...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Planet e pushtokracisë dhe një planveprim pas tërmetit katastrofik

Në vend të hartonin planveprim pas tërmetit të parë - tani kanë hallin se kush do të manaxhojë fondet financiare të dhëna nga faktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit dhe mendojnë vetëm se si mund të fusin duart në ato miliona për të siguruar edhe disa ditë pushtet

Genta Kaloçi

30/11/2019 - 19:34

Ky tërmet nxorri në pah dy elementë kryesorë të individit, shoqërisë dhe shtetit: mosekzistencën e strukturave të shtetit dhe papërgjegjshmërinë e individëve, pavarësisht nivelit të statusit social-ekonomik nga i cili vijnë. Ky vend rrezikoi nga pushtokracia ekzistencën e tij si komb. Nxorri në pah vogëlsinë, kriminalitetin, abuzimin e pushtetit nga institucionet si presidenca, opozita, qeveria, pushteti qendror, vendor, drejtësia, biznesi...të cilët u vunë në vijë të parë për të akuzuar dhe përfituar si heronj të vetshpalluar në dhimbjen e një populli. Natyra u dha shansin e dytë t`i thërrasin mendjes por pushtokracia tripartiake kishte merakun e vetëm të shpëtojnë kokat dhe pasuritë. Mendimet e tyre ishin se me këtë katastrofë mbase fitonin kohë me akuza e kundërakuza për një pazar të ri për t`i shpëtuar drejtësisë. Në vend të hartonin planveprim pas tërmetit të parë - tani kanë hallin se kush do të manaxhojë fondet financiare të dhëna nga faktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit dhe mendojnë vetëm se si mund të fusin duart në ato miliona për të siguruar edhe disa ditë pushtet. Këto miliona gjenerojnë ide të ndryshme mes kokave kryesore të pd, ps, lesheli, se si, për shembull, mund t`i përdorin për larjen e milionave që sillen nga jashtë vendit.

Përveç këtyre planeve të pushtokracisë kemi realitetin e hidhur se nuk u ndërmorr ndonjë organizim i drejtë për t`u përballuar me tmerrin, frikën, ankthin, tragjedinë që na goditi kaq dhimbshëm. Pavarësisht të gjithave duhet të themi se ky popull është mbajtur me hatër nga natyra: të goditesh në dy muaj nga dy tërmete të mëdha të shkallës 5-6.4 rihter dhe mijëra pasgoditje, dhe të shpëtosh me ato dëme materiale, me 51 viktima dhe disa qindra të lënduar, është vërtet hatër. Energjia e akumuluar në nëntokën e rajonit ishte e përmasave të mëdha. Ndarja e kësaj energjie në dy tërmete të njëpasnjëshme, me pasgoditje të njëpasnjëshme duke u ndjekur nga stuhi lokale, ishte një nder i natyrës për këtë vend e këtë popullsi të shumëvuajtur. Nëse kjo energji do të shpërthente vetëm përmes një tërmeti, atëherë pasojat do të ishin apokaliptike, jo vetëm për vendin tonë por edhe për rajonin.

Mund të shtojmë se nëse ka pasur dy tërmete, atëherë me probabilitet mund të ndjekë dhe një i tretë i kësaj shkalle. Por duke marrë parasysh shifrën e lartë të pasgoditjeve, shanset e probabilitetit zvogëlohen, por gjithsesi duhet thënë se vazhdimi i pasgoditjeve është domethënës, dhe nëse vazhdojnë me të njëjtin ritëm është në dobinë tonë. Nëse nga aspekti praktik pasgoditjet janë rrezik për ndërtesat e dëmtuara për t`u rrëzuar edhe nga ndonjë pasgoditje ose tërmet i vogël, kjo i jep mundësi individit, shtetit të marrë masat paraprake për eliminimin e viktimave duke i shembur dhe u siguruar strehim të përkohshëm ndërkohë që punon për një plan afatgjatë të zgjidhjes së problematikës. Në këto kushte, stuhitë lokale nuk janë të favorshme kur njërëzit janë në qiell të hapur. Nga ana tjetër, të dy këta faktorë, pasgoditjet e shumta dhe stuhitë, ulin shkallën e një tërmeti tjetër sa që mos të ketë pasoja katastrofike për popullsinë. Ky realitet i dhimbshëm ka një efekt të dobishëm, sepse i mban njerëzit dhe strukturat në gadishmëri, vigjilentë për t`u edukuar dhe jetuar me rrezikun. “Frika”, siç thotë dhe urtësia popullore, “ruan vreshtin".

Ky tërmet nxorri në pah mungesa të shumta në organizim, në shfrytëzim të burimeve njerëzore, ndihmave, mangësi të mjeteve, trajnimit specifik të forcave të rreziqeve natyrore dhe abuzim të situatës për përfitime personale dhe partiake. Dëmet materiale ishin një mësim për të mos përsëritur krimet tridhjetëvjeçare ndaj ambientit dhe shoqërisë. Kjo tragjedi njerëzore mundësoi rihapjen e çështjeve të mbyllura, të ngrira prej dekadash, që krijoi zhdrejtësia dhe pushtokracisë partiake pd, ps, lesheli, me abuzimet e pushtetit në dëm të popullsisë dhe jetës së shqiptarëve. Mesazhi ishte i qartë, ky gjak, këto jetë, nuk ikën kot: ne që kemi mbetur duhet t`u japim rëndësinë e duhur për humbjen e jetëve të viktimave të kësaj pushtokracie. Nëse kjo dhimbje na paralizoi për disa çaste, duhet të na mobilizojë të kërkojmë drejtësinë e munguar prej tre dekadash duke vendosur përpara bankës së akuzuarit të gjithë të përfshirët në këtë tragjedi, në të gjithë hallkat e shtetit që kishin gisht me vendimarrjet e tyre përgjatë sundimit të tyre. Kjo tragjedi duhet të mos përsëritet sërish dhe të mos jetë një ngjarje e mbyllur dhe përfundojë si “çudi që zgjat vetëm tre ditë dhe më pas harrohet”.

Për mos t`u përsëritur kjo dhimbje duhen marrë veprimet që vijojnë:

·Të gjitha ndërtesat që janë me rrezikshmëri të lartë duhet të shemben dhe të hapen çështjet penale për të gjithë firmëtarët që gjenden në dosjet e tyre, të bllokohen dhe të ngelen si hapësira publike për lulishte, gjelbërim, parqe gjelbërimi deri në sqarimin e gjendjes aktuale;

·Të ndalohet rindërtimi ndërtesave mbi rrënojat e ndërtesave të shembura;

·Të fillojë hetimi i firmave ndërtuese të përfshira në ndërtime pa kritere;

·Të ngrijnë llogaritë bankare e të implikuarve;

·Të kontrollohet gjendja financiare, e tatim taksave dhe detyrimeve sociale ndaj puntorëve dhe shtetit për shlyerje të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë nga asetet e biznesit përkatës;

·Të ngrijnë asetet, pronat e tundshme e të patundshme; dhe

·Të konfiskohet çdo lloj pasurie e vendosur në aktivitetin e biznesit në fjalë, nëse shpallen fajtor për shkeljet e përmendura në ligj.

Vetëm kështu viktimat do të shpërblehen me drejtësi. Kjo gjendje e dhimbshme duhet të na mbushë me kurajë dhe largpamësi me qëllim që të punojmë me shkencë e trimëri kundër mediokrëve të të gjitha fushave që na rrethojnë që me sharlatanizmat e tyre po na vrasin. Vetëm kur nuk harrojmë dhe falim por ngrejmë kokat kundrejt bajgave fetaropolitike dhe kërkojmë të drejtat tona në të gjitha fushat e sektorët e jetës, jeta jonë do të ketë vlerë dhe do të ndryshojë për më mirë. Ndryshe, siç na mëson dhe urtësia popullore, “koka bën, koka pëson”.

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA