...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shkenca e tokës: cila është më e qendrueshme për ndërtim?

Tokat e pasura në hekur dhe karbon janë më të mirat për ndërtim. Por tokat që përmbajnë hekur, karbon dhe gurë (jo shkëmbinj) janë më të mirat: sepse kur ne krijojmë beton – ne mundohemi të imitojmë natyrën: gurët e saj.

Ylli Përmeti

11/12/2019 - 09:44

Një arsye se pse Pellazgët dhe Ilirët ndërtonin kështjella mbi kodra apo male shkëmbore, ishin tërmetet: sepse mbi toka shkëmbore mund të zbusnin efektet. Një arsye tjetër ishte fakti se toka e kultivueshme (e paktë për kohën, sepse hapësira gjeografike mbulohësh më shumë nga pyjet se sa nga hapësira të kultivueshme) ruhësh për mbjellje; dhe një e fundit, sepse në majat e kodrave dhe maleve mund të mbroheshin më mirë nga sulmet e pushtuesve. Inxhinierët na thonë se toka duhet të jetë qendrueshme në vendin ku do të ndërtohet por pa na treguar se cila tokë është e “qendrueshme”.

Le ta shqyrtojmë dhe këtë çështje meqë inxhinierët dhe gjeologët aktualë nuk e sqarojnë. Universiteti “Murray State” i SHBA-së, për shembull, citon se toka është një përzierje rëre, zhavorri, lymi, deltine ose argjili, ujë dhe oksigjen. Sasia e këtyre përcakton “lidhjen” e saj ose se sa fort do të qendrojë ajo bashkë. Toka e lidhur nuk copëtohet. Ajo mund të përkulet lehtë kur laget dhe copëtohet vështirë nga thatësira…Deltina është tokë shumë e imët dhe shumë e lidhur…duke folur përgjithësisht, sa më argjilore të jetë toka, aq më mirë do të mbahen muret e hendekut…Tokat ndahen në katër kategori: shkëmb i plotë, e tipit A, B dhe C. Tipi i shkëmbit të plotë nuk mund të përdoret sepse pëson dëmtime kur goditet (çahet etj.). Tipi A mund të jetë deltinë, lymdeltinore ose rërëdeltinore...

Për të vlerësuar qendrueshmërinë e tokës është krijuar një aparat që quhet “penetrometër” i cili kur futet në tokë mat forcën e saj ngjeshëse në ton për këmbë katror. Toka vlerësohet për qendrueshmërinë e saj nga njerëz kompetentë përpara se të veprohet, përfundon analiza e universitetit përkatës.

Ky arsyetim do të na çonte në përfundimin se ndërtesat e ndërtuara në ish-kënetën e Durrësit ku nuk mungon baza argjilore, kanë qenë me parametra të drejtë gjeologjikë! Por toka argjilore, megjithëse është më e qendrueshme në raport me tipet e tjera të tokave kur hapet një hendek, ajo nuk është më e mira në raport me tërmetet për sa kohë që ne në ndërtim përdorim hekurin dhe çelikun për t`u përballur me tërmetet dhe përsa kohë që tokat e pasura në hekur janë më të mirat për agrikulurën: sepse hekuri është elementi i katërt më i zakonshëm në tokë dhe univers pas oksigjenit, silikonit dhe aluminit dhe metali i dytë më i zakonshëm pas aluminit dhe është elementi kryesor i bimëve. Kur hekuri përzihet me karbonin (me një sasi të vogël) - krijohet çeliku. Dhe çeliku është metali më i mirë kundër tërmeteve. Për të njëjtën arsye, tokat e pasura në hekur dhe karbon janë më të mirat për ndërtim. Por tokat që përmbajnë hekur, karbon dhe gurë (jo shkëmbinj) janë më të mirat: sepse kur ne krijojmë beton – ne mundohemi të imitojmë natyrën: gurët e saj. Domethënë, ta bëjmë betonin si “gur”.

Çimentua vullkanike e Italisë, për shembull, e cila u zbulua në kohën e perandorisë romake, fiton cilësinë e gurit me kalimin e kohës pasi të jetë përdorur, veçanërisht kur përballet me ujin e detit: sepse përbërja e saj është pluhur gëlqeror dhe vullkanik ndërsa përbërja e çimetos që përdorim në kohën tonë është me gurë qëlqeror të pjekur dhe deltinë — çka nënkupton se pluhuri vullkanik ka natyrë tjetër krahasuar me deltinën siç ka dhe gëlqerja përkatëse. Besohet se është pikërisht “gëlqerja” përkatëse ose tobermoritet që i japin natyrë të kristaltë çimentos romake kur përballet me ujin e detit dhe në vend të grryhet nga forca e erës dhe ujit ajo bëhet më e fortë me kalimin e kohës. Ja ç`citoja tre vjet më parë kur u zbulua kjo lloj çimentoje:

Studiuesit kanë kuptuar –më në fund, përbërjen kimike të çimentos romake e cila i reziston ndryshimeve klimatike për mijëra vjet. Muret e vjetër të ndërtuar nga Romakët përdornin një çimento të përbërë nga pluhuri gëlqeror dhe vullkanik i cili lidhësh me gurët. Elementi vullkanik e bënte çimenton të kundërvepronte me ujin e detit dhe e forconte ndërtesën. Tashmë zbuluesit besojnë se kjo veçori mund të çojë në krijimin e materialeve më miqësor për mjedisin. Ndryshe nga përzierja e çimentos moderne e cila gërryhet me kalimin e kohës, çimentua romake, veçanërisht në praninë e ujit të detit, fiton fuqi nga ekspozimi.

Në provat pararendëse me mostra nga muret e vjetër romak detar, studiuesit mësuan se çimentua përmbante një mineral të veçantë të quajtur “alumin tobermorite”. Ata besojnë se kjo substancë kristalizohet në gëlqere sepse përzierja romake gjeneronte nxehtësi kur ekspozohësh në ujë deti. Studiuesit gjetën sasi të konsiderueshme grimcash tobermoritesh të cilat rriteshin përmes strukturës së çimentos me një mineral poroz të quajtur “phillipsite” (një silkat ose zeolit i shuar në ujë prej potasiumi, kalciumi dhe alumini). Ekspozimi i tij në ujë deti ndihmonte këto kristale të rriteshin me kalimin e kohës, duke e përforcuar çimenton dhe duke parandaluar zhvillimin e çarjeve. Ndryshe nga parimet e çimentos moderne, romakët krijonin një çimento si gur e cila mbrothet në shkëmbime kimike me ujë deti. Është një përzierje shumë e rrallë në Tokë. Çementua moderne ndërtohet bazuar në çimenton e portlandid (çimentua hidraulike), e cila përfshin nxehjen dhe shtypjen (shkërmoqjen) e përbërësve të ndryshëm duke përfshirë gurin gëlqeror, gur ranor, pluhur shkumësi (gjips), hekur dhe deltinë (argjil). Materiali i shkërmoqur pastaj përziehet me “agregatë” si gurë gëlqeror ose rërë të zezë, të marrë zakonisht nga shtretërit e lumenjve, duke i dëmtuar ata, për të ndërtuar struktura me çimento. Procesi i krijimit të çimentos, për më shumë, bart një ndëshkim mjedisor të rëndë: sepse ai është përgjegjës për rreth 5% të çlirimit botëror të CO². Studiuesit tashmë po provojnë materiale të rinj me ujë deti dhe gurë vullkanik. Por ndryshe nga koha romake, kur gurët vullkanik ishin me bollëk, tashmë gurët duhet të merren në vende ku vullkanët kanë prodhuar dhe për ne. Gjithashtu, studiuesit thonë se do të na duhen vite deri sa të kuptojmë formulën e përpiktë romake.            

Por përpara se të nxjerrim përfundime se cila tokë është më e mirë për ndërtim, ne duhet të konsiderojmë nënshtresat e tokës: sepse ato kontribuojnë gjithashtu në pengimin e përhapjes së valëve të tërmetit. Ndaj mirë do të ishte nënshtresat të jenë kryesisht të natyrës shkëmbore. Një studim gjeologjik me mjaft rëndësi për inxhinierët është realizuar në kohën e “Enverit” - botur në vitin `90.[1] Nga ky shqyrtim kuptojmë se sa keq është kuptuar nga inxhinierët dhe gjeologët aktualë natyra e tokës dhe çimentos kur ndërtojnë mbi rërë jo shtëpi njëkatëshe por pallate shumëkatëshe! Si duket, nuk mjaftoi fjala e urtë popullore se “nuk ndërtohen kulla me/mbi rërë”.



[1]Gjeologjia e Shqipërisë, 1990.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA