...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Do të ketë trazira nga serbët e Kosovës?

Brumi i të gjitha të këqijave për Kosovën gatuhet në Serbi e piqet në Kosovë!

Adil Fetahu

04/08/2018 - 16:18

Sot skadon afati për miratimin e Statutit për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.  Ka informacione se një grup pune, kryesisht serbë, ka hartuar Statutin dhe se nesër do ta dërgojë për shqyrtim në Bruksel. Se çfarë përmbajtje ka projekti i hartuar, nuk është bërë publike. Themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është paraparë me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë dhe kjo nuk është çështje kontetuese. Kontestuese është se pala serbe kërkon që ajo Bashkësi të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa pala shqiptare, dhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë se ajo Bashkësi nuk mund të ketë funksione ekzekutive. 

Sipas mendimit tonë, Bashkësia e Komunave nuk duhet të ketë funksione ekzekutive, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Asaj Bashkësie nuk duhet t’i jepen kompetenca më shumë se i takojnë pushtetit lokal, sipas ligjeve të Kosovës dhe sipas standarteve e normave evropiane për pushtetin lokal. Apetitet serbe shkojnë përtej këtyre ligjeve, standarteve e normave.

Serbët në Kosovë, sadopak që janë, janë të instrumentlizuar e manipuluar nga regjimi i Beogradit dhe shërbejnë si “Kali i Trojës” i Serbisë dhe Rusisë, për të provokuar situata, trazira e konflikte, për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

Dje (3 gusht) gazeta e Beogradit “Kurir” ka paralajmëruar se më 4 gusht mund të ketë traziranë Kosovë, dhe se kryetari i Serbisë, A.Vuçiç, i ka dhënë urdhër ushtrisë për gjendje gadishmërie! Po dje, Vuçiç ua ka drejtuar një Letër të hapur serbëve në Kosovë,  me kërkesë që të mos bien në provokime, të rrinë të qetë e të reagojnë në mënyrë të civilizuar e të dinjitetshme. Tërë intonacioni i Letrës së hapur është se Serbia qëndron pas kërkesave dhe të drejtave të serbëve në Kosovë, që ata “të fitojnë më shumë se ç’kanë tash”, dhe se Serbia do t’I mbrojë ata nga ndonjë aksion eventual që mund të merret kundër tyre.

Kisha serbe është gjithnjë e para që “parasheh” dhe paralajmëron trazira e fatkeqësi. Ajo këtë e bënë në koordinim të plotë me institucionet e shtetit të vet, me të cilin është e lidhur si mishi me thoin. Ajo i patë paralajmëruar edhe trazirat e vitit 2004, kur u vranë më shumë shqiptarë se serbë, ndërsa shumicën e kishave i dogjën vet serbët, për t’i fajësuar shqiptarët, që gjithë kohën e trumbetojnë nëpër botë. Edhe këtë herë, me rastin e kalimit të afatit (4 gusht) për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, kasha ka paralajmëruar se serbët nuk do të presin më tutje, veçse më 5 gusht, vet do ta themelojnë Bashkësinë dhe tash pëllasin autonominë! Natyrisht, në lidhje me këtë veprim, kasha parasheh trazira dhe përshkallëzim të gjendjes në Kosovë. Kryeprifti i Manastirit të Deçanit (Kosovë), Sava Janjiç, ka thënë se ka informacione se situate në Veri do të përshkallëzojë. Po në këtë kontekst ka folur edhe kryetari i Serbisë, në Letrën e tij të hapur, duke apeluar të parandalohet çdo përpjekje (e shqiptarëve) për të marrë Liqenin e “Gazivodës” dhe Hidrocentralin “Vallaç”, që janë në pjesën Veriore të Kosovës.

Situata është e tendosur dhe e brishtë. Prandaj, nuk duhet të na befasojnë kurrëfarë zhvillimesh të mundshme, me çfarëdo preteksti që sajon Serbia. Brumi i të gjitha të këqijave për Kosovën gatuhet në Serbi e piqet në Kosovë!

Mund të ndodhë ndonjë tepëri për masa shumë të vogla, sa për ta ushqyer propagandën serbe, brënda e jashtë vendit, por nuk besoj në trazira të mëdha, duke ditur se kjo nuk është në dobi as të Serbisë as të serbëve në Kosovë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA