...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Biznesi jo aq i ëmbël i mjaltit: pandershmëria, mungesa e dijes dhe lakmia përshkon sektorin

Një biznes i ëmbël, si nga të ardhurat që sjell, edhe nga produkti që prodhon. Por, aspak të ëmbla janë problemet që i shoqërojnë ndër vite prodhuesit e mjaltit: mungesa e subvencioneve për fermerët e vegjël, pesticidet e përdorura pa kriter dhe sëmundjet e bletëve, dizavantazhi në prodhim krahasuar me rajonin, probleme eksporti, si dhe mungesa e një strategjie të qartë nga shteti për sektorin e bletarisë.

Monitor

17/02/2018 - 10:38

Aristoteli i thurte lavde mjaltit që ilirët e kthenin në verë. Dhe tradita e bletarëve shqiptarë daton pikërisht që prej kohës së ilirëve. Të shumtë janë prodhuesit aktualë që bletarinë e kanë profesion të trashëguar apo traditë familjare. E kanë nisur me pesë apo dhjetë koshere dhe me kalimin e viteve,kanë shtuar kapacitetin, të udhëhequr nga kërkesa në rritje.

Sipas Censusit të vitit 2016, në Shqipëri ka 365 mijë koshere dhe përafërsisht 12 bletë/km². Burime nga Shoqata e Bletarëve Shqiptarë tregojnë për “Monitor” se e gjithë Shqipëria është e mbushur me bletërritës. Ky fakt mbështetet edhe nga kushtet e përshtatshme klimatike dhe gjeografia e pasur. Duke marrë në konsideratë që një koshere jep përafërsisht 10 kg mjaltë, përllogaritjet e Shoqatës së Bletarëve tregojnë se konsumi i mjaltit në Shqipëri është 1kg/frymë. Sipas znj. Lejla Shehu, kreut të Shoqatës, mjalti është shndërruar në produkt të mirëfilltë tavoline për shqiptarët.

Biznesi i ëmbël

Kosto për të hapur një bletari nuk është e lartë. Ekspertët tregojnë se mjalti mund të sigurojë fitime të larta, mjafton të vihet në jetë një plan i mirëmenaxhuar biznesi.

Hendeku i madh mes konsumimit të produkteve të bletëve në Shqipëri dhe sasisë së disponueshme paraqet një mundësi fitimprurëse për sipërmarrësit për t’u shfrytëzuar. Kërkesa është e lartë, shpenzimet e pakta: pak kapital dhe mund të bëhet nga shtëpia, si dhe ka fitim të lartë.

Por, si duket situata në vendin tonë? Shoqata e Bletarëve raporton për një përhapje të madhe të bletërritësve në të gjithë territorin, ndërsa kompania me cikël të mbyllur “Morava” tregon se has vështirësi në grumbullimin e sasisë së madhe të mjaltit: kërkesat janë më të larta se sa prodhimi. Që të rritet prodhimi i mjaltit shqiptar, si dhe të konkurrohen produktet e importit, të cilat nuk kanë të njëjtën cilësi, sipas administratorit të “Morava” duhet që shteti të subvencionojë më tepër fermerët e vegjël dhe të ndryshojë skemën e subvencioneve.

Eugen Skermo thotë për “Monitor” se subvencioni që jepet aktualisht 1000 lekë për koshere (për fermerët që kanë më tepër se 50 të tilla), duhet të jetë për njësi prodhimi. “Kjo do të nxiste prodhimin e mjaltit dhe do të shmangte abuzimet me numrin fiktiv të koshereve të raportuara për të marrë subvencione”, – thotë z. Skermo. Ndërsa znj. Shehu nga Shoqata e Bletarëve pohon se “fermerët shqiptarë kanë filluar të merren gjithnjë e më shumë me bletari dhe me prodhimin e mjaltit, të ndihmuar edhe nga kushtet e favorshme klimatike që janë jetike për këtë biznes. Përpos potencialit të madh që ky biznes ka në vend, pjesa më e madhe e prodhimit vjen nga biznesi familjar, i cili kultivon një numër modest koshere bletësh. Ndaj, shteti duhet të përpilojë një strategji që të përfshijë pikërisht këto kategori prodhuesish, që t’i nxisë më tepër në rritjen e numrit të koshereve”.

Humbjet

Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë pohon se nga 360 mijë koshere që numëroheshin gjithsej në të gjithë vendin për vitin 2016, më shumë se 144 mijë koshere nuk e kanë kaluar dimrin. Znj. Lejla Shehu tregon për “Monitor” se rreth 40% e koshereve janë dëmtuar gjatë 2017-s për shkak të shumë faktorëve, si dimri i acartë në fillim të vitit, mungesa e standardeve në mjekim, përdorimi i pesticideve në bujqësi pa kriter, si dhe thatësia në verë për disa zona.

Znj. Shehu thotë se mungojnë politikat për zhvillimin e standardizuar të tij, mbështetja financiare dhe për më tepër, specialistët. “Sot, Ministria e Bujqësisë nuk ka një specialist që të njohë sektorin e bletarisë dhe të kujdeset për politikat e sektorit. Prandaj humbjet e fermerëve, jo vetëm që kanë ngelur jashtë vëmendjes së institucioneve, por edhe ndryshimi i herëpashershëm i stafit i bën që të përplasen në dyert e ministrisë çdo vit, pa përgjigje”.

Insekti kaq i dobishëm për njerëzimin kërkon përvojë dhe përkujdesje të veçantë. Por mungojnë specialistët dhe kurset apo shkollat e mirëfillta në këtë sektor, që do të sillnin frytet e veta, sugjeron ajo. “Mungesa e përvojës dhe mungesa e njohurive, në shumë raste, kanë sjellë dështim. Fermerët shqiptarë u duhet të bëjnë vetë të gjithë zinxhirin e punës, nga rritja e bletëve, prodhimi e kultivimi, grumbullimi dhe gjetja e tregut të shitjes bashkë me marketingun. Nuk duhet të jetë kështu. Zinxhiri duhet të jetë i mirëstrukturuar që për çdo hallkë të ketë specialistë”,-pohon kreu i Shoqatës për “Monitor”.

Ajo thekson edhe një tjetër problem që duhet parë me urgjencë: Shkatërrimi i pyjeve dhe bimësisë e ka bërë bletën më pak produktive dhe me shumë kosto për ta mbarështuar. “Pylli është furnitori më i madh i bletës, por dëmtimi masiv i tij vitet e fundit ka prishur ekuilibrin e furnizimit me ushqim të insektit”, -tregon ajo.

Një faktor tjetër, sipas Shehut, që ndikon negativisht në mbarështimin e tyre, janë pesticidet që po përdoren ndaj frutikulturës. Fermerët shqiptarë i spërkatin pemët deri në 15 herë, që nga lulja deri në vjelje, tha Shehu. Bletët që kullosin në këto pemë helmohen dhe vdesin.

Znj. Shehu thotë se bletarët kanë pohuar se ky vit ka qenë dramatik për ta dhe 2018, sipas saj, nuk pritet të jetë i mirë.

Importet dhe prodhimi

Deri në vitin 1932, të gjithë kosheret e bletëve ishin tradicionale me kuti druri të madhësive të ndryshme. Në vitin 1953, sipas statistikave, 77% e tyre vijonin të ishin tradicionale, duke prodhuar një mesatare prej 5 kg mjaltë në vit, ndërkohë që kosheret e lëvizshme shkonin në 20 kg. Sot, prodhimi shkon në mbi 3 mijë tonë në vit (sipas Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi në 2016 arriti afërsisht 4 mijë tonë), duke plotësuar nevojat e tregut lokal dhe duke shkuar për eksport.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, prodhimi vendas i mjaltit ka ardhur në rritje. Nga viti 2012 deri në 2016, prodhimi është rritur me 31%, gjë që tregon angazhim më të madh të fermerëve shqiptarë, e konfirmuar edhe nga Shoqata e Bletarëve. Sipas të dhënave të ofruara nga INSTAT, vihet re që importi i mjaltit ka pësuar rënie të lehtë, nga viti 2015 në 2016, me 15% sipas sasisë së importuar, ndërsa shifrat e 11-mujorit të 2017-s tregojnë sërish rënie. Produktet e importit, sipas fermerëve shqiptarë, janë atraktive, për shkak të çmimeve të ulëta në treg. Nga ana tjetër, konsumohen nga familjet të cilat nuk arrijnë të gjejnë mjaltin shqiptar, shpeshherë për shkak të mungesës në treg. Megjithatë, importi zë një peshë të papërfillshme në totalin e konsumit vendas.

Problemi i eksporteve, pse nuk shitet produkti shqiptar në tregjet e BE

Shqipëria nuk mund të eksportojë asnjë produkt me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Europian, përjashtim nuk bën as mjalti. Sipas ekspertëve të kontaktuar, është mësuar se delegacione nga BE kanë ardhur në Shqipëri për të inspektuar dhe kanë gjetur mungesa në standarde. Eugent Skermo, nga “Mjalti Morava”, tregon se më tepër është një çështje që nuk kanë marrë masat për të vijuar ose për të lobuar në këtë drejtim që të certifikohemi. Duhet marrë seriozisht, thotë ai, edhe nga instancat shtetërore, që të kryhet një studim tregu i mirëfilltë në këtë sektor dhe më pas, të nisin negociatat për tregtimin e këtyre produkteve me origjinë shtazorë, si mjalti.

Prodhuesit shqiptarë kanë parë, në këtë rast, potencial në tregjet aziatike apo SHBA, duke marrë shkas nga ky problem.

“Mjalti Morava” eksportohet në tregjet aziatike si Kina, Singapori, Japonia dhe deri në Amerikë. Për rastin e Kinës, administratori Skermo pohon se “ne nuk arrijmë t’i plotësojmë kërkesat e tregut të tyre me sasi shumë mëdha mjalti. Sepse thjesht nuk kemi aq prodhim. Thjesht nuk i përballojmë dot”, duke konfirmuar problemin me të cilin ndeshen dhe shumë fermerë të tjerë, me prodhim të ulët dhe kërkesa të larta. Ky fakt e bën mjaltin tonë jokonkurrues, duke u tregtuar me një çmim të lartë.

Sipas administratorit të “Morava”, në Shqipëri mund të ketë 365 mijë koshere, por kemi rendimentin më të ulët në rajon të prodhimit të mjaltit. Greqia e ka mesatarisht 30kg/koshere, ndërsa ne përafërsisht 10kg/koshere. Sipas shifrave të Doganës Shqiptare, eksportet shqiptare të mjaltit kanë ardhur në rritje ndër vite. 

Nga viti 2012 në 2016, sipas peshës, rritja ka qenë 195%. Eksportet zunë në 2016-n vetëm 5% të totalit të prodhimit.

Në dyert e Ministrisë së Bujqësisë

Shoqata e Bletarëve, së bashku me të gjithë fermerët e anëtarësuar, prej vitesh u adresohen dyerve të Ministrisë së Bujqësisë, për të gjetur zgjidhje të halleve të tyre. Vitet kalojnë, stafi ndërrohet shpesh, pritjet e takimet bëhen, por sipas tyre, zgjidhja nuk ka ardhur ende.

Znj. Shehu nga Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë tregon se mungon një strategji e mirëfilltë e sektorit të bletarisë në vend dhe, pavarësisht përpjekjeve të shoqatës apo fermerëve, kjo nuk po arrihet.

Pak javë më parë, Shoqata zhvilloi një tjetër takim me përfaqësues të Ministrisë (jo ministri), gjatë të cilit u adresuan edhe njëherë problemet që kërkojnë zgjidhje përmes bashkëpunimit shtetëror politikëbërës. Në një komunikim me revistën “Monitor”, pikat e kërkuara mësohet se janë:

Sëmundjet e bletëve

Medikamentet e përdorura

Helmimet nga spërkatjet e pakontrolluara

Mungesa e subvencioneve dhe i një përfaqësie në institucion

Monitorim i vazhdueshëm: i statistikave mbi bletën, sëmundjeve të tyre etj.

“Diversifikimi i portofolit” të shitjeve

Qumështi i bletës, sipas fermerëve, ka pasur një shpërthim vitet e fundit, për të cilin të shumtë janë shqiptarët që paguajnë, shifra jo të vogla, për një produkt në sasi të limituara. E njëjta panoramë duket edhe për propolisin, që konsiderohet si “antibiotiku natyral”.Sa i përket çmimit, ata tregojnë se varet nga zonat (pra zonat me kullotat më të mira), qumështi i bletës shkon mbi 1000 lekë/gram, ndërsa propolisi i tretur në shishe mesatarisht 500 lekë/10 gr.

Bletarët tregojnë se vetëm prodhimi i mjaltit nuk është i mjaftueshëm për të pasur një ecuri të mirë në tregti, ndaj ata merren edhe me prodhimin e tregtimin e qumështit të bletës, propolisit etj. Disa bletarë kanë vënë prioritet edhe në tregtimin e ushqimit për bletët, duke qenë se, sikur pohojnë të gjithë aktorët e tregut, numri i bletarive në vend është shtuar shumë. Nga ana tjetër, diversifikimi i portofolit të produkteve në tregtim, sipas tyre, i bën më të sigurt në këtë biznes, duke qenë se përballojnë krizën apo problemet më lehtë.

“Duhet të nxitet prodhimi i mjaltit shqiptar, kërkesat jashtë janë të mëdha”

Si ka qenë ecuria e biznesit tuaj ndër vite?

Ky është një biznes familjar. Duke filluar nga gjyshi, pastaj babai imka nisur që në vitet e komunizmit, në 1971, si përgjegjës i rajonit të Korçës, për parqet e bletëve. Me kalimin e viteve u rrit profesionalisht dhe me ardhjen e demokracisë pas 1990 dhe me privatizimin e pronave, babai privatizoi një park të vogël, të cilin e projektoi si biznes. Në fillim, e kemi nisur me pak koshere, deri më sot, me stabilimentin që kemi investuar me kalimin e viteve.

Tregtinë e nisëm në Korçë, duke shitur me njerëzit e njohur. Më vonë, synuam panairet. Kemi qenë pjesëmarrës në panairet e para të zhvilluara në Shqipëri, në vitet 1992, 1993, në Korçë dhe më pas në Tiranë. Më pas, gjithnjë i kemi ndjekur panairet, duke qenë se është një formë promovimi dhe përballje direkt me klientin. Synuam me kalimin e viteve edhe panairet jashtë, gjë që na bëri që të lindin edhe kërkesat për eksporte. Ne jemi biznes me cikël të mbyllur: prodhues, grumbullues, tregtues, si dhe eksportues. Duke pasur probleme me Europën për eksportet, kemi synuar tregjet alternative: SHBA, Kinë, Singapor, Japoni, Vendet Arabe.

A janë këto tregje potenciale për eksport?

Janë shumë potenciale, por ne nuk kemi kapacitete. Ne mund të kemi 365 mijë koshere në Shqipëri, por kemi rendimentin më të ulët në rajon të prodhimit të mjaltit. N.q.s. Greqia e ka mesatarisht 30 kg/koshere, ne e kemi përafërsisht 10kg/koshere. Pra, tregjet aziatike janë me potenciale të larta, por ne nuk arrijmë që t’i furnizojmë sipas kërkesës së tyre.

Çfarë problematike qëndron me eksportin e mjaltit në Europë?

Bashkimi Europian i ka ndaluar eksportet e të gjitha prodhimeve me origjinë shtazore, në të cilat bën pjesë edhe mjalti. Ku qëndron problemi? Mendohet se trupat certifikuese kanë ardhur nga BE për inspektim dhe nuk kanë gjetur standardet e duhura. Unë nuk e di se ku kanë shkuar për inspektim, në ndonjë fshat ose në fermerë të vegjël me 10 koshere. Nuk kanë marrë informacionin e mirëfilltë, e para nga Ministria, më pas që të shkojnë te prodhuesit potencialë. Mendoj se më tepër është një çështje që nuk kanë marrë masat për të vijuar ose për të lobuar në këtë drejtim që të certifikohemi. Pra, duhet marrë seriozisht edhe nga instancat shtetërore që të kryhet një studim tregu i mirëfilltë në këtë sektor dhe më pas, të nisin negociatat për tregtimin e këtyre produkteve me origjinë shtazore, si mjalti.

Çfarë vështirësish ka sektori i bletarisë në vend?

Rikthehemi te çështja e rendimentit të ulët të prodhimit të mjaltit. Kjo ndodh sepse nuk punohet siç duhet me bletët. Fermeri punon në shumë: punon me tokën, me bagëti, me mjaltin. Nuk është i fokusuar dhe i drejtuar në një sektor specifik prodhimi ose produkti, që ta bëjë atë shumë mirë. Shumica e fermerëve që merren edhe me bletarinë, janë me më pak se 50 koshere të regjistruara sipas Censusit. Ekziston një përqindje e vogël që kanë më shumë se 50.

Nuk ka ferma të mëdha Shqipëria. Maksimalja është me 400-500 koshere. Mendoj se duhet të fokusohen më shumë te prodhimi i mjaltit, pasi ka kërkesa dhe nuk ka prodhim. Ne si grumbullues, ndiejmë vështirësi në grumbullimin e mjaltit. Pavarësisht se thuhet se ka prodhim, në të vërtetë, nuk ka. Supozohet që ne bëjmë një konsum të lartë të mjaltit, gjë që dyshoj se ekziston në shifra të tilla.

Sa shqetësuese janë spërkatjet me pesticide për prodhuesit e mjaltit?

Po ka pasur probleme. Vjet në Korçë, në një park me rreth 200 bletë, vdiqën për shkak të disa spërkatjeve me pesticide të forta. Problemi qëndron se fermerët duhet të lajmërojnë, dhe jo në orët që bletët janë në kulmin e kullotës. Nga ana tjetër, problem është lloji i pesticideve që përdorin, që në shumë raste është i pakontrolluar.

Fakt shqetësues janë dhe sëmundjet e bletës. Varroatoza dhe Nosematoza. Të shihet mundësia e subvencionimit nga shteti për luftimin e këtyre së mundjeve. Shërbimi veterinar duhet të organizojë,drejtojë dhe koordinojë në të njëjtën kohë në të gjithë zonat, sepse ka bletarë që nuk i kurojnë si duhet dhe bëhet rrezik që të infektohen parqe të shëndoshë.

Çfarë mendoni se duhet bërë në drejtimin e fuqizimit të bletarisë në vend?

E para, shteti jep subvencione për fermerët që kanë më shumë se 50 koshere, 1000 lekë/koshere. Mendoj se, në drejtim që të rritet prodhimi i mjaltit dhe të shmanget çdo manipulim i mundshëm, duhet që subvencioni të jepet për njësi prodhimi, përveç numrit të koshereve. Subvencioni nuk shkon asnjëherë te fermeri i vogël, që të nxitet që të merret më tepër me bletarinë, të rrisë numrin e koshereve, kapacitetin etj.

Kemi marrë informacione që do të jepen subvencione për grumbullimin, por në gjykimin tonë, ndihma duhet të jepet direkt për prodhim. N.q.s. nuk punojmë për shtimin e koshereve dhe për rendiment më të lartë prodhimi, nuk kemi se çfarë të grumbullojmë.

Duhet të ketë ndihmë direkt te bletërritësit me pajisje bletarie si centrifuga dhe materiale ndihmëse. Një shembull: Komuna e Pejës, në Kosovë, ka shpërndarë vjet 51 centrifuga mjalti për bletarët e rinj.

E dyta, ndihma që duhet të ofrojë shteti për kapacitetet ekzistuese që kemi. Kapaciteti që kemi si kompani është i madh, ne mund të paketojmë deri në 1 ton mjaltë në ditë, por nuk i përgjigjet tregut dhe prodhimit. Ne punojmë me 10% të kapacitetit. Kemi 10 vjet që eksportojmë, tregjet i kemi gjetur në mënyrë individuale,me ndihma minimale dhe nuk kemi marrëveshje të mirëfillta nga shteti, që të na orientojë dhe ndihmojë. Nuk i bëjmë dot vetë të gjitha, edhe të ndjekim tregun. Duhet që shteti, ambasadat të ndërhyjnë që të bëhet diçka në këtë drejtim. P.sh.,në Kinë, kërkesa për mjaltin shqiptar është shumë e lartë, por nuk ka një marrëveshje me shtetin kinez.

Prej 4 vitesh që shkoj nëpër panaire, gjithnjë ka kërkesa për cilësinë e mjaltit tonë, por mungon marrëveshja që do të na lejonte që të nënshkruhet një kontratë për tregtimin atje. Kjo çalon nga pala jonë, pasi duhet që të nënshkruhet një marrëveshje nga një grup-pune me Ministrinë tonë të Bujqësisë, Ekonomisë dhe atë të Jashtme, që përcakton detaje si taksimi etj. Më pas, pala kineze dërgon trupa certifikuese, që të mund të bësh kontratat me tregtarët direkt. Në tregtinë individuale gjatë panaireve që kemi bërë në Kinë, taksohemi shumë shtrenjtë, rreth 50%, duke qenë se mungon marrëveshja, ata e kanë të hapur kuotën që duan të na taksojnë. Me shtetet e tjera e kanë 8%. Pra, shteti duhet të bëjë diçka edhe në këtë drejtim.

E treta, ne nuk jemi konkurrues në rajon. Duke parë Maqedoninë, Serbinë, Greqinë etj., duke qenë se prodhojnë më shumë, janë më konkurrues në çmim. Subvencionet nga shteti janë të larta, në të gjitha hallkat: prodhim, grumbullim, si dhe eksport.

E katërta, një problematikë ekzistuese është pragu i vendosur për blerjet e mjaltit. Minimumi i blerjeve me para cash është 15 mijë lekë në ditë. Duhet të ketë marrëveshje me kontratë, fermeri të jetë i pajisur me NIPT, llogari në bankë etj. Me NIPT janë të pajisur të gjithë ata, por si mund të bindësh një fermer nga një zonë e thellë që të hapë llogari bankare? Ata duan t’i shohin paratë me sy. Me koston që ka mjalti, i bie që të blejmë shumë pak sasi në ditë, as 20 kg. Ka fermerë që më kontaktojnë që t’i ble 50-100 kg, i bie që ne të shkojmë disa ditë me radhë që ta blejmë sipas rregullave.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA