...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mësime nga përpjekja jonë për të shpëtuar disa jetë kafshësh

Përpjekja jonë tregon edhe një herë se dashuria dhe dija e paorganizuar nuk mund të përballojë dhimbjen që shkaktohet nga njerëzit e papërgjegjshëm (papërgjegjësia kundrejt qënieve që na rrethojnë, me radhë, buron nga mungesa e dhembshurisë dhe mungesa e dijes).

SHJ

13/11/2018 - 11:44

Veprimtaria ime e parë është studimi dhe kontributet teorike në shkenca; e dyta kontributet konkrete për të shpëtuar jetë, njerëzish dhe kafshësh, përmes përfshirjes sime në veprime konkrete. Muajt e fundit u përfshiva në shpëtimin e jetëve të disa këlyshëve të braktisur poshtë lagjes sime. Më parë thjesht ushqeja kur shikoja ndonjë qen apo mace të uritur. Këlyshët ishin gjashtë dhe të mirë-ushqyer. Ishin a s`ishin një javor në moshë. Dy ditë pas fillimit të ushqyerjes së tyre me qumësht ftova njerëzit e “fejsbukut” për të adoptuar ndonjë. Një gocë adoptoi menjëherë dy. Më çliroi të them të drejtën dhe e falenderova. Më pas asnjë adoptim!

Kështuqë s`kisha rrugë tjetër veç të vazhdoja përpjekjen. Gjeta një vend të braktisur (pallat të pambaruar) dhe i strehova aty duke angazhuar një zonjë në nevojë. Më dhimbsësh si ajo ashtu dhe këlyshët. Filloi të kujdesësh për ta (duke i ushqyer dhe pastruar) ndërsa unë çoja ushqim dhe inspektoja shëndetin e tyre. Në proces kujdestarja gjeti dhe tre këlyshë të tjerë të braktisur por gati për të ngordhur. Si duket kishin më shumë se një javë që prisnin vdekjen. Pas përpjekjes sonë filluan ta merrnin veten.

Kështu na u bënë shtatë por njërin na e vodhën dhe mbetën gjashtë. Pas rreth dy muajve ftova edhe një herë njërëzit e botës së “fajsbukut” për ndonjë adoptim meqënse katër të parët ishin bërë bukurosha. Por asnjë kërkesë! Më pas angazhova një veprimtare me aftësi më të madhe kujdesi me qëllim që të përparoja adoptimin e tyre por dhe të kujdeseshim më mirë për ta. Në proces na u shfaq një qen tjetër i braktisur dhe i sëmurë. S`thamë jo dhe e mbajtëm. Pas pak ditësh erdhi një veprimtare e huaj, nga Hollanda, dhe e mori për ta kuruar në banesën e saj meqë ne nuk mund të kujdeseshim. Ajo filloi përpjekjen e saj ne vazhdonim tonën. Kur papritur u shfaq sëmundja që kishte qeni i sëmurë edhe te këlyshët që po kujdeseshim. Sëmundja shfaqet me mungesë urie dhe pas një dite diarre dhe vjellje. Filluam mjekimin me antibiotik dhe serume. Por dija jonë ishte tejet e pjesshme.

Sidoqoftë, në padijen tonë ne luftuam. Çuam dy më të sëmurët në një veteriner dhe krijuam “foletë” për të injektuar serumin dhe antibiotikun pasi bëmë disa përpjekje në lëkurë. Gjendja e tyre sikur u përmirësua. Në proces u sëmurën dhe dy të tjerët. Filluam të shqetësoheshim dhe të shqetësonim dhe veterinerin. Ky i fundit na e “mbylli derën” e ndihmës dhe përpjekja jonë ishte më e dhimbshme si për ne ashtu dhe për këlyshët. Në dijeni se përpjekja jonë ishte amatoreske, dhe si e tillë me plotë gabime të mundshme, kërkova ndihmën e një veterinereje. Për pasojë, ajo filloi të injektonte ilaçet ndërsa ne i çonim dhe i merrnim çdo mbrëmje dhe i çonim në vendin e strehimit sepse veterinerja s`mund t`i mbante për 24 orë. Ditët e fundit, qenushi që u sëmur i pari, filloi të përkeqësohësh dhe e çuam sërish te veterinerja. Pas dy vizitave, me një ditë të ndërmjetme që nuk e çuam, sepse ishte e diel, qenushi ndërroi jetë në dhimbje të madhe si për të ashtu për ne! Katër të tjerët janë në fazë konvaleshence.

Nga gjithë kjo përpjekje mund të kuptojmë nevojën urgjente të krijimit të një ndërmarrje publike për çdo bashki ku njerëzit me kushtet e nevojshme do të kujdesen për kafshët dhe do të krijojnë ngadalë kulturën përkatëse: sepse nëse gjykojmë nga ngjarja përkatëse por dhe nga qindra përpjekje të ngjashme, mundi është tejet i madh (si në punë fizike, shpenzime financiare dhe dhimbje) dhe rezultati tejet i vogël. Projekti që kam parapublikuar për Durrësin do të ishte ideal dhe do të çlironte nga dhimbja jo vetëm kafshët por dhe njerëzit që përfshihen në shpëtimin e jetëve të kafshëve dhe do të çlironte qytetin nga infeksionet që shkaktojnë në mjedisin ku jetojnë.           

Filozofia e kafshëve, zhvillimet e fundit për mbrojtjen e tyre dhe ndërmarrja në Durrës

    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA