprehu keqardhje, duke thënë: “Kemi të drejtë të hidhërohemi në Izraelin për njohjen e Kosovës, sepse ne gjithnjë kemi thënë se Kosova është Jerusalemi ynë, e tash dikush Jerusalemin tonë po e pranon se është i shqiptarëve. Ky potez do të shkaktojë pasoja në mes Serbisë dhe Izraelit. Por, secili shtet i sheh interesat veta, e interesi i Izrealit ishte që një shtet mysliman të hapë ambasadën në Jerusalem”.

Duke iu referuar marrëveshjes së Uashingtonit, për bllokimin deri më 21 qershor 2021  të lobimit kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, Daçiçi ka thënë se “do të vijë edhe ajo ditë”, duke kërcënuar kështu se do të vazhdojë lobimi i Serbisë për tërheqjen e njohjeve.

Edhe pse të gjithë shtetet që e kanë njohur e çnjohur pavarësisë e  Kosovës kanë nga një vote në Kombet e Bashkuara, në aspektin praktik njohja e Izraelit është më e rëndësishme se njohja e të gjitha atyre shteteve-fise të Pacifikut. Por efektet e kësaj njohje varen nga aftësia e diplomacisë së Kosovës për të shfrytëzuar mundësitë e Izraelit, si shtet i fuqishëm, që ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fushat. Prandaj, për ambasador në Izrael do të duhej zgjedhur personi më i përgatitur, e jo ndonjë individ sa për të siguruar një vend pune!    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA