Krijohet fondi i investimeve shqiptare në Lion të Francës
Ilir Bejta
14/04/2017 - 14:02
“Ç’ju deshtë sot, në këtë ditë kaq të bukur, të vini e të mbylleni në këtë sallë, në vend të dilnit për piknik”, iu drejtua Labinot Gjini pjesëmarrësve me shaka pak para se ta shpallte mbledhjen si të hapur. Dukej sikur donte ta zbraste pakëz atmosferën serioze që kishte kapluar sallën. Të qeshurat plasën gjithandej dhe dikush, ndër këto të qeshura, me shaka ja ktheu: ta dish që të kanë mallkuar të gjithë sot për këtë. Pas kësaj, serioziteti rizuri vendin e vetë. Të gjithë e dinin se për çfarë kishin ardhur dhe se nga ata do të kërkohej një angazhim serioz dhe solemn në këtë ndërmarrje të madhe. Barra nuk dukej e lehtë për askënd, por të gjithë kishin rënë dakord për t’i vënë sot gur themelin kësaj lëvizje të re, e cila për dallim nga të tjerat, ishte fokusuar kryesisht në financë, përfitime e investime, pra në një organizim ekonomiko-financiar të diasporës shqiptare. Për Labinot Gjinin, ideatorin e këtij projekti, shqiptarët duhet të merrnin mësim se si të organizohen së pari ekonomikisht para se të organizohen në mënyra tjera. Çdo organizim tjetër, i çfarëdo lloji, kërkon një sistem ekonomik efikas pas tij. Prandaj, çdo përpjekje tjetër që nuk merr në konsideratë aspektin ekonomik e financiar ka prirje që të dështojë ose të arrijë ndonjë sukses siç ishte suksesi i Pirros kundër Romës, shpjegon ai.
Një ide e hedhur në një fushë futbolli
Ky kuvend kishte për qëllim themelimin e një fondi të investimeve në mërgatën shqiptare. Pra, ishte themelimi i një nisme të re, të veçantë, e cila orientonte shqiptarët në drejtim të investimeve për të ndihmuar ndërmarrësit shqiptarë si në diasporë ashtus dhe në atdhe. Kuptohet se qëllimi afatgjatë është faktorizimi ekonomik i mërgatës shqiptare. Ide e shkëlqyer në vetvete, por që të bënë të qeshësh kur kujton se për herë të parë ishte hedhur nga Labinoti në një fushë futbolli pára një viti ndër disa të rinj shqiptarë. Ideja qysh asokohe ishte quajtur si e shkëlqyer, por shumica kishin menduar se ishte thjesht një muhabet i një çasti. Mirëpo, ata që e njihnin Labinotin më mirë e dinin se kjo ide as nuk i kishte lindur aty për aty dhe as nuk do të mbetej me kaq. Pastaj, kishin kaluar 8 muaj që Labinoti nuk iu kishte folur më për këtë punë dhe dukej sikur ishte harruar çdo gjë. Mirëpo, në nëntorin e kaluar ai e shpalosi sërish këtë ide jo më për ta cilësuar si të mirë apo të keqe, por për ta realizuar. Nga aty debati kishte marr tjetër orientim. Tani më nuk debatohej nëse ishte apo jo ideja e mirë, por se si mund të realizohet dhe cilat janë mënyrat më të mirat për ta bërë këtë. Për afro 4 muaj kishte pasur debate nëpër disa rrethe shoqërore në Lion të Francës. Ishte e vështirë që të zgjeroheshim përtej rrethit tonë të ngushtë në këtë fazë, na shpjegon Sabedin Bislimi (njëri nga të parët që iu bashkua kësaj ideje), sepse ideja ishte e re, e pa njohur për njerëzit dhe krijonte ndjenjën tek secili sikur të ishte pjesë e botës së “mision impossible”. E kishim kuptuar shumë shpejt se do të duhej t’i bënim hapat e para drejtë konkretizimit siç ishe mbajtja e këtij Kuvendi Themelues që të tjerët ta kuptojnë se sa seriozisht e kemi marr këtë punë dhe sa reale është, e plotëson mendimin Ismail Abazaj, një afarist i suksesshëm nga Kuçova (Rep. e Shqipërisë). Kemi provuar disa herë që t’i thërrasim edhe të tjerët nëpër mbledhje, por ose nuk na kanë ardhur ose kanë ardhur dhe nuk janë bindur, mendojmë ne, duke u nisur nga një skepticizëm paraprak, shpjegon Ferat Bislimi, po ashtu afarist i suksesshëm në Lion. Prej Kuvendit Themelues e andej do të jetë më e lehtë për ta shtruar idenë në udhën e realizimit, shton ai.
Një njeri që beson në kapacitetin e shqiptarëve
Ora po shkonte drejtë 14:00 dhe në sallë nuk kishin arritur ende të gjithë të ftuarit. Në realitet, pavarësisht organizimit, askush nuk mund ta dinte se sa do të ishte numri i pjesëmarrësve në këtë kuvend historik. As Labinot Gjini nuk dukej i shqetësuar shumë për këtë. Ai e dinte se një pjesë e shqiptarëve ende nuk e kishin bërë respektimin e orarit parim të jetës. Pastaj, ishte edhe e diel dhe transporti ishte më i vështirë këtë ditë. Dukej sikur përvoja e kishte mësuar që të ruajë një gjakftohtësi edhe në momentet më delikate. Vetëm dy orë më parë, isha ulur një metër më larg tij, dhe po e shikoja këtë djalë të 30-ve me habi se si po e shkruante fjalimin për hapjen e mbledhjes duke i rënë me shpejtësi tastierit të llaptopit të tij. Të dukej sikur e dinte përmendësh atë që do të thoshte para publikut dhe i kishte mbetur vetëm sa për ta hedhur në një letër. Nuk më tregoi se çfarë kishte shkruar dhe mbeta në kureshtjen time. Çfarë mund të thoshte njeriu në një mbledhje të tillë ? Si mund të përgatisësh një fjalim vetëm dy orë përpara për një mbledhje të kësaj natyre dhe çfarë përmbajtje mund t’i ketë dhënë atij, po pyesja veten? Përgjatë këtyre dy orëve, dhe zhurmës së tastierës së tij, ai ngrinte nganjëherë kokën dhe më pyeste për gjëra të përgjithshme të jetës dhe mundohej, hera herës, të më bënte muhabet. Unë i përgjigjesha shkurt sepse druhesha se mos po i humbas përqendrimin. Mirëpo, pavarësisht se fytyra i ngrysej kur i kishte sytë të ngulitur në ekranin e tij, ajo riçelej porsa drejtohej nga unë sikur të donte të më siguronte se prania ime në ato çaste nuk ishte aspak pengesë për të. Kur e pyeta se nëse beson në mundësinë e realizimit të kësaj ideje nga shqiptarët, ai ma kthye me qetësi duke më shpjeguar se shqiptarët janë si të gjithë popujt e tjerë me një veçori ndoshta: një ambicie të pashtershme për të qenë më të mirët. “Duhet vetëm gjetur se si ta kanalizojmë gjithë këtë energji dhe ambicie të tyre”, më thotë ai.
Një ide që trazon kohën
Tani, ndërsa po prisnim ardhjen e të ftuarve të tjerë, Labinot Gjini, përfitonte nga situata për të lidhur kompjuterin e tij me video projektorin e sallës. Të pranishmit e tjerë përfitonin nga ky moment për të diskutuar me njëri-tjetrin. Kishte arritur ora 14 e 15 minuta dhe ende disa të ftuar nuk kishin mbërritur. Nuk mund të pritej më shumë dhe të gjithë u pajtuan që mbledhja të fillonte pasi çdo vonesë në hapje do të paguhej në mbyllje. Dhe këtë askush nuk e donte.
Ky kuvend themelues i Fondit të Investimeve Shqiptare ishte padyshim historik për vetë faktin se ishte hera e parë që një fond i këtij lloji po bëhej në mërgatë. Duke qenë i tillë, Kuvendi nuk mund të hapej pa një fjalim. Dhe, siç u përshkrua më lartë, një fjalim ishte përgatitur nga Labinot Gjini i cili do të shuante, më në fund, kureshtjen time.
Qysh në fillim ishte fjala “trazim” që morri vëmendjen e të gjithëve. Ishte nocioni qendror në fjalimin e tij. U cilësua se ky Kuvend do të jetë trazim i mendësisë sonë, trazim i filozofisë sonë si dhe trazim i gjendjes sonë sociale e ekonomike. Me këtë trazim ai la të kuptohej se ka ardhur koha e një mënyre të re të menduarit, e të organizuarit duke rrënuar mentalitetin e vjetër ku shqiptarët e shihnin vetën si konkurrente të shqiptarit tjetër, shpesh duke gjetur një vetëkënaqësi iluzive në “suksesin” e tij, sepse duke u krahasuar gjithmonë me dikë më keq nga vetja. Me mënyrën e mendimit të ri, të organizimit të ri, shqiptarët do të duhej të organizoheshin, në një bashkim idesh, bashkim mendjesh e, sidomos, bashkim burimesh financiare në mënyrë që të mund të tejkalojmë pragun e komunitetit tonë dhe të jemi konkurrentë me konkurrentet e vërtetë të kohës duke i bërë ballë sfidave të ndryshimeve globale, krahinore e lokale, tha ai. Me këtë bashkim financiar një mundësi e mirë duket se po vizatohet për të rinjtë shqiptarë, për punëtorët të cilët kanë aftësi dhe ide biznesi, por edhe për afaristët e tjerë të cilët mund të investojnë më me lehtësi duke u bërë aksionarë në ndërmarrje të reja apo në ato që veç ekzistojnë në tregun evropian.
Ndër tjera ai tha se duhet të frymëzohemi edhe nga organizimi i komuniteteve tjera që jetojnë këtu në Francë, të cilat janë shumë më mirë të organizuara nga ne dhe kështu të përmbushim nevojën e domosdoshme, përmes një fondi të tillë, për ta gjetur edhe ne veten në hap me ndryshimet e shoqërisë franceze dhe evropiane në përgjithësi.
Një ide që kërkon sakrificë
E paraqitur kështu ideja mund të duket e thjesht dhe e bukur. Por aty të gjithë e dinin se pas kësaj ideje do të qëndrojë sakrifica financiare e secilit sepse nuk mund të dukej e lehtë për askënd ndarja e një pjese nga burimet financiare vetjake (për ndonjërin gati 10%), qoftë nga rroga qoftë nga përfitimet e tyre, për ta hedhur në këtë fond. Pra, duket se do të mbështetet mbi një sakrificë të vërtetë të ardhshme realizimi i kësaj ideje dhe se secili prej pjesëmarrësve është i vetëdijshëm dhe i mirënjoftuar për këtë aspekt. Bile, sikur qarkullon një filozofi ndër njerëz se asgjë nuk mund të bëhet pa sakrificë dhe pa durim. Këtë të fundit deshi të kujtonte edhe Sejdulla Syla, gjithashtu afarist nga Lioni, kur tha se për të marrë grurin duhet, së pari, ta mbjellësh dhe, së dyti, të presësh një vit që ai të bëhet për t’u korrur. “Ta kuptojë secili se nuk jemi duke krijuar ndonjë klub qejfesh, por një fond të investimeve, kështu që domosdo se duhet të jemi të vetëdijshëm se ky angazhim është shumë serioz”, shtoi ai.
Propozimet, kërkesat, idetë nuk munguan përgjatë gjithë mbledhjes
Gjatë paraqitjes së projektit pjesëmarrësit dhanë mendime të ndryshme për sa i përket përmbajtjes së projekt-statutit, çështjes së regjistrimit të fondit, regjimit juridik dhe fiskal, çështjes ligjore e deri tek rregullorja e brendshme e funksionimit. Nganjëherë debati merrte një kahje shumë teknike ku shtyhej teoria e disa studentëve të ekonomikut e juridikut me përvojën praktike të afaristëve.
Bile, fjalën nuk hezituan që ta marrin edhe ata që kishin ardhur si vëzhgues siç ishte Mihal Zeqo nga Saranda apo Ilir Culaj nga Prishtina për t’u dijësuar më mirë me disa aspekte të projektit. Dhe, kështu, diskutimeve mund të mos i vinte fundi po që se nuk do t’i rikthente në kornizën e rendit të ditës udhëheqësi i mbledhjes duke iu përkujtuar se do të ketë mbledhje të veçanta për diskutimet tjera që i përkasin një rendi më teknik. Mumin Asani nga Shkupi kujtoi një çështje thelbësore të ditës: se nëse duhej t’i njihej statusi i themeluesit atyre që ishin sot në mungesë, por që kishin shprehur dhe konfirmuar dëshirën për të qenë pjesë e këtij fondi? Në këtë pikë, së pari u pajtua se çdokush që ishte i pranishëm në këtë mbledhje do të gëzojë statusin e themeluesit/sës. Dhe, së dyti, u pajtuan se një status të tillë mund ta gëzojnë edhe ata që kanë paralajmëruar për pamundësinë për të ardhur këtë ditë në mbledhje siç ishte Behram Gegaj, Albert Pukaj dhe Lum Bislimi.
Kështu, në këtë atmosferë kishin kaluar afro dy orë nga fillimi i mbledhjes. Me rrezet e diellit që dukeshin nga dritaret e sallës, të pranishmit kishin filluar të lodheshin pak dhe propozuan që disa pika të rendit të ditës të barteshin për diskutim në një mbledhje të ardhshme me praninë edhe të të tjerëve të cilët nuk patën mundësi të jenë sot. Në fund të takimit u lexua deklarata themeluese dhe deklarata solemne e Fondit të Investimeve Shqiptare të cilat u nënshkruan nga të gjithë të pranishmit që kishin shprehur dëshirë për t’u angazhuar në këtë Fond. Pas nënshkrimit të këtyre dokumenteve të pranishmit kaluan në kafeterinë e hotelit ku vazhduan edhe për disa minuta diskutimet. Albulena Ismaili, e përkrahur nga Sanije Gjini, Kosovare Bejta dhe Ajkuna Asani, kërkoi që të shqyrtohet çështja statusore e bashkëshortes apo bashkëshortit të investitorëve duke propozuar që shuma e parave të depozituara të ndahet në dysh si një kontribut i të dy bashkëshortëve në Fond. Ndërkohë, Edmond Hoxha kërkoi që t’ju jepet mundësia për të qenë pjesë e fondit edhe atyre që për momentin nuk janë ende të rregulluar me lejeqëndrimi, por që shprehin vullnetin dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij fondit.
Ideja e një fondi të investimeve shqiptare mori konkretizimin parë
Ora kishte shkuar 17 e 30 dhe Fondi i Investimeve Shqiptare ishte themeluar tanimë si në letër si në shpirt ashtu dhe në mendjen e secilit. Një orientim i ri, një fillim i ri, një shpresë e re ishte ajo çfarë shfaqej në sytë e tyre...Këtë ndjeva, këtë dëgjova, këtë pashë këtë të diele, më 9 prill 2017 në Lion të Francës. Unë isha “vetëm kaq”: dëshmitar i një përpjekje historike.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 215 reads