...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vrasja gjaknxehtë e policisë së shtetit dhe padrejtësitë e qeverisë “Rama”

Si prokuroria ashtu dhe gjykata por dhe qeveria “Rama” nuk vepruan drejtë as me gjykimin e policit dhe as me dëmshpërblimin e familjes

Ylli Përmeti

15/12/2020 - 09:44

Si prokuroria ashtu dhe gjykata por dhe qeveria “Rama” nuk vepruan drejtë as me gjykimin e policit dhe as me dëmshpërblimin e familjes: kështu ndërsa prokuroria —pas hetimit— e akuzoi autorin për “vrasje të kryer në kapërcim të kufijëve të mbrojtjes së nevojshme” dhe kërkoi dënim me burg deri në shtatë vite, sipas nenit 83 të Kodit Penal, një akuzë që u pranua nga gjykata dhe e dënoi autorin me “arrest me burg”…qeveria dëmshpërbleu familjen me vendim të Këshillit të Ministrave duke e quajtur vrasjen “aksident”!

Mirëpo, një ditë më pas u publikua një video e siguruar nga një kamera e rrugës ku ndodhi ngjarja e cila tregonte se viktima ishte “rrahur një herë pastaj ishte vrarë me pistoletë”. Këtë fakt e vërtetojnë dhe dëmet që janë shkaktuar mbi viktimën (qepje etj.). Kështu hetimi i prokurorisë nuk ishte i plotë dhe i drejtë; ndaj dhe përcaktimi do të ishte “rrahje dhe vrasje në kapërcim të detyrës”. Ky përcaktim do ta dënonte autorin më shumë se shtatë vjet burg. Në fakt Kodi Penal mbron policin më shumë se qytetarin. Kur vritet, për shembull, një polic nga një qytetar, dënimi është jo më pak se tridhjetë vjet (Neni 79).

Padrejtësisë së prokurorisë dhe gjykatës iu shtua dhe padrejtësia e qeverisë: ajo e quajti “aksident” dhe nuk hetoi lidhur me mënyrën e edukimit dhe rekrutimit të policit në radhët e policisë! Si duket, ka frikë se mos shkarkon ndonjë zyrtar të lartë! Në këtë mënyrë la sistemin edukativ të policisë së shtetit të paprekur gjithashtu dhe njerëzit që i rekrutojnë ata! La, gjithashtu, dhe strukturën policore ose mënyrën organizative të saj të paprekur. Domethënë, faktin që policia nuk zhvillon ndonjë “autokritikë” në gjirin e saj me qëllim edukimin e trupës policore, qeveria nuk e konsideroi fare! As, sigurisht, dhe kritikët e saj—gazetarët e tipit “analistë” (Abilekaj, Gjekmarkaj etj.), të cilët pa pikë turpi shkojnë nga një studio në tjetrën pa e studiuar fare policinë, as nga këndvështrimi pedagogjik e as nga këndvështrimi strukturor përmes të cilit qeveritë e 30 viteve të fundit korruptojnë policinë dhe sistemin e saj “edukativ” me pedagogë partish.    

Ndryshe nga prokuroria, gjykata dhe qeveria, një popull i drejtë dhe i mençur do të kishte vepruar drejtë: do të reflektonte për sistemin arsimor dhe do të kërkonte hetim të drejtë të ngjarjes dhe pasi të kishte dënuar autorin sipas ligjit, do të dënonte dhe pedagogët e partive, të cilët “edukojnë” dhe kualifikojnë policët, por dhe burokratët e ministrive të cilët i rekrutojnë ata në trupën policore por dhe gazetarët e partive për të cilët shpenzojmë kohë nga koha jonë e vyer. Ky është, në fjalë të tjera, hetim i plotë dhe gjykim i drejtë, i cili do të shtronte rrugën për një polici të denjë dhe të drejtë, të respektuar nga populli dhe me autoritet.

Por qeveria “Rama” nuk veproi kështu duke treguar edhe një herë karakterin e saj reaksionar ndërsa kritikët e saj çirren pa realizuar asnjë studim për administratën përkatëse ndërsa përpiqen të tregojnë se janë më të “aftë”, më të “mençur” e më të drejtë se qeveria!

Gjykuar nga rrethanat (rrahja dhe pastaj vrasja) autori nuk mund të ketë “vrarë në kapërcim të kufijëve të mbrojtjes se nevojshme”, sepse nuk është sulmuar, as mund të quhet “aksident” siç e quajti qeveria, term, të cilin, Rama e mbrojti ditën e nesërme kur tha se “personi e humbi jetën në kushte të një përplasje aksidentale”, por ishte pasojë e gjaknxehtësisë së policit ose pasojë e mungesës së virtytit të përmbajtjes dhe virtytit të drejtësisë: sepse një njeri i drejtë është i përmbajtur dhe një njeri i përmbajtur e përmban gjaknxehtësinë edhe nëse përballet me sjellje të keqe ose të kundraligjshme. 

Pas më shumë se një jave nga vrasja gjaknxehtë e policit të shtetit dhe kur u njoftua se prokuroria do të ndryshonte akuzën nga vrasje në “tejkalim” të detyrës në “vrasje me dashje”, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në policinë e shtetit filloi të hetonte “nga afër” policimin e njësisë “Shqiponjat” si dhe historikun e mënyrave të shoqërimit të qytetarëve, sepse rezulton njësia me më shumë raste ankesash nga qytetarët. Njësia policore “Shqiponjat” ka marrë kompetenca shtesë nga ish-ministri Saimi Tahiri dhe u krijua me shpejtësi sipas një plani që parashikonte “zëvendësimin e policave barkderra”. Njësia mori dhe kompetencat e policisë gjyqësore dhe rrugore.      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA