...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

DASH-TI: Mosndëshkimi mbetet problem serioz ndërsa shteti është kapur më shumë se kurrë nga korrupsioni

Shqipëria ka një shtet të kapur nga korrupsioni, ku individë të fuqishëm, institucione, kompani e grupe të fuqishme brenda e jashtë vendit, komplotojnë që politikat, mjedisi ligjor dhe ekonomia t’u shërbejë interesave të tyre private në dëm të publikut

Voa

30/03/2021 - 20:36

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paraqiti të martën raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2020, duke thënë se riafirmonte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta vënë çështjen e të drejtave të njeriut në qendër të politikës së jashtme të të vendit.

Ai tha se duke dokumentuar çdo vit statusin e të drejtave të njeriut në botë, Departamenti i Shtetit siguron informacion objektiv dhe gjithëpërfshirës për Kongresin, shoqërinë civile, akademikët, aktivistët dhe të tjerët kudo që janë.

Zoti Blinken tha se raporti për vitin 2020 pasqyron sfidat e veçanta me të cilat u përballën vendet e ndryshme. Disa qeveri, tha ai, e përdorën krizën si pretekst për të kufizuar të drejtat dhe për të konsoliduar sundimin autoritar. Qeveri të tjera u mbështetën në vlerat dhe proceset demokratike, si shtypi i lirë, transparenca dhe llogaridhënia, për të informuar dhe mbrojtur qytetarët e tyre.

Zëri i Amerikës përgatititi një përmbledhje të pjesës së raportit për Shqipërinë:

Gjatë vitit 2020, thuhet në raport, Shqipëria u përball me disa çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut, si: pavarësia e gjyqësorit; kufizimet e shprehjes së lirë dhe shtypit; korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes dhe institucionet; dhe moszbatimi i ligjeve për punën e të miturve.

Mosndëshkimi mbeti një problem serioz, thuhet në raport. “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”

Raporti përmend ngjarjen e 8 dhjetorit në Tiranë, kur Policia e Shtetit vrau me armë zjarri një person i cili ishte në shkelje të orës policore për COVID-19.

Mosndëshkimi për veprimet e jashtëligjshme të policisë, thuhet në raport, mbetet një problem, megjithëse qeveria bëri përpjekje më të mëdha për ta trajtuar atë, duke shtuar përdorimin e kamerave për të dokumentuar dhe ndjekur penalisht sjelljen e jashtëligjshme të policisë.

Në raport thuhet se kushtet e këqija fizike dhe mungesa e kujdesit mjekësor, veçanërisht për shëndetin mendor, ishin probleme serioze, po ashtu edhe korrupsioni në burgje. “Kushtet vazhduan të jenë nën standardet e duhura në disa mjedise ndalimi të policisë jashtë Tiranës dhe qendrave të tjera të mëdha urbane,” thuhet në raport.

Mohimi i gjykimit të drejtë publik

Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara ndonjëherë e penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efikase, thuhet në raportin e Departamentin e Shtetit për Shqipërinë. “Seancat gjyqësore shpesh nuk ishin të hapura për publikun. Zyrtarët e sigurisë së gjykatës shpesh refuzonin të pranonin vëzhgues në seanca dëgjimore dhe i telefononin rregullisht kryetarit të trupit gjykues për të pyetur nëse duhet ta pranonte këtë ose atë individ që kërkonte të merrte pjesë në një seancë.”

Liria e shprehjes, përfshirë shtypin

Sipas DASH, gjatë vitit 2020 pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin tek media me mënyra të papërshtatshme.

Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën një larmi pikëpamjesh, thuhet në raport, por “pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi mediat, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin”.

Në raport thuhet se “Pronarët e bizneseve përdorën lirisht mediat e tyre për të fituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre tek partitë politike. Shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar tek veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera.”

Në raportin për Shqipërinë thuhet gjithashtu se ka patur raporte të besueshme se përfaqësues të lartë të mediave i përdorën ato për të shantazhuar bizneset.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve i vunë kufizime medias së shkruar të pavarur, dhe gazetarët thuhet se praktikuan vetëcensurë. Pasiguria ekonomike për shkak të mungesës së kontratave të zbatueshme të punës uli pavarësinë e reporterëve dhe kontribuoi në paragjykimine në raportimet e tyre,” thuhet në raport.

Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri

Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon që individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, parlamentarë, ose në qeveri apo në pozicione shtetërore, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive, thuhet në raport. “Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Shembujt përfshijnë një kandidat për kryetar bashkie në vitin 2019 i dënuar më parë për trafik droge.”

Kushtetuta e Shqipërisë, thuhet në raportin e DASH, kërkon që gjyqtarët dhe prokurorët t'i nënshtrohen vetingut për pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar dhe aftësi profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi vettingun dhe Dhoma e Apelit shqyrtoi vendimet e kontestuara. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i përbërë nga ekspertë gjyqësorë ndërkombëtarë, mbikëqyri procesin. “Deri në nëntor, 125 gjykatës dhe prokurorë u shkarkuan, 103 u konfirmuan, ndërsa 48 të tjerë kishin dhënë dorëheqjen që të mos i nënshtroheshin vetingut,” thuhet në raport.

“Disa agjensi qeveritare hetuan raste korrupsioni, por burimet e kufizuara, rrjedhjet e të dhënave hetimore, presionet politike reale apo të perceptuara i penguan hetimet. Midis janarit dhe shtatorit, zyra e prokurorit të përgjithshëm regjistroi 20 raste të reja korrupsioni dhe pushoi shtatë prej tyre. Departamenti i Administratës, Transparencës dhe Antikorrupsionit hetoi 29 raste, duke rezultuar në 115 masa administrative dhe 153 masa disiplinore.”

Krijimi në dhjetor 2019 i Zyrës së Prokurorisë Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, një nga dy entitetet që përbëjnë Strukturën e Posaçme për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), thuhet në raport, rezultoi në 327 hetime të reja penale dhe 65 kërkesa të dërguara në gjykatë që nga nëntori.

“Ndërsa prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e çështjeve të nivelit të ulët të korrupsionit, përfshirë prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, ndjekja penale e të dyshuarve të nivelit më të lartë mbeti e rrallë për shkak të frikës së hetuesve nga ndëshkimi, mungesës së burimeve dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit.”

“Inspektorati i Lartë njoftoi se deri në gusht, kishte referuar 60 çështje të reja për ndjekje penale, duke përfshirë dy deputetë, një zëvendësministër, tre kryetarë bashkish, 32 drejtorë të përgjithshëm të agjencive publike, një shef të prokurimit publik në dogana dhe pesë krerë të doganave rajonale,” thuhet në raport.

Përdhunimet dhe dhuna në familje

Përdhunimet, përfshirë atë bashkëshortor, është një krim dhe ligji përfshin gjithashtu dispozita për sulmet seksuale, thuhet në raport. Raporti shton se “Qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Autoritetet nuk i ndanë të dhënat për ndjekjet penale lidhur me përdhunimin bashkëshortor. Koncepti i përdhunimit bashkëshortor nuk ishte kuptuar mirë, dhe autoritetet shpesh nuk e konsideronin atë një krim.”

Që nga nëntori, thuhet në raport, hetuesit dhe prokurorët kishin regjistruar 81 raste sulmesh të pretenduara seksuale. Gjithashtu deri në nëntor, hetuesit dhe prokurorët regjistruan 4,313 raste të dhunës në familje, gjashtë prej të cilave ishin vrasje.   

Transparency International: shteti i kapur nga korrupsioni

Organizata Transparency International dhe Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim publikuan sot në Tiranë një raport mbi kapjen e shtetit, korrupsionin e lartë dhe ligjet me porosi.

Sipas raportit më të fundit, Shqipëria ka një shtet të kapur nga korrupsioni, ku individë të fuqishëm, institucione, kompani e grupe të fuqishme brenda e jashtë vendit, komplotojnë që politikat, mjedisi ligjor dhe ekonomia t’u shërbejë interesave të tyre private në dëm të publikut.

Studimi përfshin 12 vitet e fundit nga 2008-2020 dhe arrin në përfundimin se kapja e shtetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm dhe se korrupsioni i nivelit të lartë nxitet nga privatizimi i pronës publike dhe i shërbimeve.

Ky raport mbështetet në një përmbledhje rastesh korrupsioni të nivelit të lartë, që kanë të bëjnë me rrjetet klienteliste, korrupsionin në sistemin gjyqësor edhe ligjet e bëra me porosi.

Aty analizohen në detaje procese gjyqësore nga “Gërdeci” “Meta-Prifti”, “ARMO”, “Tom Doshi”, “Majlinda Andrea”, “Gjin Gjoni”, “3 Inceneratorët”, “4 Prokurorimet e Shëndetësisë”, çështja “Tahiri”, “Dako”, "Gjiknuri-CEZ".

Po ashtu renditen edhe shembuj ligjesh të dyshuara se u bënë me porosi, si ligji special për Teatrin, ligji për mediat audiovizive, ligji për lojërat e fatit, për lotarinë kombëtare, ligjin për koncensionet dhe PPP-të, autostradën Milot-Balldre, kompania Air Albania, apo mbi oferta të pakërkuara për ndërtim aeroportesh, si ai i Vlorës, të cilat miratohen me shpejtësi dhe me mangësi nga parlamenti, në mungesë të transparencës dhe konsultimeve publike.

Raporti vë në dukje tek ato raste mangësi në integritetin e zyrtarëve shtetërorë, në korruptimin e sistemit gjyqësor dhe mënyrën si i trajon ai çështjet penale të korrupsionit si dhe në integritetin e procesit ligjvënës.

"Shqetësim kryesor mbeten ligjet e bëra me porosi, të cilat lehtësojnë skemat e korrupsionit të nivelit të lartë. Rrjetet klienteliste porositin ligje për investime të pakërkuara, të cilat miratohen me shumicë të thjeshtë në parlament, duke shkelur shumë afate, procedura dhe rregulla të mirëqeverisjes" - tha Gjergj Vurmo, bashkautor i studimit.

Këto ligje, thuhet në raport, mundësojnë vjedhjen e burimeve kombëtare përmes procedurave jotransparente të prokurimit, mungesës së integritetit të procesit ligjvënës dhe mbikëqyrjes parlamentare.

“Shumica e projektligjeve propozohen nga qeveria, por dokumentet e tyre mbështetëse nuk shtjellojnë arsyet e propozimit të tyre. Qeveria anashkalon konsultimin publik, i cili, sipas raportimeve nga shoqëria civile, nuk është sistematik dhe rrallë merren në konsideratë” - thekson raporti.

Bashkautorja e studimit, Rovena Sulstarova, thekson nga përfundimet se "mekanizmat institucionale të kontrollit dhe balancës janë të pamjaftueshme; kjo e nxit korrupsionin e lartë, së bashku me administratën publike të politizuar dhe sistemin gjyqësor të korruptuar, që siguron pandëshkueshmërinë për autorët e krimeve".

Reformat kanë ecur në vazhdën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, thuhet në studim, por ato nuk kanë qenë të suksesshme në frenimin e kapjes së shtetit dhe situata është përkeqësuar dukshëm, bazuar në shqyrtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi.

“Këto prirje vazhdojnë pa u ndalur, pavarësisht reformave të mbështetura nga BE-ja, që synojnë krijimin e një administrate publike profesionale dhe një gjyqësor të paanshëm dhe profesional” - thuhet në raport.

“Në dekadën e fundit u forcua bashkëpunimi mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, një bashkëpunim, që vitet e fundit ka arritur kulmin e tij. Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të spikatur publikë kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike, humbje të jetës dhe rritje të borxheve financiare, që i rëndojnë taksapaguesit shqiptarë” - thekson studimi.

Rrjetet klienteliste me nëpunës publikë dhe interesa private ndikojnë në vendim-marrjen e qeverisë, ndërsa këto skema korrupsioni mbështeten nga pandëshkueshmëria që e siguron gjyqësori i korruptuar, thuhet në raport.

Ritmi i ngadaltë i reformës në drejtësi dhe boshllëku që solli rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve bllokuan disa hetime dhe zgjatën hetime të tjera.

Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionuan për më shumë se dy vjet, thekson studimi, dhe kjo i ka gërryer mekanizmat e kontrollit dhe balancës së pushteteve, ndërsa pandëshkueshmëria solli përfitime të paligjshme.

Mungesa e ekspertizës në parlament dhe largimi i opozitës nga parlamenti në shkurt 2019 lehtësuan miratimin e ligjeve të bëra me porosi, theksojnë autorët. Në raport thuhet se Parlamenti nuk i përmbushi detyrat kushtetuese për të mbikëqyrur qeverinë dhe për t’u siguruar, që politikat publike u shërbejnë qytetarëve.

“Përballja me kapjen e shtetit në Shqipëri do të mbetet një sfidë e rëndësishme për shkak të trashëgimisë të një qeverie autokratike, që përpiqet të kontrollojë dy pushtetet e tjera legjislativin dhe gjyqësorin - pasigurisë së rezultateve të reformës në drejtësi, dhe një procesi politik të dominuar nga paqëndrueshmëria” - thekson studimi i Transparency International dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Në raport veçohet se integriteti i procesit zgjedhor është dëmtuar rëndë nga bashkëpunimi mes partive politike, zyrtarëve publikë dhe grupeve të krimit të organizuar për blerjen e votave në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme në këmbim të shfrytëzimit të institucioneve publike për interesa private.

Raporti është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Europian “Dhënia fund pandëshkueshmërisë për korrupsionin e nivelit të lartë ose politik në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”. Projekti synon të ulë korrupsionin dhe kapjen e shtetit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi, si dhe të përmirësojë qeverisjen, transparencën dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor dhe ligjvënies demokratike.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA