...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Prishtina të përfshijë genocidin e heshtur serb ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Edhe pse de facto shqiptarë të gjallë, ata juridikisht, përmes pasivizimit kanë vdekur, prandaj deri sa nuk zgjidhet ky problem i krijuar nga Serbia asgjë tjetër nuk ka kuptim

Muharrem Salihu

23/02/2022 - 08:32

“Bujaria” e Serbise për t’i “dhuruar” Kosovës një barrë sociale (grumbull me shumë shtëpi për rreth një Xhamie), Preshevën dhe asgjë me tepër, me sa duket po pranohet në heshtje edhe nga faktori shqiptar. Ndërsa përmes investimeve marramendëse në veriun e Kosovës, në fushën e arsimit, infrastrukturës dhe ndërtimeve me karakter rezidencial po vazhdon të rrisë ndikimin demografik ashtu siç ka bërë edhe historikisht, jo vetëm në veriun e Kosovës por edhe në Bujanoc, ndërkohë që në Malësinë e Bujanocit dhe Medvegjë janë pasivizuar vendbanimet e shqiptarëve ku propaganda mediatike ka bërë aq shumë saqë shumë zyrtarë të lartë në Kosovë e sidomos në Shqipëri ende nuk dinë ku ndodhet Medvegja!

Ështe fakt se vizitat e zyrtarëve nga Kosova në Preshevë, lehtësisht po lejohen nga ana e Beogradit ndërkohë që kerkesat për të vizituar Medvegjën refuzohen vazhdimisht; është fakt gjithashtu se pushteti qendror i Beogradit nuk lejoi asnjëherë krijimin e nje subjekti politik në Medvegjë, edhe me ndihmën e përfaqesueseve politik shqiptarë nga PB, ndërkohë që PB nxiti krijimin e dhjetëra sosh për t’i përdorur ato më lehtësisht dhe në anën tjetër Tirana dhe Prishtina kanë qëndruar indiferente; është fakt për më shumë se në Medvegjë ka ndodhë një spastrim etnik me mjete administrative dhe përfaqesuesit politikë në Preshevë e Bujanoc kanë vazhduar bashkëpunimin institucional deri në nivel qendror pa u lodhur fare për këto krime; është fakt, për më tepër që edhe sot “lideret e Luginës” hallin kryesor e kanë se kush do të garoje për deputet në Parlamentin e Serbisë e jo për çfarë të garojë; është fakt në fund se ne mandatin e fundit deputetët tanë, më shumë kanë shërbyer si dekor i Parlamentit Serb në sytë e ndërkombëtarëve se sa në funksion të problemit të “vetëm” që kanë shqiptarët në Serbi, atë të pasivizimit të adresave.

Edhe pse de facto shqiptarë të gjallë, ata juridikisht, përmes pasivizimit kanë vdekur, prandaj deri sa nuk zgjidhet ky problem i krijuar nga Serbia asgjë tjetër nuk ka kuptim. Në të kundërtën është vetëm tallje dhe fyese! Pranimi nga ana subjekteve politike shqiptare që me kaq lehtësi të defaktorizohet elementi shqiptar në Serbinë e Jugut flet për një grackë, në të cilën ato me apo pa vetëdije kanë rënë. Serbia gjithmonë ka synuar që shqiptarët të mos kenë një zë artikulues unik, sepse më lehtë e ka pasur të bashkëpunojë me individë, të cilët me pafuqinë e tyre për të imponuar zgjidhje të problemeve, në instancë të fundit mund të jenë edhe gjenerues të problemeve.

Jemi të dëshmitarë të diskordancave me rastin e zgjedhjeve të kaluara kur subjektet politike në Preshevë dhe në Bujanoc nuk kanë pasur qëndrime unike sa i përket (mos)daljes në zgjedhje. Për pasojë, jo pak raste ka pasur kur ndonjë subjekt politik në minutën e fundit ka pranuar të marrë pjesë në zgjedhje, duke u bërë dekor i demokracisë së shpifur të Serbisë, ndërkohë që subjekti tjetër ka ngelë jashtë procesit vendimarrës.

Ky mosharmozim politik i shqiptarëve, përfshi edhe heshtjen e intelektualëve nga kjo anë që aktualusht jetojnë në Kosovë, është reflektuar në variantin më të keq pikërisht në Medvegjë, aty ku testohet gatishmëria për të kundërshtuar politikat diskriminuese sllave kundrejt shqiptarëve. Prandaj, përpos Beogradit zyrtar, në pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Medvegjë kanë ndikuar edhe qasjet e gabuara dhe tepër inerte të vet subjekteve politike shqiptare dhe të intelektualëve shqiptarë, të cilët fatkeqësisht, në vend se t’iu prijnë proceseve, ato kanë ngelur në fund të tyre. Mjafton të hulumtohet pak aktiviteti diplomatik i këtyre subjekteve dhe do të shohim se ato as që kanë paraparë ndonjëherë në axhendën e tyre ndonjë vizitë në Uashington apo në Bruksel për të problematizuar çështjen e spastrimit etnik në Serbinë e Jugut, specifikisht në Medvegjë.

Nëse në Kosovë, në vitet `90 funksiononin fuqishëm organizata dhe individë që merreshin me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, kjo as që mund të paramendohet në Serbinë e Jugut. Aktualisht nuk e kemi asnjë organizatë joqeverotare që merret seriozisht me evidentimin dhe procesimin e rasteve të shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve, duke filluar nga cënimi i pronave të tyre, e deri te mohimi për t’u punësuar me preteksin e mosnjohjes së “diplomave të huaja” si dhe me një mori problemesh që ndërlidhen me suprimimin e organeve të gjyqësisë, të shërbimit kadastal e tatimor e deri te mosfunksionimi i spitaleve e poliklinikave në vendbanimet shqiptare.

Serbia me shekuj ka zhvilluar projekte të cilat i ka realizuar në kurriz të hapësirave etnike shqiptare, duke filluar nga Sanxhaku i Nishit në fund të 1877-tës, për të vazhduar deri në ditët e sotme. Shqiptarët asnjëhrë nuk kanë mundur vetëm t’iu kundërvihen këtyre projekteve, prandaj në vitin 1999 ndodhi kthesa e madhe dhe Kosova me ndihmën e aleatëve euro-atlantik arriti të zbraps turrin e Serbisë për të zaptuar toka të huaja.

Tani ndodhemi në një realitet të ri gjeopolitik dhe shqiptarët, përfshi edhe ata në Serbinë e Jugut, janë koshient për këtë realitet, mirëpo është e papranueshme që të pranohet narrativi serb për këtë pjesë të banuar me shqiptarë. Beogradi po punon me të madhe që ta paraqesë Serbinë e Jugut pa shqiptarë në mënyrë që t’ia konsumojë adutet Kosovës që të mos mund të kërkojë reciprocitet në trajtimin e pakicave kombëtare. Sepse, nëse një ditë Serbia e Jugut zbrazet nga shqiptarët atëherë Prishtina zyrtare do të ndodhet para aktit të kryer dhe nuk do të ketë çka të kërkojë në këtë pjesë, si kompensim të statusit minoritar të serbëve në Kosovë.

Kjo staregji serbe për të eliminuar adutet e reciprocitetit do të shpërfaqet edhe në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Por kjo nuk do të duhej të pranohej nga Kosova. Sidomos duhet fuqizuar kërkesa për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë shqiptare, si model analog që po e kërkojnë serbët e Kosovës, të instrumentalizuar nga Beogradi.

Ditë më parë kemi ofruar edhe disa modele të organizimit dhe bashkërendimit të kësaj pjese të banuar me shqiptarë, që do të përshpejtonte procesin e evropianizimit të këtij rajoni. Sigurisht që pala kosovare në dialogun me Serbinë do të duhej t’i ketë në tryezë edhe këto modele, në mënyrë që ndërmjetësuesit në Bruksel të kenë mundësi të zgjerojnë fokusin e ngusht të vështrimit të gjërave, që do të kalonte nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi, në normalizimin e marrëdhënieve shqiptarë-Serbi.

Çfarëdo zgjidhje që do të merrte mbyllja e problemeve Kosovë-Serbi, do të dilte e mangët nëse në paketë nuk përfshihen edhe problemet e shqiptarëve në jug të Serbisë, sepse vetëm përmes tyre do të mund të garantohet kualiteti i marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Ballkan. Në të kundërtën, këto marrëdhënie do të kalojnë nga kriza në krizë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA