...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Drita e Dritëroit

Pak filozofë argumentojnë se emri kuptimplotë ndikon në zhvillimin e virtyteve të njeriut; ndaj më shumë emra shqip kuptimplotë.

Klodi Leka

03/02/2017 - 20:29

Nëse e lexojmë njeriun si një krijesë zanafillore të nxënë në baltën e sublimes, atëherë drita poetike e Dritëro Agollit është balta e bërë mjaltë, balta e natës dhe shtypjes shekullore, në thellësinë e së cilës kaloi njeriu i varfër fshatar, që u dogj parreshtur, si shpend i verbër në dashurinë për dije e për dinjitet. E sot, u shua krijuesi, që me baltën e tokës dhe trupit të njeriut, i dha frymë ngjizjes të shpirtit kombëtar e social të shqiptarit.

Dritëro Agolli nuk është thjesht një poet. Ai është shëmbëlltyra e një epoke, që vdes bashkë me vdekjen e tij. Në sytë e në zemrën e patriarkut të madh të letrave moderne shqipe, lanë gjurmë ngjarje të mëdha historike të shekullit të XX-të. Dritëroi, djaloshi devolli, që në moshën 9-vjeçare u rreshtua në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare si korrier i çetave partizane. Pastaj, pas çlirimit, vazhdoi studimet në gjimnazin e Gjirokrastrës ku zuri shoqëri, si dy vjershëtarë të rinj, me Ismail Kadarenë. Studimet e larta i kreu për Letërsi në Leningrad.

Puna artistike e Dritëro Agollit është habitat i paçmueshëm jo vetëm në letërsi ku lëvroi poezinë, poemën, dramën, romanin, këngën e kinematografinë, por edhe në histori, sociologji dhe antropologji. Sepse, siç e thamë më sipër, ai është bardi, kalimtari dhe kënduesi i kohërave. Dritëroi shpreh kapërcimet e mëdha shoqërore të modernitetit tonë, ku biri i fshatarit u bë qytetari i ri, dhe qytetari intelektual i shpresës për barazi midis njerëzve. Mirëpo, poeti ynë, biri i një babai të këputur që gëzohej nëpër fshat me vjershat e djalit të tij, pavarësisht lartësimit të shpejtë në majat e jetës mondane dhe kokëçarëse kryeqytetase, nuk e harroi kurrë baltën e bukës e bukurisë fshatare. "..dhe bart në kurriz një premtim/ të dhënë gjyshërve të mundur" është jo më kot një ndër vargjet më përmasor të tij, ku paraqitet si letrar i angazhuar me qëllime të mëdha sociale mbi supe.

Në vitin 1958 publikoi përmbledhjen e parë poetike "Në rrugë dolla", një publikim i motivuar prej letërsisë kombëtare, e që i ndryshoi rrënjësisht rrjedhën e jetës. Është e kotë të përmendim ato qindra poezi të tjera, të shkruara me gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, me në qendër njeriun dhe mësimet e mëdha të dashurisë njerëzore. Ama ia vlen të ndalemi në çaste të caktuara të veprimtarisë letrare dhe politike, të lidhura fort me njëra-tjetrën.

Si letrar, hapat e parë të suksesit i hodhi me romanin "Komisari Memo", ku përkundër kritikave të shumta si letërsi partiake e realizmit socialist, portretizon Luftën Nacional-Çlirimtare në një tjetër këndvështrim, si luftë e djalosharëve të shkujdesur, që nuk nuk i binden autoritetit të brezave dhe bien si të marrë në dashuri me çupat dhe lirinë. Poema "Nëna Shqipëri" është po ashtu një krijim monumental, një narrativë e madhe nacionale, një homerizëm modern, ku djaloshi i këndon mëmëdheut me një dashuri mëmësore: "më lër të bie në prehërin tënd të ngrohtë/ o hallemadhja ime shekullore/ të puth duart e tua më të mirat në botë/ i ngazëllyer të hesht me heshtje foshnjore".

Dy vepra të tjera letrare të mëdha të shkrimtarit janë "Zhurma e erërave të dikurshme" dhe "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo". I pari u prit me pakënaqësi të mëdha në mesin e burokratëve të kohës, ngaqë përpiqet të portretizojë njeriun ashtu siç është, i trazuar së brëndshmi dhe jashtë skemave zyrtare të letërsisë, në çastin kur i rezistonte burokratizimit të mëtejshëm të jetës shoqërore. Kjo çoi edhe në ndalimin e romanit. Ndërkohë, vepra e tij e madhe, kulmi i krijimit kritik letrar "Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo", tregon karakterin grotesk të burokratit që i dha fund ëndrrës për një shoqëri të drejtë e të lumtur. "Shoku Zylo", sipas autoriteteve të kohës, sado që pat pakënaqësira të mëdha, guxoi të lakuriqësonte burokracinë si kastë e rehatur në privilegje dhe pa lidhje me jetën shoqërore. Një vepër që trashëgon universalitet dhe që kritikon karakterin e korruptuar e qesharak të burokratit në çdo kohë.

Dritëroi i ka kënduar edhe dashurisë, brezave, natyrës, kafshëve, vetmisë, dëshpërimit, varfërisë, tjetërsimit të njeriut demokratik, amaneteve, kujtesës, pasigurisë së kohërave, djallëzisë politike, kaosit, qejfit dhe çdo teme tjetër me të cilën u përsiat në zhytjen e tij në kohë dhe shpirtin e njeriut. Ikja e Dritëroit, këtij letrari dhe mendimtari të majtë, sado e kuptueshme racionalisht, shpirtërisht është një humbje e madhe për ndërgjegjen tonë. Sidomos për aktualitetin letrar të rënë në krizën e shterpësisë postmoderne, por edhe për mendimin e majtë, që partia në pushtet e ka tradhëtuar me çdo mjet dhe mënyrë.

Shko, Dritëro, shko! Tretu në baltën e errët të materies të tokës tënde të dashur, ku me siguri, fjala dhe puna jote, ashtu si e çdo njeriu tjetër, do të ndriçojë fort në të ardhmen. Prandaj nuk të themi lamtumirë. Sepse fjala jote do të lëvrojë bukuri dhe ëndrra për ne, brezat në vazhdim. Lavdi për veprën dhe kujtimin tënd!   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA