...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama s`ka frikë nga… – Aristoteli: kush s`ka frikë është i pacipë

Të frikësohesh nga disa gjëra është qoftë edhe e drejtë dhe fisnike

Ylli Përmeti

20/03/2020 - 12:07

Njerëzit jo virtuozë e tepërojnë me gjithçka citon mes të tjerash Aristoteli në kryveprën e tij “Etika”. Rama është njeriu dhe pushtetari që e vërteton në mënyrë të përsëritur këtë të vërtetë filozofike: sepse kur virusi ishte në Kinë e nënvlerësonte fuqinë e tij ndërsa kur erdhi—pasi s`bëri asgjë për ta ndaluar— filloi ta tepëronte dhe me “motot” e tij. Njëra ishte “Frikë aspak – kujdes po”! Si duket, u përputh me një bindje popullore, sipas së cilës “burrat s`kanë frikë”! Mirëpo, kjo thënie përdoret kryesisht nga gjeneralët për të nxitur ushtarët të luftojnë dhe nga prindërit kur duan të nxisin fëmijët, veçanërisht djemtë, që mos të kenë frikë nga ndonjë ngjarje apo veprim. Si e tillë, ajo nuk është pedagogjike, sepse së pari nuk sqaron se me çfarë shqetësohet ‘trimëria’ dhe së dyti mirë është të kemi frikë nga disa pritshmëri. Ja si e përmbledh Aristoteli këtë çështje pasi shqyrton të kundërtën e frikës, trimërinë:     

Ne kemi frikë nga çdo gjë e keqe, p.sh., turpërimi, varfëria, sëmundja, pashoqëria, vdekja, por njeriu trim nuk mendohet të shqetësohet me të gjitha këto; sepse të frikësohesh nga disa gjëra është qoftë edhe e drejtë dhe fisnike, dhe është e ulët të mos frikësohesh nga ato—p.sh.,  turpërimi; ai që frikësohet është i mirë dhe modest, dhe ai që nuk frikësohet është i pacipë…

Kështu në vend të përputhet, kryepedagogu, me natyrën e trimërisë dhe frikës, dhe të gjenerojë ndonjë “moto” në kohë të vështira, për të cilën ai është kryepërgjegjësi, na tregon se është trim përpara vdekjes nga…virusi! Pas kësaj “motoje”, gjeneroi një tjetër: “larg nga bombat”. Domethënë, koronavirusi për të është “bombë”! Por mund ta quajmë “bombë” koronavirusin? Jo! Sepse bomba të vret nga jashtë ndërsa virusi të vret nga brenda; njëra të gjymton, tjetri të gërryen. Nëse do t`i jepnim ndonjë kuptim figurativ virusit do të ishte thjesht ‘vrasës’ meqë ai të vret…       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA