...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Luksi, ngjyrat (kancerogjene) dhe grisja e librave pushtojnë rininë e “pjekur” shqiptare

Shfaqjet e nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme dhe festojnë —ndryshe quhen “mbrëmje mature” ku fjala “maturë” nënkupton ‘pjekuri’— në kohët tona janë të shumëllojshme dhe meritojnë vëmendje të veçantë: sepse nga ato do të kuptojmë jo vetëm mungesën e ‘pjekurisë’ së nxënësve të moshave përkatëse por dhe mungesën e pjekurisë së shoqërisë dhe institucioneve shtetërore.

SHJ

06/06/2019 - 19:26

Një nga shfaqjet më “ekstravagante” është shfaqja me rroba dhe automjete tejet luksoze si nga meshkujt ashtu dhe femrat—një shfaqje që paraqitet zakonisht nga gazetarët e oligarkisë por pa asnjë grimcë kritike! Një tjetër është zhvilluar së fundmi: ‘mbrëmjet’ e ngjyrave ” (ose “colour party”). Me një të tillë u përballa në stadiumin e futbollit në Durrës kur pashë disa dhjetra nxënës të zhytur në ngjyra. Dukeshin sikur kishin lyer mure. Por me doza— shiko fotografinë kryesore— më të mëdha. Ndalova dhe pyeta se ç`kuptim kishte shfaqja përkatëse. Përgjigjja që mora ishte thjesht zbavitje pasi “kemi mbaruar shkollën e mesme”. Mirëpo, nuk u mjaftova me përgjigjen e nxënësve dhe pyeta dhe të rinj të tjerë.

Në një kafe të qytetit, “Sophie Caffe”, pyeta disa të rinj —studentë që punojnë dhe studiojnë paralelisht dhe duhen marrë shembull për përpjekjet e tyre—për kuptimin e mbrëmjes përkatëse, meqënse mendova se do të kishin provuar të “zbaviteshin” si pasrendësit e tyre, dhe s`mora përgjigje. Pyeta edhe për ngjyrat se ku i gjejnë por edhe për efektin e tyre në organizëm. Por sërish përgjigjja ishte negative. Pyeta dhe qytetarë të tjerë. Por asnjëri s`kishte përgjigje. Për “mbrëmjet me ngjyra” dinin vetëm se të rinjtë —“maturantët”— zbavisnin me ngjyrat në shenjë gëzimi dhe lumturie.

Por nuk pashë vetëm këtë shfaqje nga të rinjtë e Durrësit: një tjetër, edhe më e shëmtuar (shiko fotografitë e bashkangjitura) ishte grisja e librave pikërisht përpara shkollës ku hamendësisht kishin kaluar plotë vite “mësime”. Pyeta disa qytetarë se si e konceptonin shfaqjen përkatëse. Përgjithësisht s`kishin përgjigje. Por disa thoshin se ishte thjesht një lloj shthurje.

Sidoqoftë, fakt është se të rinjtë janë ‘shthurur’ jo sepse janë në vetë-vete të shthurur por sepse është shthurur shoqëria përgjithësisht dhe institucionet shtetërore.

Por le ta fillojmë nga të fundit: sepse supozohet se sistemi arsimor ka disa institucione dhe punëson disa qindra burokratë dhe “mësues” që janë të aftë në drejtim dhe kritikë. Mirëpo, siç paraqiten gazetarët ashtu paraqiten dhe njerëzit që administrojnë institucionet e arsimit: thjesht shoqërojnë shfrenimin e të rinjëve pa konsideruar as natyrën (shkaqet) e sjelljes së nxënësve as efeket!

Cilët do të ishin, për shembull, shkaqet se pse të rinjtë ‘zbavisin’ me luksin. Njëri është vetë shoqëria: ajo e lakmon luksin. Në luks janë zhytur të gjithë drejtuesit e institucioneve duke filluar me kryeministrin dhe duke shkuar te “qyngjja” e arsimit: ministrja. Një shkak tjetër është vetë arsimi: ai nuk e edukon virtytin e estetikës tek nxënësit. Për pasojë, nxënësit zgjedhin çka zgjedh shoqëria pavarësisht se nga luksi jo gjithnjë gjenerohet ndonjë...sepse dihet se ‘shijet’ e nxënësve në atë moshë janë në ngjizje dhe jo detyrimisht u krijohet ndonjë kënaqësi dhe lumturi nga luski.

Po shkaqet se pse festojnë me ngjyra cilët janë? Njëri është imitimi nga “rrushët” e tjerë: sepse dihet se “stilet” e argëtimit më shumë kopjohen sesa kuptohen dhe kundrohen nga pjesëmarrësit. Festa me ngjyra, në fakt, është një zakon hinduist dhe nuk është e vështirë—nëse kërkon kuptimin e saj— ta kuptosh. Ajo nënkupton ardhjen e verës. Për të tjerë ajo zhvillohet për të falur, për të ringjallur shoqërinë dhe për triumfin e të mirës mbi të keqen. Mirëpo, fiset hinduiste përdornin ngjyra organike. Ndërsa nxënësit përdorin ngjyra kimike —në formën e pluhurit— dhe studimet tregojnë se shumica e tyre janë kancerogjene!

Sa e vështirë është që efektin e dëmshëm për të rinjtë ta studionin mësuesit? Nëse gjykojmë nga mësuesit e arsimit të mesëm —ata janë pasivë në dije shkencore...sepse japin “dijen” që institucionalizon shteti— nuk mund të presim shumë nga ata. Nga ata, madje, nuk mund të presim as aftësi kritike jo vetëm për këtë shfaqje të shëmtuar por edhe për shfaqje të tjera në oborret e shkollave.

Dhe vijmë te shkaqet e sjelljes me grisjen e librave: cilët janë shkaqet që nxënësit grisin librat kur mbarojnë shkollën kur dihet se shumica e tyre shkojnë në shkollë me plotë kureshtje dhe dashuri për dijen dhe librat?

 

Vetë sistemi arsimor, i cili, jo vetëm që nuk zhvillon njerëz virtuozë por ua bënë mësimarrjen një makth të vërtetë që në vend të tregojnë dashuri për librat dhe dijen, i diegin! Këta janë, rrjedhimisht, shkaqet kryesore se pse rinia jonë është shthurur për të cilët asnjëri s`flet. Madje as prindërit! Dihet se pse! Sepse nuk kanë zhvilluar aftësi kritike...                        

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA