...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çfarë “fshihet” pas projektit “kompakt” të qeverisë “Kurti” dhe amerikanëve?

Gjykuar nga qëllimi i qeverisë amerikane por dhe nga studimet lidhur me sistemet e baterive, me siguri që popullit të Kosovës do t`i shtohet një barrë tjetër, shumë e rëndë

Ylli Përmeti

07/05/2022 - 17:32

Në ditën e parë të vizitës së tij në SHBA Kurti njoftoi se takoi kryeshefen e korporatës amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright. Takimi shënon fillimin e bisedimeve me korporatën në fjalë për realizimin e projektit “Kompakt”―projekti energjitik më i madh në Kosovë me vlerë që kalon 200 milionë dollarë. Më herët ministria e ekonomisë së Kosovës kishte sqaruar se nisma lidhet me “negocimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit të programit Kompakt mes Republikës së Kosovës dhe agjencisë zhvillimore të Qeverisë së SHBA-ve, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit”.

Sipas ministrisë, programi në fjalë “do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte”: 1- rezervën dhe arbitrazhin e energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 MWh); dhe 2- zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektorin e energjikës.

Projekti i parë, sqaron ministria, lidhet me blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, të cilat shërbejnë si rezerva të energjisë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e zhbalancimit të furnizimit dhe shpenzimit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh [...] të energjisë ose për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë. Bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës, apo të ngjashme, dhe do ta përshpejtojnë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Projekt i dytë përfshinë dy aktivitete: 1. Zhvillimi i fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektorin e energjisë, duke e mbështetur edhe investimin me MCC; dhe 2. Fuqi punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë―përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve, siç janë bursat për studime universitare në fushën e energjisë, të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe gjatë përfundimit të fazës zhvillimore dhe negociatat me partnerët tanë nga MCC, do të njoftojmë publikun për zhvillimet dhe detajet përfundimtarë të projektit, përfundon sqarimi i ministrisë. Megjithëse si qasje s`është e mjaftueshme për të shkuar drejt burimeve të ripërtëritshme dhe të gjelbërta, ministria nuk sqaron kuptimin e “arbitrazhit” në ekonomi dhe financë lidhur me energjinë: “arbitrazh është praktika e përdorimit të avantazheve të një ndryshimi të çmimit duke blerë energji nga rrjeti në një çmim të ulët dhe shitjen e saj në rrjet në çmim më të lartë”. 

Gjykuar nga fakti se sistemi i baterive do të jetë pronë e Kosovës dhe si i tillë nën mbikqyrjen e qeverisë, do të jetë kjo e fundit “arbitri” i sistemit, duke e kthyer veten në një qeveri që synon të fitojë nga çmimet e tregut të brendshëm. Kjo qasje është përdorur në Kaliforni të Amerikës dhe studimet tregojnë se sistemi i baterive është tejet i kushtueshëm. Siç konkuldon një studim: “kostua e vëllimit aktual e sistemit të baterive Li-jon është tejet lart kostos së balancuar (“breakeven”, mes kostove dhe përfitimeve) qoftë edhe nëse sistemi mund të hartohësh të vepronte për 20 vjet”.  

Megjithëse qeveria e Kosovës filloi punën për hartimin e strategjisë për energjinë elektrike për periudhën 2022-31, vitin e kaluar, dhe si fillim u përfol se do të lidhte Kosovën me një tubacion ekzistues të gazit në Maqedoninë e Veriut, siç kishte propozuar korporata amerikane, kjo e fundit është një agjenci e huaj shtetërore amerikane e krijuar në vitin 2004 nga Kongresi amerikan për të ndihmuar në udhëheqjen e varfërisë botërore.

Për realizimin e këtij objektivi ajo ofron grante me kohë të kufizuar që nxisin rritjen ekonomike, ulin varfërinë and fuqizojnë institucionet. Grantet hartohen për të plotësuar programe të tjerë ndërkombëtarë amerikanë që synojnë krijimin e kushteve për investime private--për të ndihmuar kapitalin privat amerikan të përparojë në vendet ku ajo vlerëson se plotësojnë kriteret e parashtruar dhe sektori i energjitikës është parësori!

Përmes kësaj qasje ajo premton fitime të sigurta për popullin amerikan, prej të cilit gjenerohen grantet. Disa studime dhe popuj e shohin agjencinë përkatëse si një rivale të projektit kinez, “Një brez, një rrugë”, dhe organ që minon sovranitetin e popujve. Kjo është arsyja se pse protestojnë kundër përfshirjes së saj në investime.

Sidoqoftë, gjykuar nga qëllimi i qeverisë amerikane por dhe nga studimet lidhur me sistemet e baterive, me siguri që popullit të Kosovës do t`i shtohet një barrë tjetër, shumë e rëndë...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA